NBA rikthehet sonte në mesnatë. Kaluan plot 140 ditë që kur u ndal topi në basketbollin amerikan me ndërprerjen më 12 mars për shkak të pandemisë. Duke nisur nga nata e sotme 22 skuadra rinisin garë për të përfunduar sezonin e rregullt e më pas play-off-in.
Të udhëhequr nga Lebron James, Los Angeles Lakers renditet i pari Konferencën Perëndimore, një nga pretendentët kryesorë për të fituar titullin këtë sezon të jashtëzakonshëm. Dhe si për ironi të fatit, pas ndeshjes hapëse Utah Jazz-New Orleans Pelicans, e dyta është derbi i Los Angelesit, Clippers përballë Lakers.
Në kushte të tjera duhet të ishte një spektakël më vete edhe te spektatorët, por kësaj here ndeshja luhet pa tifozë dhe në Orlando, aty ku janë grumbulluar të 22 skuadrat. James, tani 35 vjeç dhe në sezonin e tij të 17-të në ligë, po përpiqet të fitojë titullin NBA me skuadrën e tij të tretë, pasi më parë e ka ngritur atë me Miami Heat dhe Cavaliers.
Në Lindje, kryeson Milwaukee Bucks, me një Janis Antetokounmpo që ka bërë një sezon të mrekullueshëm deri tani. Rivalët e vetëm në këtë konferencë duket se janë kampionët në fuqi të Toronto Raptors. Sa u përket masave kundër Covid-19, organizatorët e NBA do të bëjnë tamponë çdo katër ditë, ai që del pozitiv izolohet, kampionati nuk ndërpritet.
Ekipet do të bëhen gati që në hotel dhe do të kthehen po në hotel për t’u ndërruar apo për dushe. Konferencat e shtypit do të bëhen me ekrane gjigante. Protokolli do të jetë strikt, në rast se do të ketë thyerje të rregullave, ekipi do të gjobitet, madje mund të ketë deri në përjashtime.