Orientimi i burimeve drejt prodhimit të maskave i mundësoi kompanisë së prodhimit të tekstileve, SAM, jo vetëm të kompensonte rënien e porosive nga partnerët pas situatës së krijuar nga Covid-19, por edhe të shënonte një rritje të konsiderueshme të aktivitetit në periudhën e karantinës. Modeli se si sipërmarrësit shqiptarë u përshtatën me shpejtësi ndaj ndryshimeve të kërkesës në tregjet ndërkombëtare
Kur të gjithë ishin të shpërqendruar dhe të çoroditur nga mbyllja e menjëhershme e ekonomisë në vend nga 10 marsi, pak ditë pas asaj të Italisë, Mimoza Vojka, administratore e SAM, kompanisë së prodhimit të veshjeve sportive, nuk mund t’ia lejonte vetes të binte në këtë grackë dhe as të përfshihej nga paniku.
Me porositë që u lanë pezull nga kompanitë partnere, ajo filloi të mendonte se si jo vetëm ta tejkalonte krizën, por dhe të kapte momentin dhe ta kthente atë në një mundësi. “Brenda javës filluam të prodhonim maska për përdorim të brendshëm”, pohoi ajo.
Vojka, duke parë tendencën globale, tha se i nxiti kompanitë partnere që të shikonin mundësinë e prodhimit të maskave për një periudhë të përkohshme. “Vendimtare ishte shpejtësia në vendimmarrje dhe përgatitja për të prodhuar këtë produkt të ri”, thotë ajo.
Shumë shpejt, porositë nisën të vinin nga partnerët. Bllokimi i rrugëve ishte një pengesë e vogël për sigurimin e lëndës së parë, që u arrit të merrej nga Bullgaria. Në javën e parë të prillit, puna u kthye vrullshëm dhe me kapacitet të shtuar. Për pesë javë SAM realizoi prodhimin e 1.1 milionë maskave nga Franca, Belgjika, Holanda, Anglia, me çmime të kënaqshme, duke bashkëpunuar edhe me 7 sipërmarrje të tjera në vend. Porositë ishin deri për 3 milionë maska, por një sasi e tillë ishte përtej kapacitetit të kompanisë.
Orientimi i shpejtë drejt prodhimit të maskave i mundësoi kompanisë jo vetëm të kompensojë rënien e kërkesës për produktet e tjera, por edhe të rriste ndjeshëm aktivitetin me shpejtësi, në një periudhë kur karantina kishte paralizuar pothuajse të gjithë ekonominë. “Kjo i dha vlerë kompanisë, por dhe mundësoi pagesa të rritura për personelin”, pohon ajo.
Vojka rekomandon që në kohë krize, bizneset duhet të vazhdojnë sipërmarrjen, t’i përshtaten kërkesës së tregut. “Çfarë kërkon tregu do të bëhet. Industria tekstile do të ketë gjithmonë kërkesa për produkte. Se sa do të dinë kompanitë në zgjedhjen e klientit varet nga ata, por nuk la arsye për panik. Nuk ka si rrezikohet sektori se do të ketë prodhim patjetër, çelësi është të gjesh klientin e duhur dhe të rritesh paralelisht me të”.
Tashmë kërkesa i është rikthyer normalitetit për produktet e tjera, me të cilat operonte kompania, e cila është e specializuar në prodhimin e veshjeve të gatshme sportive, teksa në shtator pritet të rifillojnë aktivitetet sportive.
Kalimi në cikël të mbyllur dhe diversifikimi përtej Italisë
Me një përvojë 27-vjeçare në biznesin e tekstileve, znj. Vojka gjithnjë ka tentuar të paraprijë tendencat, jo t’i ndjekë nga pas ato. SAM u krijua në vitin 1993, fillimisht si kompani për prodhimin e veshjeve të punës, me material porositësi, në bashkëpunim me një sipërmarrje italiane, e cila mundësoi dhe investimin e makinerive dhe pajisjeve. Në periudhën 2005-2007, nisën përpjekjet për të ulur varësinë nga një kompani e vetme, por edhe nga tregu italian, pasi siç thotë Vojka, klienti nuk i jepte hapësirë për vizion dhe zhvillim të mëtejshëm.
Sfida e vërtetë ishte mbyllja e ciklit dhe kalimi në prodhimin dhe tregtimin e produkteve të gatshme. Vojka thotë se u bë kujdes në përzgjedhjen e produktit dhe u vendos prodhimi i veshjeve sportive të specializuara, duke përdorur teknologjinë dixhitale të stampimit dixhital. Në dhjetor 2008 nisi tërësisht prodhimin e gatshëm. U fillua me një volum prej 2500 copësh në 2005-n, për të arritur sot në 150 mijë copë në vit.
Kalimi si prodhues i kamundësuar përfitueshmëri më të lartë dhe të investojë te personeli, 30% e të cilit sot është me arsim të lartë. Pavarësia në vendimmarrje është një tjetër aset. “Sot jemi në kushtet që i zgjedhim ne klientët”.
Vojka thotë sot se kalimi i kompanisë si prodhuese dhe shkëputja nga partneri italian ishte vendimi më i mirë që mori në atë kohë. “Tregu italian ka shumë problematika për pagesat, por dhe dinjitetin e marrëdhënies”. Italianët janë dhe fanatikë të markës së tyre, ndryshe nga francezët dhe sidomos anglezët që janë më të hapur. “Me Italinë, kompanitë janë më të varura. Ato janë furnitorë, por jo klientë”.
Italia çalon sidomos në kulturën e pagesave. “Është normë, që kompanitë italiane i vonojnë pagesat për tre muaj, gjë që nuk ndodh me shtetet e tjera”. “Kompanitë duhet të zgjedhin nëse do të vazhdojnë në këtë mënyrë pa cikël të mbyllur dhe të varura nga Italia, apo të ecin përpara dhe të dalin si prodhues më vete”, rekomandon ajo.
Industria e tekstileve dhe e këpucëve, e varur nga Italia
Industria e tekstileve dhe këpucëve shënoi një zhvillim të shpejtë pas viteve ’90. Afërsia gjeografike me Italinë dhe krahu i lirë i fuqisë punëtore nxitën shumë sipërmarrës italianë, që në bashkëpunim me ata shqiptarë, të hapnin fabrika, që punonin me sistemin e materialit të porositësit.
Edhe sot, tekstilet e këpucët janë grupmalli kryesor i eksportuar në vend, me rreth 39% të totalit në 2019. Tendenca e tyre ka qenë në rritje të fortë, përveçse në 2019, kur u goditën nga zhvlerësimi i euros
Karakteristikë e sektorit është varësia e lartë nga Italia, me 71% të totalit të eksporteve të tekstileve dhe 86% të këpucëve, që shkuan drejt shtetit fqinjë në vitin 2019.
Kjo do të thotë që industria e tekstileve e këpucëve është shumë e varur nga kriza në shtetin fqinj. Fakti që pjesa më e madhe e sektorit (sidomos tekstilet) nuk e ka mbyllur ciklin, por kryen vetëm disa procese, kryesisht pres-qep-hekuros, e bën të vështirë diversifikimin në shtete të tjera. Këto të fundit, sidomos nga vendet nordike, zgjedhin të punojnë me kompani që e kanë të mbyllur ciklin.
Kompanitë italiane zgjedhin të bëjnë vetëm disa procese në Shqipëri, jo të transferojnë gjithë prodhimin, gjë që ka lënë të pazhvilluar pjesën më të madhe të sipërmarrjeve vendase. Ndryshe kanë vepruar kompanitë në Serbi apo Maqedoni, të cilat punojnë kryesisht me tregun gjerman, apo të shteteve të tjera të Europës, duke i nxitur që të investojnë në mbylljen e ciklit. Veshjet e përfunduara kontribuojnë në 90% të prodhimit të tekstilit të Maqedonisë së Veriut, ndërsa materialet tekstile përbëhen nga prodhimi i tekstileve për veshje xhins, çarçafë, batanije, veshje, etj., sipas Agjencisë së Investimeve të Maqedonisë së Veriut.
Sektori ka avantazh kryesor konkurrues koston e lirë të fuqisë punëtore. Sipas Anketës Strukturore të INSTAT, shpenzimet e personelit për tekstile dhe veshje përbëjnë 44% të totalit të shpenzimeve dhe për këpucët 25%. Kjo krahasohet me 9% që janë shpenzimet për paga për të gjithë prodhuesit në treg. Si rrjedhojë, sektori i tekstileve e këpucëve është mjaft i rëndësishëm për punësimin, sidomos shtresat e varfra, me rreth 55 mijë të punësuar, ose rreth 11% të të gjithë prodhuesve në treg.
Efektet e krizës
Duke marrë në konsideratë karantinën dymujore, ku prodhimi u reduktua ndjeshëm, por edhe mbylljen totale të Italisë ku eksportohen mbi 50% të produkteve që prodhohen në Shqipëri, për janar-maj, eksportet e tekstileve dhe këpucëve ranë me 44% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se industria e tekstileve ka arritur ta marrë veten në maj, si rrjedhojë e përshtatjes së kompanive për të prodhuar maska apo veshje spitalore, duke iu afruar nivelit të para krizës. Më i vështirë ishte rikuperimi dhe përshtatja për industrinë e prodhimit të veshjeve të këmbëve, ku në maj, eksportet ishin 31% më të ulëta se i njëjti muaj i një viti më parë./Monitor