Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është shprehur kundër bisedimeve teknike mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se bisedimet në një format të tillë janë zhvilluar për 9 vitet e kaluara. Ai ka thënë se procesi i negociatave duhet të përmbyllet me njohje të dyanshme mes Kosovës dhe Serbisë, sa më shpejt që është e mundur, por jo në aspektin teknik.
Për këtë, ai ka kërkuar unitet brenda Kosovës si dhe midis Uashingtonit dhe Brukselit.
“Është me rëndësi jetike të kemi koordinim, e para mes spektrit politik të Kosovës, një konsensus sa më të gjerë dhe gjithëpërfshirës në mënyrë që të jetë angazhim i unitetit të qytetarëve, shoqërisë civile, institucioneve. Edhe faktori ndërkombëtar të jetë i koordinuar. Një koordinim i ngushtë mes Uashingtonit dhe Brukselit në mënyrë që të jetë një proces i sigurt, i besueshëm dhe pastaj i pranueshëm për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Thaçi gjatë një adresimi para mediave, pas takimit në Prishtinë me kryetarin e Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulëzim Basha i cili po qëndron për një vizitë dyditore në Kosovë.
Pas 20 muajsh, dialogu Kosovë –Serbi ka rifilluar më 16 korrik në Bruksel, mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Dy temat kryesore në këtë takim ishin personat e pagjetur dhe bashkëpunimi ekonomik.
Pas këtij takimi, Brukseli paralajmëroi se dialogu në nivelin teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të rinisë të mërkurën, më 22 korrik. Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Bashkimi Evropian konfirmon se ka dërguar ftesat te Kosova dhe Serbia, sa i takon rinisjes së dialogut teknik.
Zëdhënësja për Çështje të Jashtme dhe Politika të Sigurisë në BE, Nabila Massrali, thotë se në takim do të diskutohet për çështjet që janë biseduar në takimin e nivelit të lartë në mes të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kjo është hera e parë që Thaçi nuk e ka udhëhequr delegacionin e Kosovës në bisedimet e nivelit të lartë me Serbinë.
Ai nuk mori ftesë për të qenë në Bruksel. Ndaj tij është paraqitur një aktakuzë nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë.
Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se më 24 prill ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër presidentit Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.
Thaçi më herët ka deklaruar se do të japë dorëheqje nga posti i presidentit, nëse aktakuza kundër tij konfirmohet. Gjykatësi i procedurës paraprake ka maksimum gjashtë muaj kohë, nga muaji prill, për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzën. Gjatë javës së kaluar, Thaçi është intervistuar për katër ditë nga ana e prokurorëve në Hagë./REL/