MENU
klinika

Elbasan/ Shpërthimi i gazit në Metalurgjiku

Arrestohet administratori i firmës ku punonin 3 të plagosurit

23.07.2020 - 08:51

Policia një ditë pas shpërthimit të gazit tek ish- Kombinati në Elbasan brenda Metalurgjikut ka arrestuar administratorin e firmës private.

Nga shpërthimi u plagosën tre punonjës të kësaj firme në ambientet e punës dhe tashmë Policia ka referuar materialet hetimore në prokurori për administratorin Y.P, 54 vjeç për shkelje të rregullave të mbrojtjes së punës.

Paraditen e djeshme një shpërthim ndodhi prej rrjedhjes së gazit në këtë pjesë të ish- Metalurgjikut ku operonte një firmë private dhe gjatë punës u plagosën tre punonjës që u dërguan me menjëherë me urgjencë në spital.

NJOFTIMI NGA POLICIA

Policia e Elbasanit vë në pranga administratorin e firmës ku u plagosën tre punëtorë, si pasojë e shpërthimit të gazit.

Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, për një subjekt privat në ish-kombinatin metalurgjik Elbasan, në të cilin, gjatë kohës që po punonin në ambientet e firmës, nga shpërthimi i gazit u plagosën tre punonjës, shtetasit Q. M., O. B. dhe E. B., të tre banues në Elbasan, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën, bëjmë me dije se grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka kryer të gjitha veprimet në vendngjarje.

Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, shtetasin: Y. P., 54 vjeç, banues në Elbasan, administratori i firmës.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprimet e mëtejshme procedurale.