MENU
klinika

Zbardhet shkaku i masakrës në Buçimas

44-vjeçari tentoi të vrasë të bijën 15 vjeçe, por ndërhyri gjyshja

07.08.2020 - 08:40

Zbardhen detaje të reja nga masakra e ndodhur mbrëmjen e djeshme në fshatin Buçimas të Pogradecit. Të afërmit e viktimës shprehen se e gjithë ngjarja ka nisur për një telefon, që zotëronte vajza 15-vjeçare e autorit.

44-vjeçari Olsi Çekiçi ka dashur të vrasë vajzën e tij për shkak të një telefoni, por ka ndërhyrë nëna e tij për të mbrojtur mbesën e mitur.

Ky ka qenë shkaku i konflikti që fillimisht nisi verbalisht dhe përfundoi me masakrimin e 70-vjeçares Firdes Çekiçi.

Një i afërm i viktimës, shprehet se ngjarja nisi për një telefon, ku 44-vjeçari e ka parë në dorën e vajzës së tij dhe ka tentuar ta vrasë. Nëna është futur për të mbrojtur mbesën dhe e pësoi ajo.

“Shkaku është bërë një telefon që ka gjetur, një telefon të çupës. Për ta mbrojtur gjyshja doli para dhe e pësoi ajo. E ëma ka qenë një njeri shumë i mirë, për mbrojtje për vajzën, ndodhi kjo që ndodhi. Në shtëpi rrinin ato të katër, nuk kishte njeri tjetër. Për telefonin e vajzës iku një jetë“, tha një i afërm i viktimës.

Ai ka akuzuar institucionet që e kanë lënë të lirë 44-vjeçarin, i cili vuante nga problemet mendore, ndërsa shton se ai ushtronte dhunë ndaj të ëmës dhe ajo e kishte denoncuar disa herë, për që ishte tërhequr pasi i dhimbsej se e kishte djalë.

“Për mendimin tim them çfarë është ai doktor që e lëshoi. Ajo ka barë disa denoncime dhe e tërhoqi, se evlat kush do që t’i rrijë djali në burg. Faji këtu është i institucioneve që nuk kontrollojnë“, u shpreh i afërmi.

Në lidhje me ngjarjen e rëndë në fshatin Buçimas në Pogradec ka folur edhe mjeku psikiatër Gentian Cala, i cili ka vizituar më parë  44-vjeçarin me probleme mendore, Olsi Çekiçi.

Ai shprehet se 44-vjeçari vuante nga çrregullimet mendore si pasojë e përdorimit të lëndëve narkotike dhe se nën efektin e tyre dhunonte anëtarët e familjes. Mjeku psikiatër shprehet se autori nuk pranonte të merrte mjekime, ndërsa e ëma, e mbetur viktimë në këtë ngjarje, shkonte shpesh në qendrën e shëndetit mendor dhe kërkonte recetë për të birin.

“Autori i krimit vuante nga çrregullime mendore, të cilat kishin si shkak përdorimin e substancave narkotike. 44-vjeçari, nën efektin e narkotikëve dhunonte anëtarët e familjes. 44-vjeçari nuk pranonte të merrte mjekime. E ëma shkonte shpesh në qendrën e shëndetit mendor dhe kërkonte recetë për të birin“, tha Gentina Cala, mjek psikiatër.