Pas marrëveshjes së 5 qershorit me praninë e ndërkombëtarëve në Këshillin Politik të Reformës Zgjedhore, në arenën politike në Shqipëri u ndez debati i listave të hapura.
Maxhoranca mbështeti nismën e 28 deputetëve të opozitës së Kuvendit, që tashmë është një draft për ndryshimin e Kushtetutës. Drafti propozon që të paktën 75% e listave të jenë të hapura. Ndërsa në riformulimin e nenit 64 të Kushtetutës, deputetët e opozitës së re kërkojnë që të mos përcaktohet më në Kushtetutë që deputetët mund të propozohen nga koalicionet.
Këtë të drejtë ua atribuojnë vetëm partive dhe zgjedhësve. Në argumentet e dhëna nga maxhoranca, koalicionet, sipas formulës aktuale, nuk mund të funksionojnë me lista të hapura pasi krijon probleme me fletën e votimit, por eksperti Kristaq Kume ka pretenduar më herët se ka praktika që lejojnë koalicionet parazgjedhore dhe lista të hapura. Fleta e votimit në Kosovë mund të shërbejë si një shembull edhe për Shqipërinë.
Struktura e fletës së votimit Aktualisht, në Shqipëri me sistemin proporcional me 12 qarqe përdoret vetëm një model flete votimi për pushtetin qendror dhe 61 lloje fletësh për pushtetin lokal. Për pushtetin qendror, qytetarët votojnë partinë që është brenda koalicionit.
Në fillim, vota sipas formulave nxjerr koalicionin fitues, pastaj mandatet për secilën parti brenda koalicionit. Nëse do të hapen listat, atëherë do të kishim 12 fletë votimi, çdo qark do kishte fletën e vet të votimit.
Një mënyrë se si mund të përbëhej fleta e votimit që do të na lejonte edhe formulën aktuale të koalicioneve parazgjedhore do të ishte: në njërën anë të fletës vendoset në krye emri i koalicionit dhe më poshtë flamujt e partive me numra ose me emra. Ndërkohë, në krahun tjetër të fletës numrat. Një numër simbolizon një kandidat që e cakton partia përkatëse.
Kështu, marrim shembull kryeqytetin. Në Tiranë, fleta e votimit do të përbëhet nga koalicionet, secili prej tyre do të ketë poshtë partitë përbërëse dhe nga krahu tjetër i fletës numrat nga 1 deri në 33, aq sa mandate ka pasur deri në zgjedhjet e fundit Tirana.
Kështu, votuesi zgjedh fillimisht partinë brenda koalicionit dhe kandidatin e preferuar. Në këtë mënyrë nuk dëmtohen as partitë e vogla apo partitë e reja, të cilat sistemi aktual i penalizon nëse garojnë më vete.