Presidenti francez, Emanuel Makron, ka ripërsëritur qëndrimin pse NATO-ja duhet reformuar, duke e quajtur sërish aleancën ligjërisht të vdekur.
Sikundër vitin e kaluar, shkak për deklaratën është bërë sërish Turqia, por këtë radhë me ndërhyrjet e saj në Libi.
Franca ka akuzuar Turqinë se po kthehet në një faktor destabilizues të rajonit dhe mbarë Europës me përpjekjet e saj për të ndërhyrë në çëshjet e brendshme të Libisë.
Trupat ushtarake turke qëndrojnë të stacionuara në shtetin afrikanoverior që nga fillimi i vitit dhe krah forcave qeveritare libiane po zmbrapsin ofensivën e rebelëve të gjeneralit Kalifa Haftar.
Por incidenti detar i javës së kaluar ka përshkallëzuar raportet diplomatike mes Parisit dhe Ankarasë.
Teksa një luftanije franceze përgatitej të inspektonte në ujërat e Mesdheut një mjet që dyshohej se po transportonte armë drejt Libisë, sipas palës franceze, flota luftarake turke që e shoqëronte mjetin bëri manovra agresive që të mos kryhej inspektimi.
Presidenti francez, Emanuel Makron, tha se sjellja e homologëve turq nuk duhet toleruar më dhe se ajo provon deklaratën e tij të vjetër se aleanca e NATO-s është ligjërisht e vdekur, siç nuk ndërhyri as kur Turqia mësyu ushtaraisht në Sirinë verilindore vitin e kaluar.
“Kam pasur rastin t’ia them qartë edhe presidentit Reçep Taip Erdoan, se mendoj që sot Turqia po luan një lojë të rrezikshme në Libi, kundër çdo zotimi të konferencës së Berlinit. Me ngjarjen e mëparshme në brigjet e Libisë, ju kujtoj edhe një herë deklaratën time të vitit të kaluar për NATO-n dhe për vdekjen e saj klinike. Për sa kohë që si anëtarë të NATO-s, si europianë, nuk flasim hapur për këtë çështje, do i lëmë të tjerët ta vazhdojnë lojën e tyre deri në fund.”
Në Ankara ka dyshime se Franca mbështet rebelët dhe jo qeverinë libiane, duke u rreshtuar krah Egjiptit, Rusisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, megjithëse Parisi thekson se nuk mban anë.
Egjipti ndërkohë në fundjavë urdhëroi ushtrinë e vet të hyjë në gatishmëri pas avancimit të avionëve dhe trupave ushtarake turke brenda kufijve të fqinjit perëndimor.
Lufta për epërsi territoriale në lindje dhe perëndim të Libisë zhvillohet mes forcave qeveritare dhe atyre të gjeneralit Haftar që nga viti 2014, dhe janë vazhdim i revoltës që nisi më herët me rrëzimin nga pushteti dhe me vrasjen e diktatorit libian, Muamar-al-Gadafi.