MENU
klinika

Për shpëtimin e ekonomisë së Shqipërisë!

Projektimi i së ardhmes post-Covid bizneset dhe forcat politike

12.07.2020 - 15:21

Shpërthimi i virusit në mbarë botën prodhoi dy gara; atë të gjetjes së ilaçeve ekzistuese që mund të kenë efekt në shërimin e tij, dhe atë gjetjes së një vaksine parandaluese në të ardhmen. E njëjta gjë po ndodh me ekonominë!

Ashtu si në shumë vende të tjera të botës, sfida që po paraqitet është ajo e gjetjes së mënyrave për të kapërcyer pasojat ekonomike që solli ndalimi i çdo aktiviteti social dhe ekonomik si rrjedhojë e vendosjes së karantinës. Si shumë vende të tjera, edhe Shqipëria gjendet mes diskutimeve të ekspertëve nëse duhen ndjekur rrugë të shkelura më herët për rindezjen e ekonomisë apo duhen gjetur shtigje të reja, të paprovuara më parë.

Në kushtet kur parashikohet një rënie me -5 % këtë vit e ekonomisë, grupet e biznesit kanë shpejtuar për të kërkuar për të bërë llogaritë e tyre e për t’i propozuar qeverisë masat që ata mendojnë se duhen marrë për t’u ardhur në ndihmë. Për atë që është në qeverisje, masat e propozuara janë padyshim jo të gjitha të arsyeshme pasi efekti i tyre do të sillte një “shterrim” të arkës së shtetit.

Megjithatë një pjesë e mirë e tyre mund të merren në konsideratë, për t’u reflektuar në programe qeveritare e për të gjetur më pas hapësirën konkrete në aktet apo ligjet fiskale të vendit. Nga ana tjetër, subjektet politike, në pushtet dhe opozitë, janë detyruar që të rishikojnë programet e tyre elektorale.

Opozita u qëndron të njëjtave premtime e angazhimeve të bëra në programin ekonomik të një viti më parë, por duke reflektuar e sjellë zgjidhje për kapërcimin e vështirësive të krijuara. Ndërkohë, qeveria ka paralajmëruar një program të ri të emërtuar “Shqipëria 2030” me masa, të njoftuara si të “pazakonta”.

Disa propozime nga biznesi

Në muajin prill të këtij viti, organizatat e biznesit në vend u bashkuan në Këshillin e Investimeve që të diskutojnë mbi pasojat e COVID mbi ekonominë dhe në këtë kuadër, dhanë edhe propozimet e tyre. Një pjesë e propozimeve ishin afatshkurtëra dhe lidheshin vetëm me kapërcimin e pasojave të karantinës mbi ekonominë.

Ndërsa një pjesë tjetër e këtyre propozimeve, ishin afatmesme. Një ndër paralajmërimet që shoqatat e biznesit dhe partnerët e tyre bënë ishte se turizmi dhe industria ushqimore kanë gjasa të pësojnë ndryshime të thella.

Ndaj, qeverisë iu kërkua që të shpejtojë pasi “tani është koha për të filluar të mendohet se si Shqipëria do të mund të përfitojë sa më shumë nga këto mundësi”. Në këtë kontekst, zinxhirët e furnizimit global do të shkurtohen dhe shumë prodhues evropianë pritet të afrojnë prodhimin më pranë vetes. Në këtë rast, Shqipëria mund të përfitojë nga delokalizimi i bizneseve europiane për shkak të afërsisë, krahut të lirë të punës dhe barrës fiskale favorizuese.

Në listën e propozimeve ishte gjithashtu që momenti i krijuar të shfrytëzohej për të forcuar prodhimin/konsumin/turizmin “Made in Albania” e për këtë u kërkua edhe organizimi i fushatave sensibilizuese për ta ndërmarrë këtë iniciativë.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe zinxhirit ushqimor, ku presioni mbi të ka prodhuar ndër të tjera edhe luhatje çmimesh. Propozimi në këtë rast është për mbajtjen nën kontroll të çmimeve të lëndëve të para si misri, gruri, soja etj pasi rritja e këtyre çmimeve do ketë impakt negativ tek zinxhiri i agrobiznesit dhe blegtorisë në tërësi. Në këto diskutime pati edhe propozime që bankat, shteti dhe bizneset të ndajnë riskun e humbjeve dhe që PPP–të që ende nuk janë aktive të rishikohen e të shtyhen për një periudhë 1-2 vjeçare.

Një propozim tjetër ishte ai për pezullimin për një periudhe 1.5 vjeçare (deri në tetor 2021) të taksës prej EUR 10 për pasagjer, e cila vlerësohet se do të hiqte një barrë të madhe financiare dhe do të ndihmonte. Në listën e propozimeve, ra në sy edhe kërkesa për një “pakt social” për t’iu ardhur në ndihmë të gjitha kompanive të mbyllura dhe atyre që vijojnë të funksionojnë; pra një mbështetje për çdo biznes, pa ndarje fashe dhe kategorie.

Masat e sugjeruara nga Sektori i Bujqësisë

Në muajin qershor u zhvillua një mbledhje tjetër e Këshillit të Investimeve ku përfaqësues nga sektorët kryesorë të ekonomisë depozituan propozimet e tyre. Përfaqësuesit e sektorit të Bujqësinë kanë kërkuar përgjysmimin e taksës së pronës për magazinat e ruajtjes së bimëve mjekësore, duke qënë se janë produkte me volum të madh dhe kërkojnë shumë hapësira magazinuese. Po ashtu, një kërkesë tjetër ka qenë ajo për dhënien e lejeve për ndërtimin e kapanonëve magazinues brenda 15 ditëve dhe që taksa e lejes së ndërtimit të mos jetë mbi 1 Euro/m2.

Një kërkesë tjetër është ajo për barazimin e tatimit në blerje të lëndëve të para nga 6-20 % që është tani në vetëm 6 % si në blerjen e qumështit nga blegtorët ashtu edhe në shitje prej agropërpunuesve. Po ashtu, propozohet heqja e akcizës për prodhuesit vendas për një periudhe 1 vjeçare, anullim i ligjit për tvsh e inputeve bujqësore dhe rimbursimin e fermerit për vlerën e tvsh të inputeve të blera sipas faturës.

Në listën e propozimeve bie në sy edhe ai për rimbursimin e TVSH të gjitha bizneseve exportuese sipas ligjit pra për bizneset që shitjet i kanë më shumë se 70% exporte të bëhet rimbursim brenda 30 ditëve nga data e kërkesës dhe të mos i nenshtrohen analizës së riskut por të klasifikohen me risk zero, ashtu siç thotë dhe ligji. Po ashtu, kërkohet subvencion direkt për kilogramët e shitura të fermerit.

Masat e sugjeruara nga Sektorët Ndërtim dhe Industri

Sektori i ndërtimit kërkon reduktim të normës së tatim fitimit me 5-10% për vitin 2020-2021 dhe t’u kthehet TVSH bizneseve qe kanë TVSH për t’u rimbursuar. Një kërkesë tjetër është ulje në 5% tatimin mbi Dividentin për vitin 2020 dhe qëtë rihapet një shërbim ekspres me sportel për biznesin në hipotekë pasi shërbimet online kanë shumë vonesa. Nga ana tjetër, sektori i ndërtimit kërkon që të krijohet mundësia e kredive bankare me 0% interes.

Ndërsa Sektori i Indutrisë ka propozuar ulje në 5% të Tatimit mbi Dividentin për vitin 2020, zerimin e përqindjes së tatimit mbi dividentin si dhe të mos paguhet parafitimi i tatim fitimit për vitin 2020. Paralelisht, përfaqësues të këtij sektori kanë kërkuar rimbursim pa kërkesë automatikisht të TVSH-së që është gjendje në llogarinë e subjektit që kanë TVSH gjendje të kreditueshme sidomos subjekteve prodhuese për eksport sipas deklaratës së fundit të muajit mars 2020.

Është kërkuar gjithashtu që të rishikohen taksat doganore për importet si dhe të hiqen për një periudhë 1 vjeçare akciza dhe tatimfitimi për prodhuesit vendas. Po ashtu, kërkohet heqja e tatimit në burim për ambientet me qera, ulja e TVSH nga 20% për produktet ushqimore në 10%, ulja e akcizës së naftës që të ulet kostoja e bizneseve si dhe TVSH e naftës të njihet si tvsh e zbritshme. Sa i përket sektorit të prodhimit të verës, për rimbursimim e akcizës sugjerohet të rritet maksimumi për verën e importit 200 lekë të reja/litri ndërsa për verën e vendit, kjo shifër të jetë por të rimbursohet parapagim – sikurse ndodh në Kosovë.

Masat e sugjeruara nga Sektori i Turizmit

Sektori i Turizmit ka propozuar dhe kërkuar që bizneset të mos paguajnë tatim fitim për 2019 në mënyrë që të kenë disa rezerva për të mbajtur kompanitë në këmbë për 2020-2021. Po ashtu kërkohet të anullohet pagesa e tatim fitimit të parallogaritur me përafërsi, të reduktohet norma e tatim fitimit me 5-10% për vitin 2020-2021, të hiqet taksa hyrëse për të gjithë turistët e huaj si dhe të rishikohen tarifat aeroportuale.

Kërkohet gjithashtu mosaplikimi i gjobave dhe kamatvonesave për mos likujdimin në kohë të kontributeve të sigurimeve shoqerore, tatim mbi burim, tatim fitim, etj si dhe miratimi nga qeveria i një amnistie penale (fshirje gjobash për deklarim të vonuar). Një propozim tjetër është që të ulet tatimi për qiranë dhe të hiqet akciza për prodhuesit vendas për një periudhë 1 vjeçare. Subjektet që operojnë në fushën e turizmit kërkojnë që të ndihmohen për shlyerjen e borxhit të krijuar në këtë situatë ndaj agjencive turistike nga të cilat kishim marrë parapagesat e rezervimeve për grupet e anulluara dhe që qeveria të injektojë likuiditet tek kompanitë. Në listën e kërkesave bie në sy ajo që qeveria vendore të heqë taksën e shfrytëzimit të hapësirave publike ose ta zvogëlojë atë.

Masat e sugjeruara nga Sektorët Tregti dhe Shërbime

Sektori i Tregtisë kërkon që të kalohet në një sistem tjetër pagese Tatim Fitimi për Biznesin e mesëm dhe të madh ku këstet të paguhen çdo 3 muaj në bazë të të ardhurave reale siç e ka Kosova dhe jo në bazë të kësteve. Po ashtu ka kërkuar që të nxirret një akt normativ që të shtyhen me 6 muaj pagesa e qerave të lokaleve të marra me qera nga biznese që kanë reduktim të xhiros mbi 50% ose janë mbyllur fare dhe të hiqet tatimi në burim për këto pagesa.

Një nga masat më të rëndësishme që propozohet është ulja e nivelit të TVSH nga 20% në 10% si dhe ulja e tatimit mbi të ardhurat. Po ashtu, propozohet që të mendohet dhe ulja e TVSH për produktet e shportës nga 20% në 6-7%. Sektori i shërbimeve ka propozuar liberalizimin e tarifave mbi qeratë. Po ashtu, kërkohet që të ndikohet për uljen e çmimit të naftës, të përshpejtojë procedurat e import-eksportit në mënyrë që t’i japë mundësi biznesit që të operojë në mënyrën më të shpejtë të mundur duke rritur kështu edhe konkurrueshmërinë e tyre.

Plani i Opozitës

Ndryshe nga sa ndodh me kërkesat e grupeve të interesit që kanë diferenca për shkak të specifikave, kampet politike duket se do të shkojnë drejt një debati për të njëjtën pikë. Ndryshimi i modelit të taksimit pritet të përbëjë temën kryesore të diskutimit të javëve e muajve në vijim. Një nga pikat më të forta të planit ekonomik të opozitës është rikthimi i taksës së sheshtë, edhe më të ulur sesa në periudhën 2005-2013 kohë kur qeveriste kjo forcë.

Propozimi i PD-së është heqja e sistemit progresiv të taksimit dhe rikthimi i taksës së sheshtë, tashmë në masën 9 % (më përpara ka qenë 10 %). Plani i opozitës për rimëkëmbjen e ekonomisë bazohet kryesisht në prakticitetin e taksës së sheshtë, rritjen e shpenzimeve buxhetore për shtresat më në nevojë, mbështetjen dhe financimin e sipërmarrjeve rinore dhe atyre bujqësore, si dhe përfshirjen e të gjithë aktorëve kryesorë financiarë në një debat të gjerë publik për gjetjen e zgjidhjeve të duhura. Në turin e takimeve nëpër qytetet dhe fshatrat shqiptare, Basha e ka bërë të qartë se ekonomia është prioriteti kryesor i Partisë Demokratike pas goditjes së rëndë që ajo ka marrë nga COVID-19.

Basha në bashkëbisedimin me sipërmarrësit në qytetet e Shqipërisë fillimisht ka theksuar nevojën që ka vendi për një qeverisje normale dhe që nuk shkakton presion me inspektorët në terren. Për biznesin e vogël, demokratët kanë premtuar vendosjen e vetëm një takse vjetore në masën 0.5%, ndërkohë që do të hiqen të gjitha tarifat dhe taksat e tjera lokale. “Programi ekonomik i Partisë Demokratike ka në fokus të tij uljen e barrës fiskale sidomos për biznesit e vogël, mbështetjen me subvencione ndaj fermerit me të paktën 100 milionë euro në vit, eliminimin e procedurave të tepërta burokratike dhe krijimin e kushteve për konkurrencën e lire e të ndershme nëpërmjet një procesi dialogu me të gjithë aktorët kryesorë të tregut financiar.”

Sipas opozitës, varfëria është një tjetër problem, i cili po pushton me shpejtësi Shqipërinë dhe që është theksuar qartë edhe në raportin e fundit të Bankës Botërore. Edhe për këtë Basha ka zbuluar planin që ka për shtresat më të pamundura sociale, ku do të jetë Buxheti i Shtetit ai që do t’i mundësojë bukë, ujë dhe drita shtresave më në nevojë. Sipas, kreut të opozitës, Shqipëria ka nevojë që të kthehet më atraktive se vendet fiqnje për thithjen e investimeve të huaja: “Ne do ta bëjmë Shqipërinë vend tërheqës për investitorët e huaj që mundësojnë vende pune. Nën qeverisjen tonë ata nuk do të përzgjedhin më Maqedoninë e Veriut e Serbinë, siç po ndodh sot. Kjo do të arrihet fillimisht nëpërmjet taksës së sheshtë 9% që kryedemokrati e ka propozuar si një taksim të thjeshtë dhe transparent, por edhe nëpërmjet disa ndërhyrjeve në treg për të bërë të mundur funksionimin e plotë dhe eficent të tij, siç ka theksuar edhe gjatë takimit me Dhomën e Tregtisë kryetari Basha.

Ndërkohë MikroFinanca do të shërbejë si motorr kryesor për fuqizimin e sipërmarrjeve rinore dhe të bujqësisë në planin e Partisë Demokratike. Siç është evidnetuar qartë tashmë, mjë fokus të veçantë opozita në programin e saj do ta ketë edhe për bujqësinë. Kryetari i Partisë Demokratike ka bërë tre propozime që sektori i Agrobiznesit të përballojë krizën e shkaktuar nga COVID-19. Në këtë kuadër propozohen 3 zgjidhje nga kreu i PD-së, të cilat duhet të vihen në efekt në mënyrë ‘urgjente, për të shpëtuar sektorin nga kolapsi:

1- Barazimin e TVSH-së për të ndihmuar prodhimin vendas dhe fermerët që kanë pësuar goditje nga pandemia duke ndihmuar të gjithë zinxhirin e prodhimit agro-ushqimor i vendit.

2 – Përfshirjen e institucioneve të mikrokredisë në skemën e garancisë sovrane që qeveria shqiptare ofron për bankat e nivelit të dytë. Sektori i mikrokreditit është jetik për të siguruar likuiditetin në sektorin agrobujqësor. Sot ky likuiditet mungon duke rrezikuar prodhimin.

3 – Qeveria shqiptare nëpërmjet AZHBR-së dhe institucioneve të tjera duhet të rrisë ndjeshëm financimin me grante për të gjithë fermerët shqiptarë të cilët kanë pësuar humbje nga situata e pandemisë COVID-19”.

Projekti i qeverisë

Masat e propozuara nga opozita dhe grupet e interesit vijnë në një kohë kur ‘ngrirja’ e aktiviteteve si rrjedhojë e izolimit ka sjellë vështirësi në të ardhurat e buxhetit të shtetit. Nga ana tjetër, arka e shtetit ka shërbyer si ‘jastëk’ për bizneset që nuk paguanin dot pagat e punonjësve. Në këto kushte, qeveria shqiptare ka deklaruar se po punon për një strategji të re, që zgjat deri në vitin 2029 dhe të emërtuar ‘Shqipëria 2030’.

Kjo strategji e re, që po konsultohet edhe me institucionet financiare ndërkombëtare, mund të sjellë një ‘kthesë’ në fortë në mënyrën sesi mblidhen të ardhurat në Shqipëri. Kjo paketë ringritje ekonomike parashikon një ndryshim të politikës së taksimit, duke u orientuar drejt një modeli tjetër nga aktuali, tatimi progresiv, që mesa duket nuk ka dhënë rezultatet e pritshme. Në paketën e re, nga e cila janë bërë publike zyrtarisht masat e para që lidhen me tatimfitimin dhe TVSH-në, pritet që të ketë një zgjerim të bazës së taksave dhe një unifikim të sistemit tatimor, duke eleminuar ‘thyerjet’ që shpesh kanë krijuar hapësira evazioni.

Synimi në këtë rast është shfrytëzimi i potencialeve të reja, që nuk janë shfrytëzuar më parë, e në këtë rast, ndër burimet e pashfrytëzuara janë te veprimtaritë e paligjshme. Veç korrigjimeve në modelin e taksave duke mbyllur “shtigjet” që nuk kanë rezultuar efektive, pritet që të ketë një serë ndryshimesh ligjore që në thelb mund të krijojnë mundësinë për një formalizim të mëtejshëm të ekonomisë, përmes krijimit të mundësisë së deklarimit e që në mënyrë indirekte shton bazën e tatimpaguesve e si rrjedhojë edhe rrit të ardhurat në buxhetin e shtetit. Në këtë mënyrë, projekti i ri synon krijimin e një modeli financiar që krijon një ‘derë të re’për të ardhurat në arkën e shtetit por edhe që mbyll ‘dritaret e vjetra’nga ku dilnin ato./ Scan

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Intervista/ Situata ekonomike dhe zgjidhjet

Civici: Të shtyhet një vit shlyerja e kësteve të kredive

Këmbanat e rënies së inflacionit

Çmimet e ulëta po penalizojnë ekonominë