Rrufe në qiell të hapur! Liga Profesioniste e Futbollit bojkoton kampionatin e ardhshëm dhe, sipas një vendimi të marrë së fundmi, bëhet me dije se më 12 shtator nuk do të fillojë sezoni i ri sipas planifikimit të parë, në rast se nuk plotësohen 4 kushte nga Qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë.
Në këtë situatë kërkohet nga qeveria:
1.Miratimi i një ligji të ri për sponsorizimet sipas formës së propozuar nga komuniteti i futbollit, pasi ndryshimet e propozuara nga qeveria nuk kanë asnjë efekt.
2.Përfshirjen e të gjitha aktiviteteve ekonomike të futbollit në TVSH-në e reduktuar në masën 6% si bujqësia dhe turizmi dhe jo vetëm infrastrukturën sportive.
3.Zerimin e gjobave dhe kamatë-vonesave për detyrimet fiskale të prapambetura për të shmangur kolapsin financiar të klubeve.
4.Zgjatjen e efekteve të përjashtimit nga tatimi mbi të ardhurat për sportistët nga 2 në 10 vite.
Këto kushte të vendosura nga Liga Profesioniste e Futbollit duhet të plotësohen nga Qeveria, por ndryshimet në ligj duhet të miratohen nga Kuvendi, i cili nuk mblidhet gjatë këtij muaji. Prandaj pritet që futbolli shqiptar të futet në kolaps.