Epidemia e Covid-19 e ka rrëzuar besimin në ekonomi në nivelin më të ulët historik. Vrojtimi periodik i Bankës së Shqipërisë tregon se për tremujorin e dytë treguesi i ndjesisë ekonomike pësoi rënie me mbi 50 pikë, duke shkuar më poshtë se kurrë më parë, që nga viti 2002, kur Banka e Shqipërisë nisi matjen e tij. Pothuajse të gjithë sektorët kanë prekur nivelin më të ulët të këtyre 18 viteve.
Rënia më e fortë u regjistrua në sektorin e shërbimeve, ku treguesi i besimit ra me pothuajse 57 pikë përqindje. Shërbimet ishin ndër sektorët më të prekur nga mbyllja e ekonomisë gjatë periudhës mes marsit dhe majit. Përkeqësimi pasqyroi rënien e të dy komponentëve përbërës të tij, balancës së ecurisë së biznesit, me 58 pikë përqindje, dhe balancës së kërkesës, me 55 pikë përqindje.
Treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit ra me 29.5 pikë përqindje, duke u zhvendosur edhe më poshtë mesatares së tij historike. Tkurrja pasqyroi kryesisht rënien e balancës së aktivitetit ndërtues me 51 pikë përqindje.
Treguesi i besimit në sektorin e industrisë thelloi rënien gjatë tremujorit të dytë, duke rezultuar 24 pikë përqindje më poshtë nivelit të një tremujori më parë.
Besimi në këtë sektor ra nën mesataren afatgjatë të saj për të parën herë pas 6 vitesh dhe shënoi nivelin më të ulët historik. Kontraktimi i fortë i atribuohet kryesisht rënies së balancës së prodhimit, me 51 pikë përqindje.
Treguesi i besimit në sektorin e tregtisë ra me gati 20 pikë përqindje gjatë tremujorit të dytë dhe dinamika rënëse u përcaktua pothuajse tërësisht nga rënia e balancës së ecurisë së biznesit me 38 pikë përqindje.
Treguesi i besimit konsumator thelloi tendencën rënëse gjatë tremujorit të dytë, duke shënuar gjithashtu nivelin më të ulët historik në kohë. Rënia pasqyroi përkeqësimin e të katër komponentëve përbërës të treguesit dhe sidomos situatës së përgjithshme ekonomike të pritur në vend, me 10 pikë përqindje dhe balancës së situatës financiare të pritur të familjes, me 8 pikë përqindje.