Javët e fundit vendi ynë ka regjistruar një rritje të numrit të të infektuarve me COVID-19, por dhe një rritje të numrit të viktimave.
Sipas mjekut të spitalit Infektiv, Pëllumb Pipero ishte e pritshme që të kishim një rritje të rasteve pas heqjes së masave kufizuese, por thekson se numrat aktualë janë përtej pritshmërive dhe kjo gjë është shqetësuese.
“Ishte e pritshme që pas hapjes të kishim një shtim të rasteve, por është përtej prishtmërive tona. Është një lajm që duhet konsideruar shqetësues dhe duhet të jemi të shqetësuar në maksimumin e mundshëm. Të gjithë qyetarët duhet të tregohen të kujdeshshëm. Rreziku nga sëmundja është njëlloj. Nëse ne prekimi nga COVID -19, nëse ne jemi moshë e thyer, kemi sëmundje kronike, rreziku është po njëlloj, sa i takon transmetueshmërisë, ajo është ulur relativisht”, tha Pipero në një nga emisionet shqiptare.
Pipero shtoi më tej se zonat e mbipopulluara me industri fasone janë zonat e nxehta të përhapjes masive të virusit.
“Unë besoj që në të gjithë vendin ka raste, por zonat e mbipopulluara, zonat urbane, si Shkodra, Tirana, Kruja me industrinë fasone kanë rastet më të larta. Sidomos aty ku ka aktivitet ekonomik tek të cilat nuk respektohet protokolli” tha mjeku infeksionist.