Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastriliu deklaroi sot se Task-Forca antiCOVID ka intensifikuar kontrollet dhe monitorimet në terren sa i takon faktit nëse protokolli i sigurisë gjen zbatim në terren.
Ministrja nga Vlora paralajmëroi bizneset se do të marrin 700,000 lekë gjobë deri në mbyllje aktiviteti, nëse nuk zbatojnë rregullat në zonat bregdetare.
“Task-Forca antiCOVID është duke punuar në të gjithë Shqipërinë, sidomos përgjatë zonave turistike, duke filluar nga Shkodra në Sarandë. Nuk ka tolerancë për askënd që shkel ligjin. Kemi miratur përsëri disa shtesa dhe ndryshime në aktin normativ, ku kemi vendosur masa administrative të shtuara për të gjitha ato subjekte, të cilët administrojnë stacione të plazhit apo subjekte akomoduese, masën me gjobë 700 mijë lekë dhe është vendosur masa e pezullimit në rast të përsëritjes së shkeljeve”,– tha Manastriliu.
Ministrja e Shëndetësisë kërkoi vigjilencën e të gjithë strukturave të Task-Forcës për respektimin e masave, për mbajtjen e maskave në transportin publik apo aktivitete të tjera me risk të lartë dhe kontrollet në aktivitetet që janë ende të ndaluara, si, klubet e natës apo grumbullimet masive.
“Policia e shtetit, inspektoriatet dhe e gjithë Task-Forca duhet të ketë një vëmendje të shtuar tek klubet që ushtrojnë veprimtarinë në orët e darkës, të cilat janë të ndaluara. Dhe po e përsëris për të gjitha subjektet, për ato bare restorante që ofrojnë shërbime në orare të zgjatura, duhet që të mos ketë tolerancë në rast të mos respektimit të rregullave të distancimit fizik, mbajtjen e maskave në shërbim, higjienën, etj. Transporti publik po ashtu ka filluar. E di që keni bërë një punë të mirë deri tani. Besoj do të kemi edhe një strukturë të dedikuar të bashkisë, policisë bashkiake për të garantuar që qytetarët të vendosin maskat, pra ata të cilët aksesojnë transportin publik dhe sigurisht ata që shërbejnë në të gjitha këto aktivitete”, pohoi Manastirliu.