MENU
klinika

Në pranga 2 pronarët e hoteleve dhe 5 vajza!

Shkatërrohet një rrjet prostitucioni në Rrogozhinë!

03.06.2020 - 08:21

Një rrjet prostitucioni është shkatërruar në Kavajë, pas hetimeve që kanë zgjatur për 7 muaj, i finalizuar me arrestimin e 2 tutorëve, 5 vajzave që shfrytëzoheshin dhe një klient, i kapur në flagrancë.

Dy të arrestuarit, si “koka e grupit” ishin pronarë të dy hoteleve në zonën e quajtur ”Bishti i Zhurit”, në Rrogozhinë ku dhe zhvillohej aktiviteti kriminal dhe shfrytëzoheshin vajzat, e për këtë grupi hetimor njofton se ka pasur prova të forta.

Në pranga kanë rënë B. Gj., 61 vjeç dhe F. H., 58 vjeç, ndaj të cilëve është dhënë masa e sigurisë “Arrest në burg”. Ndërkohë, masa e sigurisë ‘arrest me burg’ është dhënë edhe për 5 vajzat, M. M., D. M., G. D., Q. R. dhe V. M., për veprën penale “Prostitucioni”. Mes të arrestuarve është edhe një klient, i cili u kap në flagrancë duke kryer marrëdhënie seksuale kundrejt pagesës, me Q. R..

Gjatë kontrollit të ushtruar në dy hotelet janë gjetur dhe sekuestruar edhe një sasi e konsiderueshme parash, prej 370.000 lekë të reja, të përfituara nga shfrytëzimi i këtyre shtetaseve për prostitucion si dhe 7 telefona celular dhe një autoveturë. Ndaj të arrestuarve rëndojnë akuzat për 3 vepra penale, për “Shfrytëzimi i prostitucionit”, “Mbajtja e lokaleve për prostitucion“ dhe “Prostitucioni“.

Njoftimi i plotë i policisë
Goditen dy raste të shfrytëzimit për prostitucion dhe të mbajtjes së lokaleve për prostitucion. Vihen në pranga dy pronarë hotelesh, për shfrytëzim për prostitucion dhe për mbajtje të hoteleve për shfrytëzim prostitucioni. Në pranga edhe 5 shtetase që ushtronin prostitucionin. Gjithashtu arrestohet edhe një shtetas tjetër në flagrancë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komsiariatin e Policisë Kavajë, pasi kishin siguruar të dhëna në rrugë operative se disa shtetase shfrytëzoheshin për prostitucion nga dy pronarë hotelesh, kanë regjistruar procedimin penal në Prokurori dhe nën drejtimin e saj, pas 7 muajsh hetime siguruan prova për dokumentimin e këtij aktiviteti kriminal. Në këtë kuadër, nga Seksioni për Krimet në Komisariatin e Policisë Kavajë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë dhe në bashkëpunim me Sektorin e Forcave Operacionale të DVP Tiranë, u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Zhuri”, në kuadër të të cilit u ekzekutuan masat e sigurisë të lëshuara nga Gjykata, pas provave të siguruara gjatë hetimit dhe konkretisht ndaj shtetasve:

B. Gj., 61 vjeç, banues në Rrogozhinë, me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”. Ky shtetas është pronar i një hoteli në zonën e quajtur”Bishti i Zhurit”, në Rrogozhinë;

F. H., 58 vjeç, banues në Rrogozhinë, me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”. Ky shtetas është pronar i një hoteli në zonën e quajtur “Bishti i Zhurit”, në Rrogozhinë;

M. M., D. M., G. D., Q. R. dhe V. M., me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprën penale “Prostitucioni”. Gjithashtu u arrestua në flagrancë shtetasi R. L., banues në Divjakë, pasi është kapur në flagrancë në ambientet e hotelit në pronësi të shtetasit B. Gj., duke kryer marrëdhenie seksuale kundrejt pagesës, me shtetasen Q. R. Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar 370.000 lekë të reja, të përfituara nga shfrytëzimi i këtyre shtetaseve për prostitucion, 7 telefona celular dhe një autoveturë.