MENU
klinika

"Duhet të jenë përmbushur përpara thirrjes..."

Parlamenti Europian miraton amendamentin me 15 kushtet për qeverinë Rama

19.06.2020 - 08:24

Me 388 vota pro, 280 vota kundër dhe 19 abstenime Parlamenti Europian miratoi mbrëmjen e (18 qershorit 2020) amendamentin e Grupit të Partive Popullore Europiane me 15 kushtet për qeverinë Rama para nisjes së negociatave.

Amendamenti ka këtë tekst: “Parlamenti Europian thekson 15 kushtet e caktuara nga Këshilli i Bashkimit Europian që Shqipëria duhet të ketë përmbushur përpara thirrjes Konferencës Ndërqeveritare të parë me shtetet antare”

Këto kushte u vendosën nga Këshilli Europian (shtetet anëtare) me propozimin e Gjermanisë, Francës, Hollandës, Danimarkës e Spanjës në mars të këtij viti.

Amendamenti i firmosur nga eurodeputetja Kinga Gàl me kërkesën e raporterit Lega dhe me mbështetjen e koordinatorit Gahler erdhi si përgjigje e mohimit të përsëritur nga kryeministri Rama javën e shkuar të ekzistencës së 15 kushteve.

Amendamenti u votua nga Grupi Liberal dhe ai Konservator si dhe shumë deputetë nga e majta dhe djathta pavarësisht qendrimit formal të grupeve.

Gjatë javës së shkuar shumë eurodeputetë, por edhe diplomatë europianë reaguan ndaj deklaratave të Ramës duke apeluar publikisht për domosdoshmërinë e përmbushjes së 15 kushteve sepse ndryshe nuk fillojnë negociatat.

Opozita e quajti të papërgjegjshëm mohimin e 15 kushteve nga Rama; sipas saj kjo retorikë është pengesë kryesore për integrimin europian të vendit mbas përkeqësimit të treguesve të demokracisë e shtetit ligjor. Restaurimi i normalitetit demokratike vjen duke plotësuar 15 kushtet.

Njëri prej kushteve është edhe dënimi i politikanëve që kanë blerë vota në zgjedhjet e Dibrës e Shijakut.