Futbolli profesionist nuk njeh më besnikëri jo vetëm nga futbollistët, por edhe nga vetë klubet, që të përcjellin me një falenderim. Në futbollin shqiptar ka plot shembuj, i fundit Bruno Telushi. Vlonjati u shpall kampion me Partizanin, luajti edhe një sezon, por nuk iu rinovua kontrata më.
Dhe Telushi është emri më i ri i skuadrës së Kukësit. Ashtu siç pritej, mesfushori i është bashkuar verilindorëve me të cilët do të vazhdojë karrierën e tij në dy vitet e ardhshme.
Pa u ndarë mirë me Partizanin, jo pa polemika, Telushi u takua në zyrat e klubit të Kukësit me drejtuesit e kësaj skuadre duke gjetur shpejt akordin. Ai ka udhëtuar sot në Tropojë për të qenë pjesë e Kukësit në përgatitjet për pjesëmarrjen në Ligën e Europës.
;
NJOFTIMI I KUKËSIT
“Bruno Telushi është zyrtarisht futbollist i Kukësit! Mesfushori 29-vjeçar ka firmosur sot me skuadrën tonë kontratën dy vjeçare. Telushi ka luajtur për shumë vite në Kategorinë Superiore por edhe jashtë, ku së fundmi ishte pjesë e skuadrës së Partizanit ku edhe ka fituar një herë titullin kampion.
Telushi ka kryer vizitat mjekësore dhe më pas ka firmosur kontratën, duke u bërë kështu futbollisti më i ri i skuadrës sonë. Mesfushori vlonjat ka udhëtuar sot drejt Tropojës ku do të bashkohet me ekipin për të nisur përgatitjet për ndeshjen ndaj Slavia Sofias.”