MENU
klinika

Për ri-financimin e borxhit të 2015-ës dhe...

Kuvendi miraton marrjen e Eurobondit

04.06.2020 - 14:54

Kuvendi i hap rrugën emetimit të eurobondit të ri. Në seancën e sotme plenare është miratuar me 86 vota pro 12 kundër 5 abstenim projektligji “Për eurobondin që do të emetohet nga ministri i financave dhe ekonomisë, miratimin e përjashtimeve nga tatimet e taksat dhe të parashikimeve për heqjen dorë nga imuniteti në marrëveshjet që do të lidhen”, që hap praktikisht procedurën për të marrë këtë borxh të ri.

Drafti i miratuar në seancën e sotme, ka pësuar ndryshime në momentin e fundit duke marrë parasysh edhe propozimet e Presidenti Ilir Meta, i cili nuk dha pëlqimin e tij që projektligji të hynte në fuqi menjëherë një ditë më parë, me argumentin se as në as në projektligj dhe as në relacion nuk sqarohen arsyet e kësaj emergjence për të marrë këtë borxh. Pas paqartësive që ka ngritur Meta, Komisioni i Ekonomisë dhe grupi i PS-së kanë bërë amendamentet e nevojshme duke bërë ndryshime në këtë projektligj dhe duke marrë parasysh edhe propozimet e presidentit. Pasi kanë bërë amendamentet kryetarja e Komisionit të Ekonomisë i ka dërguar një letër presidentit Meta, së bashku me ndryshimet e bëra.

Pas këtij procesi Ilir Meta ka dhënë aprovimin e tij për hyrjen në fuqi menjëherë të projektligjit, që synon përjashtimin nga çdo detyrim tatimor i transaksioneve dhe veprimeve që bëhen në kuadër të eurobondit. Edhe kjo hyrje në fuqi e menjëhershme është miratuar me 86 vota pro 10 kundër dhe 5 abstenim.

Më herët nga foltorja e Kuvendit, Ministrja e Financave Anila Denaj tha se për të dalë në tregjet ndërkombëtare këtë muaj është marrë edhe aprovimi i Bankës së Shqipërisë për marrjen e eurobondit, në vlerën e 650 milionë euro.

“Ministria e Financave ka filluar punën për herë të katërt për emetimin e eurobondit. Emetimi i tij është prezantuar në fund të 2019, dhe është punuar për të dalë këtë muaj. 650 milionë euro dhe maturim 7-10 vjet, pritet të jetë eurobondi i ri. Ai do të shërbej për të ri-financuar borxhin e 2015, si dhe të mbuloj shpenzimet e vendit.

Maqedonia e Veriut mori borxhin e 7 në vlerën e 700 milionë euro, me normë shumë të ulët. Ky fakt na jep sigurinë që jemi në një periudhë të përshtatshme. Banka e Shqipërisë ka konfirmuar se marrja e eurobondit nuk cënon stabilitetin financiar”, u shpreh Denaj.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN