“Enciklopedia” e financave shqiptare 1839-1934
Jeta dhe vepra e një prej figurave të para dhe me kontribut të rëndësishëm në mendimin ekonomik shqiptar dhe në trajtimin e historisë së financave shqiptare.
Libri i tij “Financat e Shqipnis 1839-1934” është ribotuar në vitin 2016 nga Akademia e Shkencave dhe Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë dhe tashmë gjendet në libraritë dhe bibliotekat e vendit
Nga Adrian Civici
Në historinë e ekonomisë dhe financave të Shqipërisë, në periudhën e Perandorisë Osmane dhe vitet e para të Mbretërisë shqiptare të Mbretit Zog, vepra e Haxhi Shkozës “Financat e Shqipnis 1839-1934”, ish inspektor i përgjithshëm i financave i oborrit mbretëror, është një nga gurët më të cmuar të analizës dhe shpjegimit të kësaj historie.
Libri “Financat e Shqipnis 1839-1934” u botua në nëndor të vitit 1934 nga shtypshkronja “Nikaj”, shtypshkronjë publike e themeluar nga kleriku dhe atdhetari Dom Ndoc Nikaj në vitin 1909 në Shkodër, ndërkohë që në vitin 1920 ndërtoi një shtypshkronjë të dytë në Tiranë, e cila funksionoi deri në fund të Luftës II Botërore.
Haxhi Shkoza është një figurë e rëndësishme me një kontribut të vecantë në trajtimin e historisë së financave shqiptare dhe mendimit ekonomik shqiptar. Ai lindi në Tiranë në 31 mars të vitit 1888, kreu shkollën fillore në Tiranë dhe shkollën e mesme në Manastir.
Zotëronte turqishten, italishten dhe arabishten. Karrierën e filloi si administrator i zyrës së financës në qytetin e Beratit dhe më vonë në administratën financiare të Vlorës. Më vonë, emërohet Drejtor i Drejtorisë së të Ardhurave në Ministrinë e Financave dhe Inspektor i përgjithshëm i Oborrit Mbretëror dhe Drejtor i Përgjithshëm i Kryqit të Kuq shqiptar. Në fund të karrierës së tij, në vitet 1944-1953, punon si shef llogarie në një kooperativë berberësh shërbimesh. Vdes në 23 mars të vitit 1957. Vlerësohet si një nga studiuesit dhe njohësit më të mirë të financave të Shqipërisë së periudhës osmane dhe Shtetit shqiptar të viteve 1912-1934.
Shkoza, si studiues i ekonomisë
Ky libër voluminoz prej mbi 900 faqesh i strukturuar në 78 kapituj, mund të konsiderohet si një nga botimet e para të plota e serioze të historisë së ekonomisë dhe financave të Shqipërisë për një periudhë një shekullore, 1839-1934, që nga koha e reformave të Tanzimatit që prekën vecanërisht trojet shqiptare në aspektin administrativ, legjislativ, financiar e fiskal, deri në vitet e para të Monarkisë shqiptare të themeluar në vitin 1928.
Studiuesi Dashnor Kaloci, në nenvizon faktin se që në momentet e para “botimi i veprës “Financat e Shqipnis” u përshëndet nga mjaft personalitete të larta të asaj kohe, duke filluar nga Kryeministri Mehdi Frashëri, ministri i Financave, Abdurrahman Dibra, sekretari i përgjithshëm i kësaj ministrie, Rrok Gera, ministri i Drejtësisë, Vasil Avrami, ministri i Arsimit, Mirash Ivanaj, kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ali Asllani, drejtori i përgjithshëm i Doganave, Muharrem Kokona etj. Në shkrimet e tyre të publikuara në shtypin e kohës, si dhe në letrat përshëndetëse që ata i dërguan autorit të librit, z. Haxhi Shkoza, ata jepnin vlerësimet e tyre me shumë superlativa për librin, duke nxjerrë në pah vlerat e munguara të atij botimi deri në atë kohë”.
Mjaft domethënës është vlerësimi i Kryeministrit të kohës Mehdi Frashëri, i cili e shpjegon kështu rëndësinë e këtij libri: “Sistemi financiar i Shqipërisë, përbëhet prej dy pjesësh: Pjesa e trashëguar nga Turqia, dhe pjesa e shtuar nga Shqipëria e pavarur.
Një shtet, me dashje apo pa dashje, kur ndahet nga trupi i një shteti tjetër më i madh, medoemos dhe për shumë kohë, i duhet të zbatoj sistemin financiar të shtetit nga ai është trashëguar. Nevojat e mëpastajme të shtetit të ri, shkaktojnë ndryshime në pagesat e vjetra dhe krijime pagesash të reja… Financat shqiptare, akoma mbajnë vulën e këtyre vështirësive.
Z. Haxhi Shkoza, me një mënyrë të pëlqyer dhe shkencore, ka përshkruar origjinën, zhvillimet vijuese për çdo kontribut ose taksë të trashëguar pre regjimit të mëparshëm, ashtu dhe pjesën e modifikuar të Shqipërisë… Me studimin e këtij libri, kanë për t‘u kuptuar arsyet e ndryshimit që ekzistojnë midis sistemit financiar shqiptar dhe shteteve të ndryshme të Perëndimit”.
Ndërsa vetë Haxhi Shkoza, në parathënien e librit, thekson se “në këtë libër jam munduar të përmbledh të gjitha të ardhurat e Shtetit, të vjetra dhe të reja, duke i përshkruar si ka qenë në realitet, parimet që kanë nxitur dhe drejtuar ato. Kam filluar qysh në kohën e Tanzimatit, më 1839, e përfundoj më ligjet e sotme të votuara prej Parlamentit Kombëtar në fund të sesionit të marsit 1934…
Botimi i këtij libri u nxit edhe nga dëshira për të bërë një vepër ku të pasqyrohet zhvillmi historik i financave të Shqipërisë në një formë të përmbledhur dhe kështu të kontribuoj, mbas fuqisë sime, për zhvillimin e studimit të gjendjes financiare të vendit nga një qark sa më i gjerë nënshtetasisht të çfarëdo kategorije, për t‘i shërbyer kështu sadopak qëllimit më të lartë, që është përparimi kulturor i popullit Shqiptar”.
Pjesë interesante të historisë së financave të Shqipërisë në periudhën që analizon Haxhi Shkoza në librin e tij kanë të bëjnë me krijimin e “Bankës Perandorake Osmane” në shkurt të vitit 1863 si një bankë emetimi dhe krediti, e cila mund të konsiderohet si instituti i parë financiar i ndërtuar mbi bazën e kritereve moderne të veprimtarisë monetare bankare në Perandorinë Osmane.
Në viset shqiptare ajo krijoi degë në qendrat e 4 vilajeteve, në Shkodër, Shkup, Manastir, Janinë. Është e para bankë në Perandorinë Osmane, që futi në përdorim kartëmonedhën e qëndrueshme, e cila u përhap edhe në Shqipëri. Ajo është në të njëjtën kohë edhe e para bankë moderne, e cila edhe pse institucion i huaj, ushtroi për një kohë të gjatë veprimtari bankare në viset shqiptare. Themelimi i Bankës Otomane në Shqipëri u realizua në 17 shkurt 1875 dhe vazhdoi aktivitetin në fillim të vitit 1911.
Sipas Haxhi Shkozës, në fillimin e vitit 1913, në Shqipërinë e sapokrijuar, u ngrit për herë të parë një institut financiar me emrin “Banka Kombëtare e Shqipërisë”, themelimi i së cilës u bazua në koncesionin e tetorit 1913, të firmosur ndërmjet qeverisë shqiptare të asaj kohe dhe Baron Karol Pitner dhe Oskar Pollak, përfaqësuesit e Ëener bank Verein me qendër në Vjenë dhe Petro Fengolio e Gido Ansbacher në emër të Banca Commerciale Italiane me qendër në Milano.
Veprimtaria e saj banka e filloi menjë herë në tetor 1913, ndë rkohë që qeveria e Ismail Qemalit i bë ri thirrje shtresave të pasura që mjetet e tyre të lira monetare ti depozitonin në bankë . Por, trazirat e mëdha të brendshme që përfshinë Shqipërinë në periudhën 1914-1920, çuan në mbylljen e këtij institucioni financiar, i cili hodhi themelet e para të krijimit të sistemit bankar shqiptar dhe vetë Bankës Kombëtare të Shqipërisë, e cila do të riorganizohej në vitin 1921 për tu themeluar zyrtarisht në 2 shtator 1925, duke i dhënë vendit monedhën e parë kombëtare shqiptare “frangun ar” me nënfishat e tij në “lekë ”.
Paratë e para të Shqipërisë u printuan në vitin 1926, proces në të cilin u angazhuan disa kompani të huaja prestigjoze për kohën. Për prerjet 5, 20 dhe 100 franga u përzgjodh kompania britanike “Bradbury Ëilkinson&Co, ndërsa për kartmonedhën 1 frangë u përzgjodh kompania italiane “Richter&Co”. Haxhi Shkoza shkruan se kartëmonedhat 1 frangëshe (5 lekë) të printuara nga “Richter &Co” u hoqën menjëherë nga qarkullimi pasi qeveria shqiptare e kohës nuk i pranoi ato për shkak se kartëmonedhat 1 frang (5 lekë) kishin si element identifikues shqiponjën romake me 1kokë dhe jo atë shqiptare me dy krerë. Kartëmonedhat e tjera nga kompania angleze, fillimisht u printuan 5 mijë franga ari, të ndara në prerje 20 frangëshe, që u futën në qarkullim në vitin 1926.
Në librin e tij, Haxhi Shkoza i kushton një pjesë të konsiderueshme historisë së sistemit të taksave dhe rregullave të funksionimit të doganave në Shqipëri. Në periudhën e Perandorisë Osmane 1839-1912, në vilajetet shqiptare, “tagri doganor” ishte i ndarë në katër lloje: konsumin, importin, eksportin dhe trasnzitin, ndërsa veprimet doganore ishin dy llojesh : dogana të jashtëme – që lidheshin me detyrimet doganore kundrejt tregëtisë me vendet e huaja; dhe dogana të brendshme – që kishin të bënin me detyrimet e përcaktuara nga Shteti turk për cdo vend që ishte nën sundimin e Perandorisë Osmane, duke u administruar si “dogana kufijsh”, “dogana toke” dhe “dogana portesh”.
Mbas vitit 1912, doganat dhe administrata doganore shqiptare filloi të funksiononte në bazë të një legjislacioni të ri. Kështu p.sh., sic shpjegon Haxhi Shkoza, u vendos një taksë doganore prej 11% për vlerën e mallrave të importuara dhe 1% për vlerën e mallrave të eksportuara, u vendos një taksë e vecantë 30% për importet e duhanit, etj.
Në vitet e luftës së I-rë botërore, në kohën e Qeverisë së Durrësit, doganat shqiptare funksionuan pak a shumë në funksion të dispozitave doganore të vendeve të ushtrive pushtuese. Nga viti 1920 deri në 1934, sistemi doganor dhe fiskal shqiptar u rriorganizua duke ju referuar në jo pak raste shembujve nga vendet e zhvilluara Europiane. Haxhi Shkoza i kushton vëmendje dhe ligjeve e procesit të modernizimit të gjithë problemeve që lidhen me kontabilitetin, administrimin e sistemit të thesarit, sistemin e pagesave, etj., të konkretizuara në ligjin e posacëm të vitit 1929 “Për administrimin e Pasurisë dhe Kontabilitetin e Përgjithshëm të Shtetit”.
Mjaft interesante janë dhe përshkrimet e analizat në lidhje me mënyrat e mbledhjes së të ardhurave nga koncesionet, sidomos ato të burimeve minerare. Mbasi shpjegon me detaje se si funksiononte sistemi dhe legjislacioni i koncesioneve deri në vitin 1912, Haxhi Shkoza i kushton një vëmendje të vecantë faktit se në vitet 1920-30-të , edhe pse Shqipëria ishte një vend i varfër dhe mjaft i prapambetur ekonomikisht, qeveritë e ndryshme të kësaj periudhe u kujdesën që të hartonin dhe implementonin një legjislacion modern të ngjashëm me vendet e zhvilluara europiane, duke ftuar kompani të njohura të këtyre vendeve të vinin të investonin në Shqipëri, por në disa raste, kur kontratat koncesionare nuk zbatoheshin sipas marrëveshjes, janë marrë masa e vendime për sekuestrimin e garancive të tyre.
Në lidhje me këtë cështje Shkoza shkruan se “në vjetin 1925 janë paraqitë disa shoqnina eksploatuese dhe kanën kërkue konçensjone për kërkim dhe shfrytëzim të vajit të gurit në zona të ndryshme të Shqipnis. Janë bamë konvencione ndërmjet Qeverisë dhe shoqnive të sipërpërmënduna dhe me rradhë i janë parashtrue Dhomave legjislative. Kto janë votue prej Dhomave kohë mbas kohe dhe dekretue e shpallun rregullisht në mënyrë të theksuese. Tue marrë parasysh se me përjashtim të disa ndryshimeve si në zona sipërfaqe, garanci e data të dekretimeve, akt-konçensjonet, po thue janë të kompozuese me dispozita të njëllojshme si me qenë kontrata type. Shoqnitë konçesjonare “Standart Oil Comapany” dhe “H.H. Rustan”, nuk kanë mujt t‘i përmbahen detyrimeve të kontraktuese mbi fillimin e punimeve e të tjera dhe prandaj Qeverija ka marrë vendimet (V.K.M Nr. 543. dt. 14.VI. 1929) e duhuna për sekuestrimin e garancive të tyne dhe janë zbatue”.
Libri “Financat e Shqipnis”
Në librin “Financat e Shqipnis” gjenden dhe mjaft informacione të tjera interesante për mënyrat si ndërtoheshin dhe administroheshin tatimet dhe taksat. Një nga këto ishte p.sh., “taksa e rrugës” si për periudhën Osmane të vilajeteve shqiptare ashtu edhe për vitet 1912-1934. Në vitet 1839-1870, egzistonte një tatim unik për rrugër, të ardhurast e të cilit shkonin kryesisht për ndërtimin e rrugëve, urave dhe hekurudhave, ndërsa pas periudhës së Tanzimatit, 1870-1912, taksat dhe tatimet për rrugët u rregulluan me një ligj të të vecantë, sipas së cilit “cdo mashkull i moshës 16-60 vjec kishte detyrim të punonte 4 ditë në vit për ndërtimin e rrugëve”.
Në vitin 1887, u shtua dhe opsioni I shlyerjes nëpërmjet pagesës pë rata që nuk dëshironin të punonin, ndërsa në vitin 1910, ligji ndryshoi përsëri duke e bërë të detyrueshme vetëm pagesën në para të kësaj takes. Në vitin 1912, rezulton se Shqipëria kishte vetëm 138 km rrugë të ndërtuara. Sipas Haxhi Shkozës, pas shpalljes së pavarësisë, taksa e rrugës vazhdoi të mblidhej njësoj si gjatë periudhave të mëparshme, duke përjashtuar vetëm të huajt nga ky lloj detyrimi.
Haxhi Shkoza tregon dhe “funksionimin e taksës së karantinës në pikat kufitare të Shqipërisë që ju merrej udhëtarëve” që hynin në territoret shqiptare e cila quhej “Taksë shëndetësie personale”, si dhe “taksën veterinare” që paguhej për hyrjen e kafshëve dhe produkteve të tyre, që quhej “Taksë shëndetësie shtazore”.
Madhësia e taksës kategorizohej e diferencohej në bazë të madhësisë së anijeve dhe ngarkesave të tyre. Njëkohësisht paguhej dhe një tarifë shtesë për “dizinfektimin e rrobave”. Ky sistem taksash e detyrimesh mbeti në fuqi deri në vitin 1920, ndërkohë që në një ligj të vecantë të qershorit 1927, urdhërohej që në cdo port të vendit të ngrihen dhe funksionojnë zyrat e shëndetësisë detare dhe rojet shëndetësore, të krijoheshin mjedise karantinimi specifike për njerëzit dhe kafshët.
Libri “Financat e Shqipnis 1839-1934” është ribotuar në vitin 2016 nga Akademia e Shkencave dhe Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë dhe tashmë gjendet në libraritë dhe bibliotekat e vendit, si një burim i rëndësishëm informacioni e analizash mbi gjendjen ekonomike e financiare të Shqipërisë në këtë periudhë, si një pasqyrim i detajuar i politikave ekonomiko-financiare të zbatuara në këtë periudhë interesante të vilajeteve shqiptare nën sundimin Otoman dhe Shtetit të pavarur shqiptar në periudhën 1912-1934.
Prof.Angjeli, vlerëson se “ky nuk është një libër i zakonshëm…..është një libër që specialistët e ekonomisë dhe dashnorët e historisë do ta lexojnë me një frymë…kështu ka ndodhur mua, kështu më kanë dëshmuar se u ka ndodhur dhe shumë kolegëve të mi… për gati 80 vjet me rradhë…sepse bëhet fjalë për një autor të veçantë dhe një libër të veçantë. Një nga ata libra që rrallë vijnë në rafte bibliotekash”.