Nesër, për të tretin vit radhazi, do të zhvillohet Maratona e Tiranës. Rreth 5 mijë vrapues, një pjesë e të cilëve fëmijë, do t’i japin jetë eventit më të madh sportiv që zhvillohet në vendin tonë, që vjen si garë e çertifikuar nga institucionet ndërkombëtare të atletikës.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ambasadorja e Greqisë në vendin tonë, Eleni Sourani dhe organizatori i Maratonës së Athinës, Spiro Zakaris, në një konferencë të përbashkët për mediat, prezantuan detajet e festës sportive, që do të nisë të dielën në orën 9.00.
Kryebashkiaku Veliaj falenderoi miqtë grekë për dhuratën simbolike që i sollën Maratonës së Tiranës, kurorat e ullirit që vijnë nga zona e Maratonës në periferi të Athinës.
Ai theksoi se dhurata që i bëhet Maratonës së Tiranës ka një vlerë simbolike, sidomos për marrëdhëniet njerëzore mes qytetarëve të të dyja vendeve, Shqipërisë dhe Greqisë. Veliaj tha se Maratona e Tiranës këtë herë do dalë përtej pjesës urbane, duke kaluar edhe në pjesën panoramike të Liqenit Artificial të Tiranës.
“Maratona e vërtetë në fakt, është maratona e progresit, e miqësisë që kemi mes vendeve, e paqes që duam të kemi në rajon. Sot jemi në një moment shumë të rëndësishëm për të dakordësuar njëherë e mirë shumë çështje me Greqinë, me fqinjët tanë.”, – u shpreh kryebashkiaku Veliaj.
Për herë të parë, kurora e ullirit për fituesit do të vijë nga vendi i origjinës së Maratonës, 40 km nga Athina. Teksa vlerësoi Tiranën për organizimin e maratonës, Ambasadorja e Greqisë në Shqipëri, Eleni Sourani, tregoi dega e ullirit simbolizon edhe miqësinë mes dy vendeve.
“Është një gjë shumë simbolike, një simbol shumë i mirë për sportin. Më vjen shumë mirë që Tirana, qyteti ku unë jetoj e jam qytetare prej këto dy vitesh, ka një Maratonë. Gjithashtu, dua t’u uroj suksese të gjithë pjesëmarrësve sepse në maratonë nuk ka rëndësi kush do fitojë, por kush arrin ta përfundojë garën”, – tha Sourani.
Spiro Zakaris, përfaqësues i Maratonës së Athinës dhe president nderi i shoqatave të qytetit për paqen, vlerësoi organizimin e maratonës edhe në Tiranë…
“Ju falenderoj për ftesën për të qenë këtu në Tiranë, i cili është kryeqyteti më i afërt i ngjashëm me maratonën e Athinës. E konsideroj një nder të madh sepse transmetoj këtu në Tiranë mesazhin që jep rrugëtimi i maratonës. Ashtu siç besoj e dini, i vetmi sport olimpik që ka emrin e një vendi është maratona.
Është e vetmja garë që ka një prejardhje historike. Duke lidhur historinë arkeologjike kam sjellë kurorat me degë ulliri nga vendi i lashtë. Gjithashtu, kam sjellë edhe medaljen që japim në maratonën origjinale të Athinës, që bashkëpunimi ynë të zgjatë sa më shumë”, – tha Zakaris.
Për arsye të mbarëvajtjes së Maratonës së Tiranës, ditën e diel do të kryhet devijimi i qarkullimit të automjeteve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në Rrugën e Kavajës dhe atyre që të shpien në Parkun e Liqenit Artificial.