MENU
klinika

Nga The Guardian

Turqisë e Greqisë i duhet ndërhyrja e Merkelit!

02.08.2020 - 15:40

Një mundësi e rrallë për të qetësuar ujërat e trazuar të Mesdheut Lindor u shfaq këtë javë, me Turqinë duke shtyrë një  projekt të shumëdiskutuar sizmik në një zonë të preenduar nga Greqia.

Anija e saj kërkimore do të qëndrojë tani në portin e Antalias, duke u dhënë kohë dy vendeve të kërkojnë një zgjidhje diplomatike.

Saktësisht se sa kohë është e paqartë, por një zëdhënës i Presidentit Rexhep Tajip Erdogan tha që Ankaraja ishte e gatshme për negociata me Athinën, “pa parakushte”.

Disa në Greqi mund të vënë në dyshim sinqeritetin e ofertës, e cila vjen menjëherë pasi Erdogan shndërroi muzeun ikonik Hagia Sophia në një xhami.

Duke pasur parasysh antagonizmin e thellë midis dy palëve, çdo negociatë midis tyre do të kërkojë ndërmjetësim.

Mosmarrëveshja e tyre mbi ujërat dhe burimet hidrokarbure të Mesdheut Lindor është vetëm kapitulli i fundit në një histori të gjatë armiqësie.

Në rrethana të tjera, SHBA do të luante atë rol: Në fund të fundit, Turqia dhe Greqia janë të dyja anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut.

Por angazhimi i Erdoganit ndaj NATO-s po vihet në dyshim, dhe në çdo rast administrata Trump nuk ka aftësi për zgjidhjen e konflikteve.

Alternativa më logjike si ndërmjetësi i ndershëm midis Ankarasë dhe Athinës është Berlini.

Gjermania është një partner jetësor tregtar për të dy vendet, dhe kryesia e saj e Bashkimit Evropian i jep asaj një peshë edhe më të madhe diplomatike. Turqit dhe Grekët kanë kundërshtuar atë që ata e konsiderojnë gatishmërinë gjermane në marrëdhëniet bilaterale, por kur kancelarja Angela Merkel flet, ata priren të dëgjojnë.

Siç vepruan vërtet javën e kaluar, kur ajo thirri Erdoganin dhe Kryeministrin Grek Kyriakos Mitsotakis.

Gjermania gëzon një besueshmëri edhe nga vendet e tjera që kanë pretendime në Mesdheun Lindor, të tilla si Qipro, Izraeli dhe Egjipti.

Dhe mungesa e përfshirjes së saj në luftën civile në Libi është gjithashtu një avantazh.

I vetmi vend tjetër i madh që ka kualifikime të ngjashme si ndërmjetës është Britania, e cila është një partner kryesor tregtar për Turqinë dhe Greqinë, dhe ka marrëdhënie të mira me Izraelin dhe Egjiptin. Por kryeministri Boris Johnson ka treguar pak oreks për një rol të tillë në Mesdheun Lindor.

Merkel duhet t’i bëjë presion Erdoganit dhe Mitsotakis që të angazhohen në bisedime të nivelit të lartë. Të gjitha mosmarrëveshjet burojnë nga një pyetje: Sa larg në det shkojnë pretendimet territoriale dhe ekonomike të një shteti bregdetar?

Konventa e Kombeve të Bashkuara për Ligjin e Detit lejon një vend pretendime territoriale deri në 12 milje detare, dhe një zonë ekskluzive ekonomike deri në 200 milje detare nga vija e saj bregdetare.

Por ka shumë debate mbi atë që përbën një vijë bregdetare.

Greqia është nënshkruese e konventës së KB, por Turqia nuk është.

Për çdo ndërmjetës të ndershëm, duhen shumë negociata. Angela Merkel nuk ka kohë për të humbur.

Përkthyer dhe përshtatur nga The Guardian/ Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Një tjetër shtet mbështet Greqinë

“BE nuk do t’i gjunjëzohet Erdoganit!”

Përgjigjet Ministria e Jashtme greke

“Greqia është çmendur”, Erdogan provokon sërish