MENU
klinika

"Garancia e dytë po ecën me ritme të ngadalta"

Bankat në Shqipëri ‘ngrijnë’ 2 mld euro deri në gusht

10.06.2020 - 09:25

2 mld euro është shuma që bankat e nivelit të dytë kanë konservuar në funksion të ekonomisë dhe stabilitetit financiar përgjatë periudhës së pandemisë. Kështu thotë në një intervistë Silvio Pedrazzi, kryetari i shoqatës së bankave në Shqipëri.

“Siç e dini, shuma totale e kredive që janë nën skemën e shtyrjes së kredive në nivelin e Shqipërisë është më shumë se 2 miliard euro, por çfarë është më interesante që nuk është theksuar ende nga askush dhe përfitoj nga rasti, është se impakti i parë është të ngrinim deri në Gusht këto 2 miliard euro, por çfarë është e rëndësishme të kuptojmë është që familjet dhe bizneset e korporatat mbajtën në xhepat e tyre gjatë kësaj periudhe këstet mujore që duhet të paguanin gjatë kësaj periudhe. Kjo shumë është llogaritur deri në 150 milionë euro”, ka deklaruar ai.

Një instrument i dobishëm sipas Pedrazzit kanë qenë dy garancitë sovrane të dhëna nga qeveria. Nëse paketa e parë e destinuar për pagat u disbursua e gjitha, me ritme më të ngadalta po ecën garancia e dytë sovrane që kishte si synim të t’u ofronte kapital qarkullues bizneseve.

“Paketa e dytë siguron 60% të shumës së kredisë dhe në këtë rast qëllimi i kredisë është për kapitalin qarkullues dhe për të mbështetur aktivitetin e kompanisë gjatë kësaj periudhe. Për paketën e dytë jemi vetëm në fillim. Deri tani numri i aplikanteve ka qenë i limituar dhe gjithashtu për bankën është pak më e vështirë të analizojë çdo klient më vetë pasi në këtë rast banka ndërmerr një risk direkt”, shtoi ai.

Pedrazzi pranon se niveli i kredive të këqija nuk është shqetësues, megjithatë bankat nuk ndihen të sigurta në dhënien e kredive.

“Banka e Shqipërisë dhe të gjitha bankat në 5 vitet e fundit, mundëm të pastronim dhe të përmirësonim cilësinë e portofolit dhe tani portofoli i kredive gjeneron shumë me pak humbje dhe përfitueshmeria e portofolit është tani në nivele normale. “Fale zotit”, kjo ishte çeshtja kryesore në lidhje me kreditë e keqija. Pra kemi më shumë pikëpyetje se sa siguri. Po ju jap një shembull. A do të vazhdojnë turistët të udhëtojnë nëpër botë njësoj si më parë? Nuk besoj kështu. Pra aktiviteti turistik do të ndikohet. Ne duhet t’i ndihmojmë”, shpjegon Pedrazzi.

Sa i përket financimit të një teatri të ri, Pedrazzi thotë se bankat janë ta gatshme ta financojnë, duke e cilësuar një biznes të mirë për to:

“Në këtë rast, për aq sa dimë, zotëruesi është një institucion publik, Bashkia e Tiranës. Pra është një biznes i mirë. Personalisht, nëse bashkia kontakton bankën time për të financuar një teatër të ri do të thoja Po pa asnjë problem siç mund të ishte për ndërtimin e një shkolle, ure ose çdo lloj tjetër infrastrukture. Duhet të jemi të drejtë teknikisht dhe profesionalisht. Bankat bëjnë biznes dhe ky është një biznes normal”.

Lidhur me praktikën e vendosjes së komisioneve të larta deri dhe në 5% te vlerës, për kreditë që shlyhen para kohe, Pedrazzi, beson se institucionet duhet të sigurojnë liri në treg por brenda një kornize maksimale të caktuar.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Ngrin" pagesa e kredive, për 3 muaj

Bankat nuk do kërkojnë shlyerjen e kësteve