Publikohet një dokument arkivor i nxjerrë nga fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së, që i përket vitit 1982 dhe bën fjalë për një informacion të sekretarit të organizatës bazë të Partisë së redaksisë së gazetës, “Zëri i Popullit”, Fatos Cekodhima, dërguar aparatit të Komitetit Qëndror të PPSH-së. Memorie.al shkruan se bëhet fjalë lidhur me një mbledhje të mbajtur aty, ku është marrë në analizë dhe është disktutuar “qëndrimi liberal në kundërshtim me normat dhe vijën e Partisë”, i kryeredaktorit të saj, Pipi Mitrojorgji, djali i të cilit, kishte për bashkëshorte të bijën e Feçorr Shehut. Raporti përmbledhës i asaj mbledhje, ku organizata bazë e ka “kryqëzuar” kryeredaktorin Mitrojorgji, duke i kërkuar llogari si për krushkun e tij “armik të popullit” ashtu dhe për të birin dhe nusen e tij, që i kishte pranuar në shtëpi, pasi ishte arrestuar Feçorr Shehu…?!
Vetëm pak javë pas ngjarjes së 18 dhjetorit të vitit 1981, kur kryeministri Mehmet Shehu u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit në rrethana misterioze, të cilat dhe sot mbeten ende të pazbardhura plotësisht, në të gjitha organizatat bazë të Partisë, në mbarë vendin, u zhvilluan mbledhje të shumta, ku diskutohej, “nën frymën e fjalës së shokut Enver Hoxha, mbi ‘Tablonë Sinoptike’ për “armikun dhe poliagjentin” Mehmet Shehu”. Në të gjitha këto mbledhje, veç të tjerash, ashtu siç bëhet e ditur edhe nga një mori dokumentesh me siglën “Tepër sekret”, që gjenden në Arkivin Qendror të Shtetit, (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), Arkivin e Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Mbrojtjes, diskutantë të shumtë që kanë marrë fjalën aty, kanë hedhur lloj-lloj akuzash, me të vërteta dhe të pavërteta, shpifje, trillime, thashetheme, intriga, sajesa e të gjitha këto në drejtim dhe kundër ish-kryeministrit të vdekur, Mehmet Shehu, familjes së tij dhe atyre që u konsideruan bashkëpunëtorë të tyre, duke përmendur me dhjetëra emra, ushtarakë, funksionarë të lartë etj.
Po kështu, këto mbledhje u intensifikuan së tepërmi, sidomos pas tetorit të vitit 1982, kur u arrestua edhe ministri i Mbrojtjes, Kadri Hazbiu (i cili për gati tri dekada kishte mbajtur postin delikat të Ministrit të Brendshëm), dhe Ministri i Punëve të Brendëshme, Feçorr Shehu, ku dhe ndaj tyre u përsërit e njëjta tablo, si me ish-kryeministrin Mehmet Shehu. Dhe pas zhvillimit të këtyre mbledhjeve, komitetet e partive të rretheve përkatëse, apo organizatat bazë të Partisë, kanë hartuar një përmbledhje me “problemet më kryesore”, të cilat më pas i’a kanë dërguar Komitetit Qëndror të PPSH-së, duke i siguruar shokët e udhëheqjes se: “ajo punë do të vazhdonte përsëri edhe në të ardhmen”, duke i mbajtur në korrent, për gjithçka që do të dilte lidhur me “armiqtë e popullit”, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Feçor Shehu dhe bashkëpunëtorët e tyre. Kjo ka ndodhur edhe në redaksinë e gazetës “Zëri i Popullit”, në vitin 1982, ku organizata bazë e Partisë e kryesuar nga sekretari i saj, Fatos Cekodhima, është mbledhur dhe ka diskutuar lidhur me “qëndrimin liberal”, të kryeredaktorit të saj, Pipi Mitrojorgji, djali i të cilit, (arkitekt i njohur), kishte për bashkëshorte, të bijën e Feçor Shehut, që tashmë ndodhej i arrestuar në qelitë e “Repartit 313” të Tiranës, duke i’u nënshtruar procesit hetimor dhe duke dhënë llogari para ish-vartësëve të tij, “për veprimtarinë armiqësore”, që ai akuzohej. Për më shumë se çfar është diskutuar në atë mbledhje të organizatës bazë të Partisë të gazetës “Zëri i Popullit” të asaj kohe, na njeh dokumenti në fjalë, që Memorie.al e publikon për herë të parë.
Letra dërguar Komitetit Qëndror për kryeredaktorin e “Zëri i Popullit”
I N F O R M A C I O N
Në mbledhjen e zakonëshme të organizatës bazë të Partisë të datës 15 prill, pasi u diskutua për problemin për të cilin ishte mbledhur, në fund në pikën “të ndryshme”, sekretari i organizatës bazë, njoftoi komunistët mbi çka e kishte informuar shoku Pipi Mitrojorgji, kryeradaktor i “Zëri I Poipullit”, për krushkun e tij, armikun e Partisë e të popullit, Feçorr Shehu.
Me qenëse shoku Pipi vetëm sa kishte njoftuar në fillim sekretarin për arrestimin e Feçorrr Shehut, dhe deri në këtë kohë s’i kishte thënë gjë organizatës, i’u kërkua që ai të fliste rreth këtyre çështjeve në këtë mbledhje të organizatës.
Ju kërkua që të thoshte se “çfarë kishte vënë re gjatë periudhës së njohjes që kishte pasur me Feçorr Shehun”, “pse nuk i kishte shtruar këto gjëra në organizatën e Partisë”, dhe “si mund të shpjegohet fakti, që është marrë në shtëpi, djali dhe nusja e djalit”.
Në fillim shoku Pipi, theksoi se do të ishte më mirë që të më njoftonit më përpara, se kjo çështje do të shtrohej në mbledhjen e organizatës, në mënyrë që të jepte një përgjigjie më të menduar. Sidoqoftë, ai i’u përgjigj pyetjeve, përmbajtja e të cilave në mënyrë të përmbledhur, është e tillë:
Unë kam patur marrëdhënie të rregullta me Feçorr Shehun, por jo në atë shkallë që e kam me krushkun tjetër. Gjatë këtyre marrëdhënieve, unë kam vënë re se ai ishte megalloman, mëndjemadh, patriakal. Këto cilësi ai i ka manifestuar më tepër, pasi është bërë ministër, mua nuk më kanë pëlqyer dhe kjo është arsyeja që ne nuk kishim afinitet më të madh.
Unë nuk i kam thënë këto problem në organizatën bazë, pasi kam menduar se duke vënë në dijeni sekretarin e organizatës, kjo ishte e mjaftueshme. Nga arrestimi i Feçorrit, unë nuk kisha ndonjë shqetësim, prandaj nuk kisha ndonjë arsye që të shjqetësoja edhe organizatën bazë.
Marrja e nuses në shtëpi, pas arrestimit të Feçorrit, shoku Pipi i shpjegoi kështu: “Unë këtë e bëra me qëllim që të psikollogjisja deri në çfarë mase e dënonte të jatin, për të ditur se ç’qëndrim do të mbanim ne ndaj martesës, që ta mbante, apo ta ndante djali. Dhe pas kësaj, ne krijuam bindjen se kjo familje s’duhej të prishet.
Organizata e Partisë, duke i quajtur të pamjaftueshme përgjigjiet për disa çështje të paqarta, i bëri shokut Pipi një sërë pyetjesh. Përmbajtja e tyre është kjo:
Për aq sa e njinit armikun Feçorr Shehu, a nuk kini asnjë gjë t’i thoni organizatës së Partisë? Dhe kjo është detyra juaj si komunist për të ndihmuar Partinë.
Pse ju e morrët djalin dhe nusene në shtëpi, pas arrestimit të Feçorrit? Si e vlersoni këtë qëndrim?
Çfarë porosie i keni dhënë djalit për të reflektuar drejt në organizatën e tij të partisë?
Edhe pas përgjigjieve të pyetjeve, Pipi në thelb nuk shtoi asgjë më tepër nga ato që kishte thënë më parë dhe u mundua të mbronte mendimet e mëparëshme.
Për këto çështje diskutuan 13 veta. Përmbajtja e diskutimeve të shokëve në përgjithësi është kjo:
Të gjithë e quajtën të dëshmshme të dënueshme tendencioze, që Pipi nuk e pa të nevojshme që të vinte në dijeni organizatën e Partisë, për këtë çështje që është në kundërshtim me normat e Partisë, qëndrimin pasiv dhe indiferent ndaj organizatës.
Unanimisht shokët kritikuan Pipin për marrjen në shtëpi të vajzës së armikut të Partisë e të popullit, Feçorr Shehut, menjëherë pas arrestimit të tij, si një qëndrim jo revolucionar, por senitimental të zbutjes së luftës së klasave.
Shokët e kritikuan për mungesë të sinqeritetit dhe jo korrektësie ndaj organizatës-bazë të Partisë, i cili edhe në këtë mbledhje, u mundua të fliste brenda kornizave të paramenduara dhe me qëndrime kontradiktore.
Njëkohësisht shokët kritikuan rëndë Pipin dhe për disa të meta të punës, për shfaqje burokratike në metodën e punës si kryeredaktor. Ndër kryesorët këtu ishte qëndrimi disa herë mospërfillës ndaj mendimit të shokëve, mosmarrja sa duhet të mendimeve të organizatës për problemin e kuadrit, për shfaqje teknokratike, për lidhjet me korrespodentët vullnetarë, ai vepronte me kokën e tij, si dhe për ndryshimin e rubrikave.
Në fund të mbledhjes, shoku Pipi bëri disa plotësime, duke u përpjekur të reagonte drejt. Ai tha se nuk e kam gjykuar me pjekuri për të njoftuar organizatën për çështjen që u diskutua dhe se marrja në shtëpi e nuses së djalit dhe të djalit, është qëndrim i gabuar, i nxituar, i papeshuar nga pikpamja ideologjike, qoftë për funksionin tim si kryeredaktor i “Zëri të Popullit”, qoftë për eskperiencën time të gjatë si komunist, si veprim që bie në kundërshrtim edhe me opinionin shoqëror.
Oraganizat e Partisë arriti në përfundim se këto veprime të gabauara të shokut Pipi Mitrojorgji, nuk i përgjigjen nivelit të detyrës si kryeredaktor, prandaj unanimisht vendosi t’ia propozojë nomeklaturës, që ta shikojë qënien e tij si kryeredaktor i “Zërit të Popullit”.
SEKRETARI I ORGANIZATES BAZË
TË PARTISË TË “ZËRIT TË POPULLIT”
(Fatos Cekodhima)
Tiranë, 16.4.82/Memorie.al