Fundi i kampionatit të Formula 1 duhej të ishte më spektakolar, por duket se lideri Lewis Hamilton kërkon ta mbyllë sa më shpejt, duke mo u dhënë mundësi rivalëve t’i afrohen.
Hamilton e shtoi më tej rekordin e karrierës, duke arritur “pole position” numër 80 në Japoni, në orët e para të mëngjesit të ditës së shtunë, në një linjë të parë që do të jetë e gjitha e përbërë nga makinat Mercedes, ndërsa rivali për titull, Sebastian Vettel me Ferrari do të niset nga vendi i nëntë.
Finlandezi Valtteri Bottas do të jetë në krah të Hamilton në startin e nesërm, ndërsa Max Verstappen me Red Bull dhe Kimi Raikkonen me Ferrarri do të kompletojnë linjën e dytë të startit.
Shiu në minutat e fundit të provave në Suzuka ishte një goditje e vërtetë për Vettel, që ka 50 pikë më pas se Hamilton në renditjen e përgjithshme, kur mbeten edhe pesë gara nga fundit. Me Hamilton që po koleksionon rekorde, Vettel po vuan faktin që do të niset nga vendi i nëntë, pozicioni i tij më i dobët në provat zyrtare të këtij sezoni.