Banksy, ka dhuruar një seri pikturash për ankandin e radhës, që pritet të mbledhë të ardhura për një spital në Betlehem, Palestinë. Piktura me tri pjesë, e titulluar “Mediterranean sea view 2017”, vlerësohet se do të shitet midis 800,000 – 1.2 milion funte, sipas “DazedDigital”.
E punuar në vitin 2017, vepra me pamje nga deti Mesdhe, paraqet jelekët dhe gomat e shpëtimit në një peizazh të stilit të shekullit XIX, duke krijuar skena të errëta therëse, që komentojnë krizën e refugjatëve.
Vepra e artit u krijua fillimisht për hotelin “Walled Off” të Banksy-t, në Bregun Perëndimor – i njohur si hoteli me “pamjen më të shëmtuar në botë” – ku ka qenë e shfaqur për tri vitet e fundit, së bashku me disa prej veprave të tjera artistike me nota politike nga Banksy, të shoqëruara me muzikën e “Massive Attack”.
Të gjitha të ardhurat nga pikturat e vajit, kur të dalin në ankand në “Sotheby’s”, më 28 korrik, do të shkojnë për ndërtimin e një ndërtese të re dhe për blerjen e pajisjeve për rehabilitimin e fëmijëve për BASR (Bethlehem Arab Society for Rehabilitation).
Muajin e fundit, Banksy ka dhuruar gjithashtu, një pikturë në një spital në Southampton, duke i bërë vlerësuar përkushtimin e personelit mjekësor gjatë pandemisë.