Dy persona të plagosur me armë të ftohtë, dyshohet thikë, janë paraqitur në Qendrën Shëndetësore të Fushë Krujës. Të plagosurit janë baba e bir, Shefqet Stafuka dhe Alban Stafuka, banorë të fshatit Larushk në Fushë Krujë. Shefqet Stafuka është punonjës i Ujësjellësit të Krujës, ndërsa i biri sapo ishte kthyer nga jashtë shtetit.
Janë akoma të paqarta motivet, autorët dhe vendi ku janë plagosur baba e bir. Të dy të plagosurit janë dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë. Ata kanë marrë plagë në disa pjesë të trupit. Babai mësohet se është më rëndë, sepse ka marrë plagë në bark.
Policia e Fushë Krujës ka informuar në lidhje me ngjarjen e ndodhur në fshatin Larushkë. Në njoftimin e policisë, thuhet se babë e bir, janë plagosur me mjet prerës (thikë). Policia thotë se po punon për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe zbuluar autorin.
Njoftimi i policisë:
Informacion paraprak
Më datë 09.08.2020, rreth orës 21:00, në fshatin Larushkë, Fushë Krujë, pas një konflikti të çastit janë plagosur me mjet prerës (thikë), shtetasit Sh.S., 58 vjeç dhe A.S., babë e bir, të cilët janë dërguar në spital nën kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e ngjarjes identifikimin dhe kapjen e autorit.