MENU
klinika

Kërkesa e bisneseve për bashkitë

“Të falen taksat vendore për vitin 2020”

17.06.2020 - 12:20

Bizneset kanë një sërë kërkesash adresuar pushtetit vendor me qëllim që të reduktohen pasojat e lëna nga COVID-19 dhe t’u lehtësohet barra fiskale në aktivitetin e tyre.

Në anketën e bërë nga Sekretariati i Këshillit të Investimeve, industria e turizmit, si më e prekura nga masat e marra ndaj COVID, sugjeron heqjen e taksës së shfrytëzimit të hapësirave publike ose zvogëlimin e saj; anulimin e çdo lloj gjobe të marrë në vitin 2020; Faljen e taksave vendore për vitin 2020 ose shtyrjen e tyre për në 2021 si dhe heqjen e taksës mbi pasurinë e paluajtshme për 2 vite.

Sektori i tregtisë kërkon reduktimin e taksës lokale në proporcion me zgjatjen e periudhës së pandemisë si dhe heqjen ose reduktimin për m2 e taksës së të tabelave identifikuese të biznesit si dhe atyre të pastrimit. Sektori i shërbimeve sugjeron shtyrjen e pagesave të taksave bashkiake dhe zbritjen e tyre në 50% të detyrimit vjetor ose faljen e tyre; Mos vjeljen e taksës së pasurisë për këtë vit si faljen e detyrimeve për banesat e legalizuara si taksë ndërtimi.

Industria sugjeron heqjen e taksave vendore për vitin 2020; Shtyrjen e likuidimit të taksave vendore në tremujorin e tretë të vitit; uljen taksës së pasurisë për kapanonet industriale, si dhe taksat e tjera që rëndojnë biznesin për një periudhë 6 mujore si dhe heqjen e taksës për arsimin.

Sektori i ndërtimit sugjeron që pagesa e taksës të pasurisë të bëhet me këste pa penalitete deri në fund të vitit; ndërsa bujqësia kërkon pezullimin e taksave të gjelbërimit e të pastrimit si dhe uljen e taksës së pronës edhe taksës së territorit për 6-12 muaj.