MENU
klinika

Ja deri në çfarë date

Rivleresimi i pasurisë, Ministria e Financave i propozon afatin e ri

02.06.2020 - 14:39

Ministria e Financës dhe Ekonomisë i ka propozuar qeverisë shtyrjen deri në fund të vitit të procesit të rivlerësimit të pasurisë.

Shkak për këtë propozim mësohet të jetë situata e krijuar nga Covid-19 gjatë së cilës qytetarët nuk kanë pasur mundësi të kryejnë rivlerësimin e pasurisë me tatim më të ulët. Përgjatë muajve shkurt dhe mars ishte parashikuar të kryhej procesi i rivlerësimit për ata qytetarë që kishin nxjerr shtëpinë në shitje ose kërkonin që të linin pasurinë kolateral në bankë.

Aplikimet për rivlerësimit të pasurisë nuk do të vazhdojnë deri në fund të Shtatorit por deri në 31 dhjetor. Vendimi për këtë shtyrje pritet të merret në mbledhjen e radhës të qeverisë. Deri më tani sipas të dhënave të siguruara nga agjencia shtetërore e kadastrës në total kanë aplikuar 20 mijë qytetarë, shifër kjo që pritet të rritet në muajt në vijim pas heqjes së masave kufizuese që ishin vendosur për parandalimin e Covid-19.

Rivlerësimi i pasurisë është një mundësi që qeveria e jep për herë të tretë për qytetarët duke mundësuar që ata të paguajnë tatim në burim të pasurisë së tyre në masën 3% nga 15% që ishte më parë. Kështu nëse një qyetar ka blerë një apartament para disa vitesh në vlerën 50 mijë euro por sot e shet atë 70 mijë euro atëherë ai duhet të paguajë një taksë 15 % mbi diferencën e cmimit të shitjes me atë të blerjes. Në këtë rast diferenca është 20 mijë euro dhe detyrimi tatimor që paguhet nga qytetari është 3 mijë euro.

Me ligjin e ri i jepet e drejta qytetarit që të rivlerësojë banesën me cmimin e tregut duke paguar jo 15% por vetëm 3%. Rrjedhimisht taksa zbret nga 3 mijë euro që duhet të paguajë normalisht në vetëm 600 euro pra 5 herë më pak. Nga ky proces pritet të gjenerojnë 40 milionë dollarë të ardhura shtesë në buxhetin e shtetit ndërsa vlerësohet se do të jenë mbi 50 mijë pasuri që do të përfitojnë nga ulja e tatimit mbi fitimin. Sipas të dhënave të Kadastrës dy vjet më parë nga kjo nisëm përfituan 64 mijë persona.