MENU
klinika

Rrëzimi i avionit në ’82-in në pistën e Gjadrit

Si humbi jetën mes flakëve, piloti Luto Sadiku

05.07.2020 - 11:23

         Publikohet historia e panjohur e pilotit Luto Sadiku të diplomuar në shkollën ushtarake “Skënderbej” në Tiranë dhe atë të Aviacionit Luftarak në Vlorë, i cili u dërgua edhe për një specializim në Republikën Popullore të Kinës, ku u perfeksionua për drejtues i avionëve reaktiv “Mig-19”, që asokohe ishin nga më të sofistikuarit në ushtritë e vëndeve komuniste më të fuqishme, si Kina, Bashkimi Sovjetik, etj. Memorie.al sjell dëshminë e rrallë të Vasil Micit, ish-ushtarak i Aviacionit Luftarak, shok e mik i afërt i Luto Sadikut, lidhur me avarinë e rëndë në shtatorin e vitit 1975 kur po zhvillohej një stërvitje e madhe, ku, teksa Luto Sadiku ishte duke fluturuar natën në lartësinë 4.000 m., atij i ndodhi një avarai e rëndë, dhe ai mundi që ta shpëtonte avionin, duke e ulur në brezin e butë, ndonëse kishte marrë urdhërin e prerë për t’u hedhur me katapultë. Si dhe ngjarja tjetër e 27 marsit të vitit 1982, ku Luto humbi jetën në mënyrë tragjike, i zhytur nga flakët e avionit të tij luftarak “Mig-21”, pak minuta pasi u ngrit në fluturim në aerodromin luftarak të Gjadrit, ku version zyrtar, ishte “prej avarisë që pësoi avioni, pasi i’u fut një shpend në motorr”. Por ndryshe nga version zyrtar, xhaxhai i tij, kolonel Idriz Seit Sadikaj, tregon se: “Luton e eliminoi Sigurimi i Shtetit, pak kohë pas arrestimit të tim, si ‘armik i popullit dhe bashkëpunëtori më i ngushtë i Mehmet Shehut’, dhe ‘shpendi në motorr’ ishte thjesht një ‘legjendim’ nga ato që bënte jo rrallë Sigurimi”!


“Më kujtohet si tani ai mëngjes i 27 marsit të vitit 1982, kur ndodhi ngjarja tragjike me kolegun tone, Luto Sadiku, i cili në atë kohë mbante detyrën e Komisarit të Regjimentit në aerodromin e Gjadrit. Në atë kohë unë shërbeja si shef i avarisë pranë atij reparti dhe si çdo mëngjes kisha nxjerrë automjetin e shpëtimit të avarive në fund të pistës, ashtu siç e parashikonte dhe instruksioni përkatës në raste fluturimesh. Rreth orës 8.30, teksa isha duke punuar me një mekanizëm diku në fillim të pistës, dëgjova një zhurmë avioni sipër kokës sime dhe menjëherë ngrita sytë lart dhe pashë një shpërthim flake, që u shoqërua me një zhurmë plasëse shumë të fortë. Ndërkohë avioni që ishte në një lartësi rreth 50 metra nga toka, bëri një ulje të ç’rregullt jo në pistë, por në brezin e butë, diku në fund të saj. Gjatë asaj ulje të detyruar, ai avion luftarak eci rrëshqanas për rreth 200 m. dhe përfundoi diku në fundin e pistës, në brezin e butë. Gjatë asaj rrëshqitje, avionit i’u thye njëri nga krahët dhe përfundoi me pjesën e përparme të ngulur në tokë. Unë menjëherë mora makinën e avarisë dhe u nisa për në drejtim të avionit që ishte në ekstremin tjetër të pistës dhe sa u afrova, u thirra dy fshatarëve që po vinin drejt nesh që të ndalonin, pasi u dëgjuan plasjet e predhave luftarake që kishte avioni”. Njeriu që flet dhe dëshmon për Memorie.al, është Vasil Mici, ish-ushtaraku në Aerodromin e Gjadrit, i cili rrëfen historinë tragjike të kolegut të tij, Luto Sadiku, Komisarit të Regjimentit, që u dogj i gjallë atë mëngjes marsi të vitit 1982, teksa ishte ngritur me avionin e tij për të kontrolluar qiellin, para fluturimit të vartësve të tij pilotë.

Kush ishte Luto Sadiku, ku ishte shkolluar ai dhe cila ishte karriera e tij ushtarake, deri në atë ditë fatale që humbi jetën i zhuritur nga flakët që përpinë avionin e tij luftarak? Përse u ngrit Luto në fluturim atë mëngjes marsi dhe çfar ndodhi në avionin e tij që e detyroi të bënte uljen e menjëhershme në brezin e butë? Çfar difektesh të tjera i kishin ndodhur atij vite më parë dhe si kishte mundur ai që të shpëtonte avionin duke bërë ulje të detyruar, ndonëse kishte marë urdhër të prerë që të hidhej me katapult? Lidhur me këto e ngjarjen tragjike të pilotit Luto Sadiku, tregon për herë të parë shoku e kolegu i tij, Vasil Mici.

Kush ishte Luto Sadiku?

Luto Sadiku lindi më 1 shkurt të vitit 1944, në fshatin Çorush të Mallakastrës, prej nga është dhe origjina e familjes së tij, nga më të njohurat të asaj krahine. Pas mbarimit të shkollës 7-vjeçare në fshatin e tij të lindjes, në vitin 1960, ai erdhi në Tiranë dhe u rregjistrua në shkollën ushtarake “Skënderbej”, me dëshirën për të dalë oficer, ashtu si shumë të tjerë nga familja dhe fisi i tij. Gjatë periudhës që ishte skënderbegas, Luto u aktivizua me ekipin e të rinjëve të futbollit të ekipit “Partizani”. Lidhur me këtë, Vasil Mici kujton: “Me Luton kemi qenë bashkë që në shkollën “Skënderbej”. Ai, që kur erdhi në vitin e parë, bëri përshtypje nga të gjithë ne të tjerët, jo vetëm për fizikun e tij muskuloz, por edhe për talentin e tij si futbollist. Nisur nga kjo që në vitin e parë të shkollës, ai u angazhua me ekipin e të rinjëve të “Partizani”-t që asokohe pjesën më të madhe të lojtarëve e kishte nga shkolla “Skënderbej”. Unë si shok që e kisha, kam pasur rastin që ta ndiqja në disa ndeshje futbolli ku ai shquhej për gjuajtjet e tij tepër të forta. Disa nga trainerët e asaj kohe, kishin shfaqur interesin e tyre për ta përfshirë Luton në ekipet e tyre, duke e konsideruar atë si një nga futbollistët më të talentuar dhe me të ardhme. Por pas mbarimit të shkollës, ndonëse pati mjaft oferta për të vazhduar angazhimin me futbollin, Luto nuk i frekuentoi më fushat e blerta, pasi pasioni i tij ishte aviacioni”, kujton ish-shoku i tij Vasili. Pasi e mbaroi shkollën “Skënderbej” me rezultate të larta, në vitin 1964, Luto Sadiku u dërgua që të vazhdonte më tej studimet në Shkollën e Lartë të Forcave Ushtarake Ajrore në Vlorë, të cilën ai e përfundoi po me rezultate të larta në vitin 1966, dhe pasi u emërua oficer, bëri dhe një kurs specializimi në Kinë.

Si e uli avionin me difekt?

Pas kthimit nga Kina ku ai u specializua për pilot të avionëve luftarak “Mig”, Luto u emërua në Regjimentin e Rinasit. Lidhur me karrierën ushtarake të Lutos si pilot, ish-shoku i tij Vasili, kujton: “Që në fillimet e karrierës së tij ushtarake si pilot, Luto u dallua nga të gjithë kolegët e tij, për pasionin e madh dhe korektesën profesionale në punë. Ai ishte skrupuloz në plotësimin e detyrave dhe si të thuash kishte lindur për ushtarak. Luto ishte i pari nga shokët e tij të kursit, që mori të drejtën për drejtimin e avionit luftarak “Mig-19”. Ai e nisi karrierën e tij si aviator, që nga pilot helike (avion tip i vjetër me helikë) dhe më pas me avionët reaktiv, që nga “Mig-15” (prodhim rus) e me rradhë deri në “Mig-21”, që në atë kohë ishin nga më të sofistikuarit. Një nga ngjarjet dhe momentet më delikate që i ndodhi asokohe Luto Sadikut, ishte ai i shtatorit të vitit 1975, kur ai bëri një ulje të detyruar me avionin e tij, gjë e cila bëri bujë të madhe në të gjithë Forcat Luftarake Ajrore. Në atë kohë, Luto shërbente si pilot i avionit luftarak “Mig-21” dhe gjatë një stërvitjeje të madhe ushtarake, e cila zhvillohej natën, ai mori urdhërin për t’u ngritur në qiell. Teksa ishte duke fluturuar në lartësinë mbi 4.000 m, atij i ndodhi një difekt i rëndë dhe i pariparueshëm. Nga shpejëtsia e madhe e avionit, atij i’u ça shllangu i hermetizimit të fanarit (pjesa e mbulesës prej xhami ose siç quhet ndryshm, kapaku që ndodhet sipër kokës së pilotit) dhe si rezultat i saj, i gjithë fanari (kapaku) u shkëput nga trupi i avionit dhe ai mbeti i zbuluar. Ky lloj difekti mbahej mënd të kishte ndodhur vetëm njëherë në historinë e forcave tona ajrore, me pilotin Dhimitraq Robo, i cili u hodh me katapultë por pa sukses…! Duke e ditur difektin e rëndë, kulla e komandimit mori urdhër nga drejtuesit e stërvitjes, që t’i komunikonin Lutos, të braktiste menjëherë avionin dhe të hidhej me katapultë. Kjo duhej bërë, sepse nga shpejtësia e madhe që kishte avioni dhe mungesa e fanarit që kishte rënë në tokë, i gjithë ajri i përplasej Lutos direkt në fytyrë dhe me një presion të madh. Në atë lloj difekti, nga presioni i madh i ajrit dhe temperaturat e ulët në atë lartësi të madhe, piloti bëhet akull dhe jeta i vihet në pikëpyetje. Duke u nisur nga kjo gjë, Luton e urdhëruan që të mos e diskutonte më urdhërin, por ta linte avionin dhe të hidhej me katapultë. Vetëm katapultimi, mund t’ia shpëtonte jetën pilotit në atë çast. Kjo gjë duhej bërë, pasi instruksioni i fluturimit nuk e lejonte uljen pa fanar dhe ajo gjë as që mendohej. Po Luto Sadiku, bëri tamam atë gjë që nuk e kishte menduar asnjeri. Ai e uli avionin luftarak pa fanar, në brezin e butë të aerodromit dhe kur i shkuan shokët e grupit të avarisë, e gjetën atë pothuajse në gjëndje kome, dhe të bërë akull. Ai u përmënd vetëm në spital”, kujton Vasil për ish kolegun e tij, duke shtuar se bëri një mrekulli të vërtetë, duke shpëtuar veten e tij dhe avionin. Asokohe ajo ngjarje bëri bujë të madhe, dhe u kujtua për shumë kohë nga pilotët e Forcave Ushtarake Ajrore të Shqipërisë.


Si u rrëzua avioni i Lutos?

Pasi punoi për disa vite në Regjimentin e Aviacionit Luftarak të Rinasit, aty nga viti 1978, Luto Sadiku u transferua në Regjimentin e Gjadrit. Duke parë përgatitjen e tij të lartë profesionale, dhe korrektesën shëmbullore në punë, atë e emëruan në detyrën e komisarit të atij regjimenti. Ndërsa kishte katër vite që shërbente pranë atij regjimenti të aviacionit, në marsin e vitit 1982, Lutos i ndodhi një avari tjetër me avionin e tij, nga e cila nuk mundi që të shpëtonte dot. Lidhur me këtë, ish kolegu i tij Vasil Mici, tregon: “Më kujtohet si tani ai mëngjes i 27 marsit të vitit 1982, kur ndodhi ngjarja tragjike me shokun dhe kolegun, Luto Sadikun. Në atë kohë unë shërbeja si shef i avarisë pranë regjimentit ajror të Gjadrit dhe si çdo mëngjes kisha nxjerrë automjetin e shpëtimit të avarive në fund të pistës, ashtu siç e parashikonte dhe instruksioni përkatës në raste fluturimesh. Aty rreth orës 8.30, teksa isha duke punuar me një mekanizëm diku në fillim të pistës, dëgjova një zhurmë avioni sipër kokës sime dhe menjëherë ngrita sytë lart dhe pashë një shpërthim flake që u shoqërua me një zhurmë plasëse, shumë të fortë. Ndërkohë, avioni që ishte në një lartësi 50 metra nga toka, bëri një ulje të çrregullt, jo në pistë, por në brezin e butë diku në fund të saj. Gjatë asaj ulje të detyrueshme, ai avion luftarak eci duke rrëshqitur për rreth 200 metra dhe përfundoi diku në fundin e brezit të butë. Gjatë asaj rrëshqitje, një nga krahët e avionit u thye, dhe ai përfundoi me pjesën e përparme të ngulur në tokë. Unë menjëherë mora makinën e avarisë dhe u nisa për në drejtim të avionit që ishte në ekstremin tjetër të pistës, dhe porsa u afrova në një distancë 50 metra, pashë një njeri me kokore, dhe me një kovë ujë, i cili po mundohej që të shuante flakët. Në atë çast unë shtanga në vend, pasi filluan që të dëgjohehsin shpërthimet e para të predhave që ishin brënda avionit. Në atë moment, i’u drejtova njeriut me kokore, (që e pandeva si pilotin e avionit), duke i thënë që: të ikte shpejt, sepse predhat do të shpërthenin nga çasti në çast. Ndërsa vetë u fsheha diku në një transhe afër pistës, afër meje u afrua njeriu me kokore dhe me kovën me ujë në dorë. Kur e pashë u trondita, sepse ai nuk ishte piloti, ashtu siç e kisha menduar unë, por ishte një fshatar që banonte aty afër dhe djali i tij ishte kolegu ynë. Ndërkohë që fshatari po mundohej që të shuante zjarrin, shpërthyen predhat, ku disa prej të cilave, fluturuan mbi kokat tona. Në atë moment aty erdhi zjarrëfiksja e repartit tonë dhe me gjithë shokët e tjerë, të cilët filluan që të mbulonin avionin me presionin e tubave të ujit”, kujton Vasili, momentin e djegies së shokut të tij dhe komisarit të repartit, Luto Sadikut.

Vdekja tragjike, i djegur nga flakët

Ç’kishte ngjarë me avionin e komisarit dhe pilotit Luto Sadiku, dhe përse u rrëzua ai në atë mëngjes marsi të vitit 1982? Lidhur me këtë, Vasil Mici kujton: “Atë mëngjes, Luto ishte çuar në fluturim për të kontrolluar qiellin dhe motin, pasi pas tij, atë ditë do të fluturonin edhe pilotë të tjerë. Por pasi avioni u ngrit në një lartësi jo më shumë se 50 metra nga toka, në kanalet e hyrjes së ajrit, i’u fut një nga shpendët që fluturonin shpesh sipër pistës së aerodromit. Shpendi që u fut brënda, goditi kanalet hyrëse të ajrit, goditi lopatat e kompresorit, dhe i shkatërroi ato. Si rezultat i kësaj, sasia e ajrit që u fut aty ishte e pakët dhe ajo gjë shkatërroi motorrin e avionit, të cilin Luto nuk kishte më asnjë lloj mundësie që ta komandonte”. Ndërsa rrëfen bisedën, miku i tij Vasili, emocionohet, dhe kujton të tjera fakte lidhur me këtë ngjarje tragjike. “Ndërsa, presioni i ujit të zjarrfikëses binte pa pushim mbi avionin e përfshirë nga flakët, Luto Sadiku që ndodhej brënda, nxorri njërën këmbë, dhe pjesën tjetër të trupit jashtë. Në atë moment, ne u gëzuam, sepse kujtuam se doli gjallë, por ai nuk lëvizi më. Ndërkaq të gjithë shokët vrapuan që ta ndihmonin, por ai kishte mbaruar. Rrobat e tij prej meshini ishin shkrumbuar plotësisht dhe nga i gjithë trupi vazhdonte të dilte flakë”, kujton i përlotur, Vasil Mici, atë ngjarje tragjike të vitit 1982. Të nesërmen, të gjithë shokët e Lutos, shkuan për ngushëllim në familjen e tij në Tiranë, ku ndodhej bashkëshortja, Rita së bashku me dy vajzat e vogla, Gresën 9 vjeçe dhe Enin 18 muajshe që qante pa pushim, duke kërkuar babain e tyre.

Xhaxhai i Lutos: Atë e vranë, pasi më arrestuan mua…

Ngjarja e rrëfyer më lart nga Vasil Mici, ish-shok, mik dhe koleg i Luto Sadikut që humbi jetën tragjikisht në 27 mars të vitit 1982, është dhe versioni që tregojnë edhe të gjithë shokët e tjerë kolegë të Lutos. Pra duke e konsideruar atë ngjarje, thjesht si një aksident tragjik që erdhi pas atij difekti teknik që pësoi avioni në motorrin e tij, pasi aty u fut një shpend nga ata që fluturonin shpesh në qiellin e atij aerodromi ushtarak në fushën e Gjadrit. Por ndryshe prej tyre, xhaxhai i Luto Sadikut, kolonel Idriz Seit Sadikaj, ish-ushtarak i lartë i Ministrisë së Brendëshme dhe i Sigurimit të Shtetit nga viti 1945 e deri në vitin 1982, (ku ka mbajtur disa detyra të larta deri drejtor drejtorie), kur ai u arrestua dhe u dënua me 15 vite burg politik, i akuzuar si “bashkëpunëtori më i ngushtë i kryeministrit Mehmet Shehu”, e hedh poshtë versionin zyrtar, se: Luto Sadiku humbi jetën nga një avari që pati avioni i tij. Në një dëshmi publike të tij në shtyp për autorin e këtij shkrimi, Idriz Seiti, ka rrëfyer duke treguar se aksidenti ku humbi jetën nipi i tij, (djali i vëllait), Luto Sadiku, ishte i kurdisur nga Sigurim i Shtetit, me urdhër nga “lart”, pasi: “Luto nuk mund të qëndronte më në atë detyrë, kur unë xhaxhai i tij, isha arrestuar dhe po dënohesha si ‘armik i popullit dhe bashkëpunëtori më i ngushtë i kryeministrit, Mehmet Shehu! ‘Shpendi në motorrin e avionit’, ishte thjesht një ‘legjendim’ nga ato që ‘prodhonte’ jo rrallë Sigurimi i Shtetit, ku kam shërbyer dhe unë në rangjet më të larta nga viti 1945 deri në 1982-in, për të eliminuar fizikisht dhe pa zhurmë, njerëz dhe kuadro të tyre, që për një arsye apo tjetër, nuk mund të qëndronin më në ato detyra që kishin. Por as dënimi i tyre me burg, nuk mund të bëhej, pasi ata kishin qenë tepër korrekt në detyrat dhe punët e tyre, e gjithashtu besnikë të Partisë, pasi ajo gjë, pra dënimi i tyre, nuk do përtypej lehtë, si nga kolegët e tij ashtu dhe nga opinioni. Kështu u veprua me gjeneral-major Hilmi Seitin, kolonel Myslym Ketën, e shumë të tjerë para tyre. Dhe një nga ata, ishte dhe nipi im, Luto Sadiku”./Memorie.al

Pilotët shqiptarë që humbën jetën duke të rënë në krye të detyrës

Ibish Vokshi
Qemal Mërtiri
Fuat Sulaj
Islam Xhani
Beir Hila
Islam Beqo
Vasil Trasha
Peço Polena
Hektor Lako
Niko Hoxha
Stilian Tanka
Jovan Kaçorri
Kaso Petoshati
Islam Mani
Bego Hoxha
Dhimitër Robo
Luto Sadiku
Hazbi Serani
Sokrat Basha
Sefedin Tomçini
Sabri Toçi
Idriz Hoxha
Veiz Kovaçi
Veledin Resuli
Tafil Aga
Ndue Logu
Vangjel Postoli
Agron Galanxhi
Pandi Xhumba
Enver Haka
Refik Jazo
Muharrem Hida
Jorgji Fane
Riza Hoxha
Jani Tarifa
Vangjel Çondi
Qemal Koni
Demush Heba

/Memorie.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Francezë e shqiptarë - njëqind vjet pas luftës

100 vite nga Lufta e I Botërore në Shqipëri

Dossier/ 100 vjetori i armëpushimit

Letra shqip, nga fronti i luftës së parë