COVID-19 është rikthyer në çështje të nxehtë dite në Shqipëri. Dy javët e para të qershorit, pas heqjes së karantinës 3 mujore dëshmuan një rritje të papritur të rasteve të reja të infektuara nga virusin.
Ditët e para të kësaj jave, përfshirë edhe ditën e sotme (17.06.2020 ) regjistruan 201 raste të reja të infektuara nga virusi dhe dje (16.06.) numrin rekord prej 82 rastesh në ditë.
Shqetësimi rritet pasi grafiku i infektimit mga COVID-19 është i paqëndrueshëm, herë ulet e herë ngrihet me shifra të larta infektimesh, të panjohura më parë.
Autoritetet e Shëndetësisë informuan sot se nga 333 përsona të testuar në 24 orët e fundit, 50 rezultojnë të prekur nga virusi. Dita e sotme shënoi edhe një viktimë, që e ꞔon numrin total të jetëve të humbura në 38, shifër kjo e konsiderueshme për popullsinë e Shqipërisë prej 2,8 milion banorësh.
Sipas Open Data Albania, deri tani në Shqipëri janë testuar 19.266 qytetarë nga të cilët 1722 rezultojnë të infektuar dhe 1077 të shëruar. Tirana vazhdon të jetë vatra më e nxehtë e infektimit, me 790 raste në total.
Masa për të parandaluar rikthimin e karantinës
Sot në Shqipëri fillon zbatimi i masave parandaluese për përhapjen e virusit në kushtet e hapjes së vendit. Kryeministri Rama tha dje se “nuk lejojmë më asnjë grumbullim, qoftë dhe politik. Kush merr pjesë në grumbullime do të penalizohet drejtpërdrejtë individualisht. Bizneset që nuk respektojnë protokollet e sigurisë nuk do të tolerohen më. Përveç gjobës rrezikojnë dhe heqjen e lirisë, nëse kapen në shkelje”.
Efekti imediat i masave të sipërpërmendura do të duket nëse kurba e rasteve të reja, deri tani vetëm në ngritje, do të ketë një ulje të qëndrueshme gjë, që do të sigurojë mbajtjen nën kontroll të epidemisë në kushtet e hapjes së vendit.
Dr. Pëllumb Pipero, infeksionist i mirënjohur, që me ekipin e tij vazhdon të jetë në krye të betejës kundër virusit Corona në Spitalin e Sëmundjeve Infektive, në Qëndrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, tha për DW se rritja e rasteve të reja vjen nga mosrespektimi i masave dhe protokolleve të sigurisë.
“Pas hapjes së vendit mendohet se virusi nuk ekziston më, ka ikur. Ka shkujdesje të qytetarëve bizneseve, institucioneve shëndetësore. Por virusi është mes nesh, nuk ka ikur. Ai qarkullon. Duhet ruajtur patjetër distanca sociale, duhen vendosur maska në mjedise publike dhe siguruar higjena e duarve,” thotë ai për DW.
Rikthehet vetëkarantinimi dhe puna on line nga banesat
Policia e shtetit bëri sot thirrje drejtuar gjithë qytetarëve për të zbatuar me rigorozitet masat e saposhpallura të qeverisë Rama. Në të theksohet domosdoshmëria e ndalimit të grumbullimeve masive në ceremonitë festive dhe mortore, i qëndrimit në grup në lokale, restorante apo qëndra tregtare dhe kërkohet refuzimi i shërbimeve nga persona që nuk kanë vendosur maska dhe doreza mbrojtëse. Policia e shtetit risjell detyrimin ligjor të vetëkarantinimit për këdo që ka qënë i infektuar dhe ka dalë nga spitali, por mund të infektojë të tjerët, duke vënë në dukje sanksionet për shkelësit.
Një udhëzim i Institutit të Shëndetit Publik ka rikthyer sot punën on line nga banesa të administratës shtetërore. Në zyra do të punohet me rotacion: vetëm një person në zyrë të tjerët on line nga banesat dhe komunikimi përmes platformave on line, kryesisht me platformën “Zoom”.
Samit Botëror për vaksinën anti COVID-19
Masat për të parandaluar rikthimin e karantinës dhe mbylljes së vendit tregojnë se normalizimi i jetës në Shqipëri nuk duket i afërt. Zhvillimet post – karantinë edhe në vendet e tjera të rajonit tregojnë se normaliteti do të kërkojë kohë. Sa për ilustrim, Maqedonia e Veriut ka hapur kufijtë vetëm për të punësuarit dhe studentët në Shqipëri, përfshirë edhe kalimin tranzit, kjo e fundit vetëm qëndron në pikat kufitore mes dy vendeve jo më shumë se 5 orë. Hyrja për turizëm nga Shqipëria është e ndaluar.
Në këtë situatë, një lajm i mirë vjen sot nga Brukseli edhe për qytetarët e Shqipërisë dhe gjithë rajonit. Bashkimi Europian do të organizojë pas 10 ditësh, më 27 qershor një samit botëror ku vendet në avanguardën e kërkimit shkencor pritet të angazhohen për të bashkuar burimet e tyre financiare për zbulimin dhe prodhimin e vaksinës.
Burime nga Komisioni Europian, (KE) citojnë sot Presidenten Ursula Von der Leyen, të ketë thënë sot në Bruksel lidhur me prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinës në BE dhe gjithë botës se ”për këtë process do të duhen 12-18 muaj”.
/DW/