Edhe ditën e sotme numri i infektimeve në vend nga koronavirusi vijon të mbetet i lartë. Gjatë 24 orëve të fundit u regjistruan 67 raste të reja me Covid-19 dhe 1 humbje jete.
Prej rasteve, 10 janë regjistruar në Shkodër dhe 6 në qytetin bregdetar të Vlorës.
Mësohet se një ndër të prekurit në Shkodër është një personel i degës së Shërbimit Informativ Shtetëror të qytetit, ndërsa tre janë punonjëse në Gjykatën e Apelit të këtij qyteti.
Dyshohet se infektimet në gjykatë janë përhapur, pasi të premten e kaluar u konfirmua punonjësja e parë e prekur me koronavirus në Apel.
Ndërsa nga 6 rastet e Vlorës, bëhet me dije se janë punonjëse të fasonerive.
Katër prej tyre punonin te fasoneria e këpucëve e cila u mbyll dje, ndërsa dy të tjera në një fasoneri tjetër ku një ditë më parë u raportua një i infektuar. Në fasonerinë që u mbyll raportohet për 14 të infektuar.
Aktualisht vijojnë hetimet epidemiologjike për familjarët dhe kontaktet e rasteve të infektuar, për të zbuluar se deri ku është shtrirë zinxhiri i përhapjes së virusit.