MENU
klinika

ANALIZA/ Borxhe të mira e të këqija

DW: Ujdia për borxhet, shembull i gabuar i BE

27.07.2020 - 08:37

“Një moment historik” u quajt ujdia e Bashkimit Europian për borxhe të përbashkëta. Por a është vërtet historikisht edhe vendimi i duhur? Për fat të keq jo është i mendimit, Andreas Noll.

Narrativa të duket logjike. Një fond rimëkëmbjeje do t’i japë sërish forcë Bashkimit Europian në emergjencë ekonomike për shkak të pandemisë së Coronës dhe do të lëshojë një sinjal solidariteti. Më të fuqishmit ndihmojnë më të dobtit. Për shkak se ky solidaritet lidhet edhe më mirënjohjen, programi frenon kështu edhe populistët. Më shumë para nga Brukseli baraz me më pak vota për Salvinin e të tjerët, ky është ekuacioni- por që në të shkuarën nuk ka dalë.

Përkundrazi notat më të mira i merr një shembull nga historia. Pas Luftës së Dytë Botërore, SHBA organizoi me Planin Marshall një fond për rimëkëmbjen e Europës, që sot është kthyer në legjendë. Aktualisht në Europë nuk ka shumë për të ndërtuar, nuk ka mungesë artikujsh ushqimorë. Por sidomos pretendime financimi: para për të papunët dhe ata me orar të shkurtuar, kontribute sigurimi shëndetësor. Sigurimi shoqëror është në kohë krize më i shtrenjtë dhe shumica e buxheteve që tani janë në sprovë. Por për boshllëqet buxhetore aktualisht BE është adresa më e papërshtatshme.

Borxhe të mira e të këqija

Nuk mund të flasësh për mbështetjen për të papunët pa u grindur për kohëzgjatjen dhe shumën e ndihmës. Nuk mund të flasësh për pensionet pa diskutuar moshën e pensionit. Por asnjë shtet i BE nuk do të dëgjojë zërin e votuesve të huaj për çështjet e veta buxhetore, aq më pak vendet që bërtasin më shumë për ndihmë.

Politikanët shpëtimtarë duhet ta dinë që financimi “normal” shtetëror përmes bashkësisë së qytetarëve nuk shpjegohet dot dhe prandaj theksojnë: Nuk bëhet fjalë për “borxhet e vjetra të këqija”, por për “borxhet e reja të mira”. Për këtë përmenden projekte të së ardhmes, që do ta bëjnë më të fortë Europën. Natyrisht askush nuk mendon për investime të kota si aeroportet pa njerëz në Spanjë të ndërtuara me fonde të BE-së, por kush e garanton, se këtë herë do të bëhet më mirë? Në fund duhet të shpenzohet më shumë para në një kohë të shkurtër. Edhe qytetarët e kanë kuptuar, se ku janë pikat e dobta: Në Bullgari ata dalin në protesta, sepse sërish ekziston frika, që paratë nga Brukseli zhduken në kanale të padukshme.

Si mund të bëhesh një europian i mirë?

Për këtë lumë parash nga Brukseli do të paguajë dikur gjenerata e re. Dikur. Sociologu Michael Kelpanides e ka matur vetëdijen europiane të kësaj gjenerate në një studim të thelluar. Për këtë ai ka shkuar aty ku mirëkuptimi për nevojën e të tjerëve duhet të ishte më i madhi: në shkollën më të vjetër të Europës në kontinent, në Luksemburg: Konkluzioni i esëllt i tij: “Sjellja bashkë e grupeve nacionale shumë heterogjene, të cilat më parë e njihnin vetëm sipërfaqësisht njëri-tjetrin u sjell në vëmendje atyre se sa të ndryshëm janë në realitet. Dhe ky vetëdijësim mund të ketë si pasojë në vend të kohezionit distancimin e vetëdijshëm nga njëri-tjetri.”

Studimi i Kelpanides është vetëm një gur i mozaikut, por ai tregon: kush beson në idenë e mrekullueshme të Integrimit Europian nuk duhet të mbingarkojë qytetarët.

Projekte alternative

Tanimë që janë hedhur zaret, BE duhet ta orientojë paranë aty ku europianët në të ardhmen vërtet duhet të afrohen më shumë me njëri-tjetrin. Në mbrojtjen e përbashkët europiane për shembull. Në negociata ajo është shenjuar me 7 miliardë euro, jo ndonjë shumë e madhe kjo. BE mund të vazhdojë aty ku në kohën e krizës u dha shenja më e bukur e solidaritetit. Disa vende të BE (edhe Zvicra) morën në spitalet e tyre pacientë të sëmurë rëndë me Covid-19 nga spitalet e tejmbushur në Italinë Veriore apo Francën Lindore. Një regjistër europian i shtretërve intensivë, premtimi, që në kohë krize të gjitha shtetet do e ndihmojnë njëra-tjetrën pa burokracia, do të ndajnë shtretërit për pacientët, ilaçet dhe nuk do të mbajnë për vete maskat – ky do ishte një sinjal historik.

Një sinjal për të cilin nuk do kishte më nevojë të vendosej as edhe ndonjë pllakë reklamimi: financuar me mjetet e Bashkimit Europian.(DW)

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Guvernatori Sejko: Kriza më e thellë në 20 vjet

“Bankat të shtyjnë afatin e kredive”

Lufta me Covid-19/ Këshilltarët ekonomikë

“Gjermania drejt recesionit më të thellë që nga viti 2009”