MENU
klinika

Burime diplomatike në Bruksel

“BE nuk hap kufijtë me Shqipërinë më 1 korrik”

27.06.2020 - 20:27

Bashkimi Europian nuk ka dhënë ende një qëndrim zyrtar nëse do të hapë kufijtë në datën 1 korrik ashtu si ishte njoftuar dhe siç kishte rekomanduar Komisioni Europian. Por burime diplomatike shqiptare në Bruksel bëjnë me dije se vendim është marrë dhe BE nuk do të hapë kufijtë me Shqipërinë të mërkurën dhe disa vende të tjera. Por gjithsesi Bashkimi Europian do të rishqyrtojë këtë vendim pas dy javësh, në mes të muajit korrik pasi të vlerësojë situatën e covid në Europë.

Burimet e BE-së pohojnë se për një kategori të konsiderueshëm të qytetarëve nuk duhet të vlejnë kufizimet, ku ata shqiptarë që kanë leje qëndrimi në vendet e BE do të lejohen të hyjnë dhe të dalin, lëvizjet për punë sezonale në bujqësi, udhëtimet për studime, për diplomatët, punonjësit shëndetësorë dhe disa kategori tjera. Po ashtu kufizimet nuk do të vlejnë për personat të cilët do të kalojnë tranzit.

Greqia njoftoi këtë të premte çeljen e sezonit turistik duke filluar nga 1 korriku, por kufiri me Shqipërinë do të qëndrojë ende i mbyllur. Shtyrja e hapjes së kufijve tokësore me Shqipërinë ka të bëjë me marrjen e mëtejshme të masave për të mbrojtur vendin nga Covid-19 pas rasteve të fundit të shfaqura në Shqipëri.

Edhe Mali i Zi mbylli kufijtë tokësor me Shqipërinë përveç kalimit tranzit me kushtin që personi që kalon kufirin të ketë bërë tamponin në 48 orët e fundit dhe të jetë negativ.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN