Teuta ka marrë fitoren e katërt radhazi, duke mposhtur në Durrës 1-0 ekipin e Skënderbeut. Me këtë sukses durrsakët mbajnë vendin e tretë në renditje, ndërsa Skënderbeu pëson humbjen e katërt radhazi dhe futet në krizë.
Ndeshja nisi vrullshëm nga vendasit që rrezikuan disa herë portën e juglindorëve. Kallaku do të trondiste traversën nga goditja e dënimit, ndërsa më vonë do të ishte Koliçi ai që do të bënte heroin me pritjen e tij.
Nëse e para përfundoi me rrjeta të paprekura, në 45 minutat e dyta të lojës ka qenë Sherif Kallaku ai që ka zhbllokuar shifrat, duke nisur kështu festën te Teuta. Dedikimi shkoi i gjithi për Emiljano Vilës, i cili humbi babain e tij pak ditë më parë.
Teuta merr kështu fitoren ndaj Skënderbeut dhe bashkë me të edhe vendin e 3-të në kampionat, që është edhe objektivi i skuadrës për këtë sezon, që të con në Europa League.