MENU
klinika

Ndërpret kërkimet për hidrokarbure

Pas kritikave nga Greqia, “tërhiqet” Turqia!

28.07.2020 - 18:25

Greqia është e hapur për një dialog me Turqinë por jo nën kërcënime, tha të martën Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias.

“Dua të përsëris se Greqia është gjithmonë e hapur për një dialog me Turqinë, por një dialog jo nën regjimin e kërcënimeve, fyerjeve”, tha Dendias pas një takimi me homologun e tij spanjoll, Arancha Gonzalez Laya.

Ndërkohë, Turqia mund të ndalojë operacionet e kërkimit të energjisë në Detin Mesdhe lindor për një kohë në pritje të bisedimeve me Greqinë, tha të martën zëdhënësi i presidentit Ibrahim Kalin.

oruc_reis_web--2

Javën e kaluar, Ankaraja njoftoi se anija kërkimore sizmike “Oruç Reis” do të vendosej në afërsi të ishullit grek të Kastellorizos, pranë brigjeve turke.

”Presidenti Erdogan tha se për sa kohë që negociatat janë në proces, ne do të presim ca kohë në mënyrë që të sjellim një qëndrim konstruktiv”, theksoi sot Ibrahim Kalin, zëdhënësi i presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.

“Greqia është një vend i rëndësishëm fqinj për ne. Ne jemi të gatshëm të diskutojmë me Greqinë”, shtoi ai në një intervistë me kanalin e lajmeve CNN-Turk.

Deklaratat vijnë ndërsa tensioni u përshkallëzua në Mesdheun lindor javën e kaluar, madje Athina dërgoi anije ushtarake në detin Egje.

Zbulimi vitet e fundit i fushave të mëdha të gazit në Mesdheun Lindor ka shtuar oreksin e vendeve fqinje, të tilla si Greqia, Qipro, Turqia, Egjipti dhe madje edhe Izraeli.

Turqia ka rritur shpimet eksploruese pranë brigjeve të Qipros, duke rritur zemërimin e pjesës më të madhe të vendeve në rajon dhe të Bashkimit Europian, të cilat i cilësojnë si ”aktivitete të paligjshme”.