MENU
klinika

FIFA dënoi të kuqtë

Vllaznia sqaron çështjen e Çinarit, shfajëson Partizanin

16.07.2020 - 16:52

Një lajm tronditës shtangu sot të gjithë opinionin futbolldashës në Shqipëri. Klubi kroat i Istrës rezulton të ketë fituar gjyqin në FIFA për transferimin e futbollistit shkodran Erald Çinari. Kësisoj, Partizanit i është bllokuar për 1 vit merkatoja.

Një dëm afro 80 mijë euro për të kuqtë. Gjithashtu, edhe futbollisti është dënuar me 4 muaj pezullim. E përfshirë në këtë situatë kaotike është edhe Vllaznia, e cila nëpërmjet një njoftimi në faqen zyrtare, ka sqaruar çështjen, duke pretenduar se nuk ka arritur asnjë marrëveshja transferimi dhe huazimi me asnjë klub për futbollistin shkodran Erald Çinari.

NJOFTIMI I VLLAZNISË

KF Vllaznia përmes kësaj komunikate për shtyp dëshiron të sqarojë publikun në lidhje me situatën e futbollistit Erald Çinari. Futbollisti Çinari pretendon të ketë firmosur një kontratë me klubin spanjoll Deportivo Alaves dhe ky e ka huazuar per një sezon tek skuadra kroate NK Istra 1861. E verteta është se deri me sot KF Vllaznia nuk ka arritur asnjë marrëveshje transferimi dhe huazimi me asnjë klub për futbollistin Erald Çinari.

KF Vllaznia ka patur vetëm një komunikim me Deportivo Alaves në fund të muajit maj 2018 ku i kërkon kohë për bisedime, për shkak të ristrukturimit të klubit. Më pas, me emërimin e administratorit të ri të klubit, z.Suad Lici, menjëherë i jemi drejtuar zyrtarisht klubit spanjoll duke i shprehur gatishmërinë për të negociuar për këtë transferim, duke i kujtuar njëkohësisht edhe klauzolën që lojtari Erald Çinari ka në kontratë për prishjen e parakohshme.

Cinari

Në mënyre të çuditshme, klubi Deportivo Alaves është përgjigjur më date 1 gusht 2018 duke kujtuar se pretendimet e KF Vllaznia janë të kota, sepse sipas tyre, “….Klubi i Futbollit “Vllaznia” kishte pranuar ofertën e tyre, kishte dërguar edhe numrin e llogarisë dhe se ishte bëre transferimi i shumes financiare ne llogarinë përkatëse.” Madje, klubi spanjoll shkon edhe me tej duke deklaruar se KF Vllaznia kishte konfirmuar marrjen e parave.

Të çuditur nga një reagim i tillë, me një shkresë të datës 2 gusht 2018 klubi “Vllaznia” pas verifikimit të të gjithë fakteve dhe dokumenteve, i është përgjigjur sërish Deportivo Alaves duke ia bërë të qartë se nga KF Vllaznia nuk ka dalë asnjë leje-kalimi apo marrëveshje transferimi për futbollistin Erald Çinari.

Njëkohësisht i është kërkuar sjellja e të gjithë dokumenteve që sipas tyre ata poseidojnë ne “komunikimin me KF Vllaznia”. Pas pritjes disa ditë të ndonjë përgjigje nga klubi Deportivo Alaves, nuk ka ardhur asnjë e tillë. Për këtë arsye, me datë 8 gusht 2018 KF Vllaznia i ka nisur një tjetër shkresë klubit në fjalë duke i kërkuar edhe njëherë dokumentacionet dhe njëkohësisht edhe transfertën bankare të shumës së bërë për këtë transferim.

Por sërish asnjë reagim kur pas verifikimeve të bëra rezulton se numri i llogarisë i pretenduar nga spanjollët ku kanë bërë pagesën, është në Itali. Diçka absurde, sepse KF Vllaznia jo vetëm që nuk ka asnjë numër llogarie jashtë territorit shqiptar, por edhe numri i llogarisë në fjalë nuk ekziston. Lidhur me dokumentacionin e përcjellë nga Deportivo Alaves pranë Klubit Vllaznia për sportistin Çinari, na rezulton dokumentacion jo i lëshuar nga Klubi apo nga Bashkia Shkodër.

Ka dokumentacion të pavërtetë dhe kemi dyshime të bazuara se mund të jetë përdorur për qëllime jo të mira. Për këtë Bashkia Shkodër, kryetarja e Bashkisë i është drejtuar prokurorisë për hetim të mëtejshëm. Ndërkohë, me datë 13 gusht 2018, klubi kroat NK Istra 1961 që pretendon se ka marrë në huazim futbollistin Erald Çinari, ka kërkuar që KF Vllaznia të ndërhynte në sistemin TMS te FIFA-s për të mbyllur transferimin e këtij futbollisti sipas rregullave të transferimit ndërkombëtar.

Të gjendur para këtij fakti, KF Vllaznia më datë 14 gusht 2018 i është përgjigjur me një shkrese zyrtare edhe klubit kroat duke i shpjeguar edhe këtij klubi se për futbollistin në fjalë nuk ka asnjë marrëveshje huazimi apo transferimi me asnjë klub. Në rrethana të tilla, KF Vllaznia ka njoftuar te dy klubet, Deportivo Alaves dhe NK Istra 1961 se do ta ankimojë këtë çështje ne FIFA dhe UEFA për bllokimin e këtij transferimi dhe për të kërkuar dëmshpërblim për dëmin që i është shkaktuar klubit të futbollit “Vllaznia”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN