MENU
klinika

Rivlerësimi i pasurive

Kadastra zbardh procedurat dhe çmimet për çdo zonë

24.06.2020 - 11:18

Llogaritja e tatimit për individët dhe bizneset. Aplikuesi mund të zgjedhë vullnetarisht nëse rivlerësimin e pasurisë do ta bëjë ASHK-ja, apo një ekspert i vlerësimit të pasurive, i licencuar nga institucionet

Nga Ornela Bereti

Të gjithë individët që kanë në pronësi, pasuri të paluajtshme tokë ose ndërtesë të regjistruar, ose që fitojnë pronësinë dhe e regjistrojnë atë deri në fund të vitit, kanë të drejtë që brenda këtij afati të bëjnë rivlerësimin e kësaj pasurie me vlerën e tregut. Këtu përfshihen dhe rastet kur për pasurinë e paluajtshme është bërë edhe më parë rivlerësimi. Individi mund të zgjedhë vullnetarisht nëse rivlerësimin e pasurisë do ta bëjë ASHK-ja, apo një ekspert i vlerësimit të pasurive, i licencuar nga institucionet përkatëse. Për të përfituar nga rivlerësimi, nëpërmjet pasqyrimit të tij në regjistrin e pasurive të paluajtshme, individi duhet të paguajë më parë tatimin e rivlerësimit (3% e bazës së tatueshme). Në rast se individi ka në pronësi më shumë se një pasuri të paluajtshme dhe do të bëjë rivlerësimin e secilës prej tyre, procedura e rivlerësimit është individuale për secilën prej këtyre pasurive. Personat që nuk kanë marrë ende certifikatën e pronësisë, por kanë lejen e legalizimit, mund të aplikojnë për rivlerësimin e pasurisë me dokumentin që disponojnë, lejen e legalizimit. Gjithë procedura nga momenti i aplikimit deri në rivlerësimin e pronës zgjat vetëm 5 ditë pune. Tarifa për shërbimin e rivlerësimit për individët, pranë ASHK-së, është 1200 lekë.

Çmimet e referencës

Për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme qeveria ka miratuar një hartë me çmimet mesatare të referencës të shitblerjes së ndërtesave që përdoren për qëllim banimi, sipas qyteteve dhe zonave për Tiranën. Në rast se individi zgjedh që rivlerësimin e pasurisë ta bëjë Agjencia Shetëtore e Kadastrës, ai bëhet me çmimet minimale fiskale, që janë në fuqi në momentin e kryerjes së procesit të rivlerësimit dhe në përputhje me përcaktimet e udhëzimit për tatimin e kalimit të së drejtës së pronësisë të pasurisë së paluajtshme. Në këtë rast, baza e tatueshme llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së dalë nga rivlerësimi (sipas çmimeve minimale fiskale në fuqi) dhe vlerës së zbritshme. Në rast se individi zgjedh rivlerësimin e pasurisë nga një ekspert i licencuar, baza e tatueshme llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së pasqyruar në aktin e vlerësimit të pasurisë dhe vlerës së zbritshme. Në çdo rast vlera e pasqyruar në aktin e vlerësimit të pasurisë nga eksperti i licencuar nuk mund të jetë më e vogël se çmimi minimal fiskal. Në rastet kur pasuria e paluajtshme rezulton e regjistruar pa një kontratë shitjeje, atëherë për të përcaktuar vlerën e zbritshme, drejtoria vendore e ASHK-së bazohet në vlerën e çmimeve minimale fiskale në çastin e regjistrimit të aktit të fitimit të pronësisë. Pagesa e tatimit nga rivlerësimi i pasurive të paluajtshme kryhet pranë bankave të nivelit të dytë.

Bizneset

Për personin juridik është e detyrueshme që, përveç të dhënave të nënshkruesit, në faturën për arkëtim të plotësohen, gjithashtu, emri i personit juridik (shoqërisë) dhe NIPT/NUIS. Pas verifikimit për plotësimin e të dhënave të plota, banka, në zbatim të marrëveshjes dypalëshe me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë pranon të kryejë arkëtimin, duke evidentuar llojin e të ardhurës, si dhe kodin e institucionit, sikurse është përcaktuar në “Faturën për arkëtim”, në bazë të kodit të të cilave do të kryhet kontabilizimi në sistemin informatik financiar të qeverisë (SIFQ). Llogaritja dhe arkëtimi i tatimit 5% për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme të personave juridikë bëhet nga drejtoritë rajonale tatimore përkatëse. Ky tatim llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së rivlerësimit dhe vlerës kontabël të pasurisë së regjistruar në pasqyrat financiare të vitit 2019. Banka transferon arkëtimet në llogaritë bankare përkatëse në emër të degës së thesarit të çdo rrethi, për çdo drejtori rajonale tatimore, sipas kodeve përkatëse të çdo drejtorie. Drejtoritë rajonale tatimore, çdo muaj, bëjnë rakordimin me degën e thesarit për arkëtimet e kryera, në përputhje me këtë udhëzim. Në raste të derdhjeve gabim të tatimit të rivlerësimit për individët dhe detyrimit për të kthyer tërësisht ose pjesërisht shumën, drejtoritë vendore të ASHK-së hartojnë dokumentacionin justifikues për kthimin e shumës tek individi, pas kërkesës së individit. Në rast se individi paraqet kërkesën për kthim shume, brenda datës 10 të muajit pasardhës, drejtoria vendore e ASHK-së bën drejtpërdrejt kthimin e shumës së arkëtuar gabim. Nëse është tejkaluar ky afat dhe të ardhurat kanë kaluar në buxhetin e shtetit, kërkesën individi duhet ta paraqesë për kthimin e shumës së mbajtur gabim pranë drejtorisë tatimore përkatëse. Në funksion të kthimit të shumës së mbajtur gabim, drejtoria vendore e ASHK-së dërgon dokumentacionin justifikues provues pranë drejtorisë tatimore përkatëse, e cila, pas administrimit të dokumentacionit kthen shumën e mbajtur gabim tek individi.

Flet juristja e Kadastrës, Aida Gedaj:

Hapat që duhet të ndjekin qytetarët për rivlerësimin e pronës:

Rivlerësimi i pasurive të paluajtshme kryhet në dy mënyra, përmes portalit qeveritar e-albania dhe me aplikim në zyrat e Kadastrës. Për të përfituar nga rivlerësimi, pasuria duhet të jetë e regjistruar në Kadastër apo të jetë i pajisur me leje legalizimi. Përllogaritja e tatimit kryhet nga specialistët e ASHK-së, në bazë të çmimit të zonës ku ndodhet pasuria. Kjo është në mënyrë të përmbledhur rruga që duhet të ndjekë një qytetar për rivlerësimin e pasurisë së tij, thotë në një intervistë për gazetën “Fjala” Aida Gedaj, specialiste pranë Sektorit të Çështjeve Juridike dhe të Pronësisë në Drejtorinë Vendore të Ashk-së Zonat e Stimuluara.

Kur nis procesi i rivlerësimit?

Afatet për rivlerësimin e pasurisë janë të miratuara me VKM dhe fillon që nga momenti që i interesuari bën kërkesën në portalin qeveritar e-albania.

Çfarë duhet të bëjë një qytetar që ka një pronë për ta rivlerësuar?

Për të përfituar nga rivlerësimi pasuria duhet të jetë e regjistruar në Kadastër apo të jetë e pajisur me leje legalizimi, më pas individi apo subjekti duhet të ketë një llogari në portalin qeveritar e-albania, ku do të mund të kryejë aplikimin për rivlerësimin e saj.

Cilat janë dokumentet që duhet të paraqesë personi i interesuar për të rivlerësuar pronën?

Dokumentacioni që individët apo dhe subjektet duhet të ngarkojnë në e-albania (në formatin pdf) janë Certifikata e pronësisë, Kopje kartele dhe Kopje e fragmentit të hartës.

Si llogaritet tatimi dhe ku duhet derdhur?

Përllogaritja e tatimit kryhet nga specialistët e ASHK-së, në bazë të çmimit të zonës ku ndodhet pasuria, të miratuar me VKM, pasi është bërë kërkesa nga i interesuari. Këtë përllogaritje qytetari apo subjekti do të mund ta shkarkojë online te “Dokumentet e mia”, në llogarinë e tij tek e-albania. Me shkarkimin e mandatit, i interesuari paraqitet ne bankën e nivelit të dytë apo në Postën Shqiptare për kryerjen e pagesës.

Cilat janë çmimet e referencës sipas zonave?

Në Vendimin nr. 132, datë 7.3.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për metodologjinë për përcaktimin e vlerës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme” pasqyrohen ndryshimet ku përcaktohen me hollësi çmimet që njihen nga shteti për një metër katror të një ndërtese të caktuar, në të gjitha zonat e qarqeve, bashkive dhe qyteteve, duke përfshirë njësitë administrative të Tiranës dhe lagjet e kryeqytetit, çmimet e të cilave variojnë nga njëra-tjetra.

Po personat që kanë më shumë se një pasuri të paluajtshme?

Për personat që kanë më shumë se një pasuri ndiqet e njëjta procedurë, kërkesa për të rivlersuar pasuritë bëhet për secilën prej tyre, për individët është miratuar 3% dhe 5% për subjektet, për çdo pasuri.

Cilat janë procedurat që duhet të ndjekin bizneset për rivlerësimin e pronës?

Ndyshimi i vetëm që kanë subjektet është përqindja e rivlerësimit e cila është 5%. Për sa i përket gjithë procedurës së rivlerësimit, ajo është e njëjtë për të gjithë të interesuarit.

Aplikimi online

Individi ose përfaqësuesi i tij aplikon online për shërbimin e rivlerësimit të pasurisë, nëpërmjet portalit qeveritar e-albania. Në mënyrë që të pajiset me dokumentin zyrtar që pasqyron regjistrimin e rivlerësimit, ai duhet të aplikojë edhe për shërbimin e pajisjes me kopje të kartelës së pasurisë së paluajtshme, ose të vërtetimit (për pasuritë që nuk i janë nënshtruar regjistrimit fillestar). Aplikimi për shërbimet i drejtohet drejtorisë/zyrës vendore të ASHK-së, që është kompetente për territorin ku gjendet pasuria e paluajtshme.
Individi që aplikon online për rivlerësimin e pasurisë, duhet të plotësojë në rubrikat përkatëse të platformës e-albania, të dhënat identifikuese të pasurisë që kërkohet të rivlerësohet. Nëse individi nuk plotëson rubrikat që identifikojnë pasurinë, ai duhet, detyrimisht, të ngarkojë në platformë kopje të skanuar të dokumentit të pronësisë që disponon për pasurinë.
Aplikimi në sportel

Në rastet kur është e pamundur të administrohet aplikimi nëpërmjet portalit qeveritar e-albania, aplikimi kryhet pranë zyrës pritëse (sportelit) në drejtorinë/zyrën vendore kompetente, duke paraqitur “Kërkesën për rivlerësim”. Në mënyrë që të pajiset me dokumentin zyrtar që pasqyron regjistrimin e rivlerësimit, individi duhet të aplikojë edhe për shërbimin e pajisjes me kopje të kartelës së pasurisë së paluajtshme, ose të vërtetimit (për pasuritë që nuk i janë nënshtruar regjistrimit fillestar).

Tatimi për t’u paguar

Tatimi = (3% e bazës së tatueshme)

Baza e tatueshme = (vlera e dalë nga rivlerësimi me çmimet minimale fiskale në fuqi minus vlerën e pasurisë së aktit të regjistruar apo vlerën e rivlerësuar për të cilën është paguar tatimi)

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Financat: Të shtyhet procesi

Rivlerësimi i pronave deri në dhjetor?

Kompensimi dhe trajtimi i pronave

KLSH çon në Prokurori dy ish-drejtues të ATP-së