Një ndër ideologët kryesorë të çlirimit dhe bashkimi kombëtar. Vepra dhe gjithë jeta e Hasan Prishtinës, kanë qenë të lidhura ngushtë, me fatin e kombit dhe atdheut./Konica.al
Në datën 13 gusht 1933, agjencitë telegrafike të Ballkanit përcollën lajmin se, në Selanik ishte qëlluar për vdekje ish-Kryeministri i Shqipërisë dhe politikani kosovar, Hasan Prishtina. Lajmi, ashtu siç pritej, shkaktoi pështjellim në gjithë kancelaritë e Ballkanit, por reagimi më i madh, natyrisht ishte nga opinioni publik shqiptar, këndej e andej kufirit.
Vrasja e patriotit Hasan Bej Prishtinës në Selanik të Greqisë, nga një emigrant pothuajse i panjohur, Ibrahim Çelo, jo vetëm që tronditi gjithë opinionin mbarëshqiptar, por dhe hodhi hije të forta dyshimi mbi autorësinë e vërtetë, apo urdhëruesin e kësaj vrasjeje, vetë Naltëmadhëninë e tij Ahmet Zogu. Ky dyshim, vinte jo sepse autori Ibrahim Çelo, deklaroi një gjë të tillë në organet e policisë greke, por sepse mënyra dhe ekzekutimi i vrasjes ishte pothuajse i njëjtë si vrasja e Gurakuqit. Atentatori, ashtu si dhe në rastin e Gurakuqit, ishte një i njohur i vjetër i viktimës dhe të dy martirët e lirisë shqiptare kanë rënë viktima të pabesisë së vrasësve.
Gazeta greke “Të reja nga Maqedonia” përshkruan momentet e vrasjes së patriotit Hasan Prishtina, si më poshtë: Vrasja u krye në orën 2 mbas dite më datë 13 gusht 1933. Në rrugën Çimisqi u pa një zotëri i moshuar, i mbajtur mirë dhe me tipare simpatike, të ecte përkrah e të fjaloste me një person të veshur mirë, i gjallë, sa e tradhtonte dhe toni i zërit. Arritën në kryqëzimin e rrugës Çimisqi-Vogaxhiku dhe po drejtoheshin për tek bakallhane ’’IVI’’ dhe në largësi dy hapa nga kinkaleria e invalidit J.Janopullo. Njeriu me pamje të zymtë nxorri rrufeshëm revolverin e markes ’’SMITH’’ dhe shtiu kundrejt bashkëbiseduesit, i cili ishte Hasan bej Prishtina, që ra në trotuar. Kalimtarët e mbledhur nga të dy të shtënat, panë vrasësin të turret me mizori të parrëfyer mbi viktimën dhe t’i zbrazë edhe tre plumba të tjerë, dy në kraharor dhe të tretën në kokë, si e shtënë vdekjeprurëse, për të qenë i sigurtë për përfundimin e aktit të vrasjes.
Si kuptohet dhe nga përshkrimi i gazetës, ajo duket që ishte një vrasje e porositur, pasi vrasësi në mënyrë makabre, nuk ndalet as kur viktima ishte i rënë përdhe, por e qëllon për t’u siguruar, në kokë. Mirëpo, ajo që i përforcon më shumë bindjet se Hasan Prishtina ka rënë viktimë e ambicieve të mbretit Zog, për të përforcuar pozitat e tij sunduese, janë rrethanat ndërkombëtare dhe koha kur u realizua vrasja.
Hasan Prishtina, një nga krijuesit e Pavarësisë së Shqipërisë, udhëheqësit të kryengritjes së viseve shqiptare në vitin 1913, kundër pushtimit të tyre nga ushtria serbe, restauruesit të pavarësisë shqiptare në 1920 dhe kryeministrit të një qeverie shqiptare më 1922, ishte një nga përkrahësit më të flaktë të përfshirjes së Shqipërisë në problemin kosovar dhe realizimit të një politike më aktive të Shqipërisë, për të realizuar bashkimin kombëtar. Mirëpo këto dëshira dhe plane të tij, binin ndesh me dëshirat dhe synimet e një grupi më të vogël deputetësh dhe politikanësh, që kryesisht vinin nga radha e ish-nëpunësve të Perandorisë Otomane, ku ndjenja nacionale nuk kish zënë vend njëlloj si te grupi i nacionalistëve ku Prishtina, ishte një nga themeluesit e kësaj rryme që në vitin 1910. Mes këtij grupi politikanësh me vizion të ngushtë kombëtar dhe të interesuar vetëm për të përforcuar pushtetin e vet lokal, që e shikonin të ushtruar vetëm brenda kufijve të Shqipërisë, shquante Ahmet Bej Zogolli, përfaqësuesi i një familje lokale fisnike shqiptare që nuk kish shkëlqyer shumë në karrierën perandorake, si familjet e tjera të mëdha shqiptare si: Vlorajt, Vrionasit, Bushatllinjtë, Libohovajt etj.
Ahmet Zogolli i zgjedhur për herë të parë kryeministër në vitin 1922, do të deklaronte nga tribuna e parlamentit shqiptar se “shteti shqiptar është i vogël dhe politika jonë duhet të jetë e qartë, e sinqertë dhe pa iluzione të cilat mund të na dëmtojnë shumë”(me fjalën iluzione nënkupto përkrahjen e kauzës për t’u bashkuar me Shqipërinë të territoreve shqiptare të mbetura jashtë kufijve). Problemi i përkrahjes së popullsive shqiptare të lëna jashtë kufijve apo lënies së tyre në fatin e vet ishte një problem që ndante shumë politikanë kosovarë aktivë në jetën politike të Shqipërisë, si: Hasan Prishtina, Bajram Curri, Kadri Hoxha etj., nga pjesë e politikanëve shqiptarë që dëshironin të konsolidonin në radhë të parë, pushtetin e tyre në Shqipëri, qoftë dhe përmes aleancave me fqinjët. Kjo mospërputhje e madhe për idenë kombëtare dhe mënyrën e ndërtimit të kufijve të shtetit shqiptar i kish detyruar që më herët, në vitin 1918, politikanët kosovarë që të themelonin “Komitetin për Mbrojtjen e Kosovës”.
Në komitet, përveçse politikanëve kosovarë merrnin pjesë dhe shumë patriotë të tjerë shqiptarë, kryesisht politikanë të opozitës shqiptare, që si përfaqësues të shtresës së mesme dhe intelektuale kishin një vizion më të qartë të idesë kombëtare. Një pjesë e madhe e tyre u larguan jashtë atdheut pas rikthimit të Zogut, më dhjetor 1924 dhe përbënë për një kohë të gjatë emigracionin aktiv antizogist dhe alternativën tjetër qeverisëse në rast të ndërrimit të pushtetit në Shqipëri.
Të organizuar në organizata të ndryshme politike sipas bindjeve të tyre, ata nuk përbënin ndonjë rrezik të madh për Zogun, por në momentet kur për shkak të konjukturave politike në Ballkan ata fitonin përkrahjen e ndonjë fuqie të madhe ktheheshin në një rrezik potencial për regjimin zogist. Kjo ishte dhe një nga arsyet që Zogu, herë pas here mundohej të godiste politikisht cilindo nga këto grupe emigracioni, për të siguruar pozitat e veta në Shqipëri, por dhe për të dhënë mesazhin e duhur Italisë, si të vetmes fuqi të madhe që i ishte dhënë përparësi në Shqipëri, se ai ishte i vetmi partner që duhej të merrej në konsideratë. Mirëpo gjërat filluan të ndryshojnë aty rreth viteve 1931-1932, kur u kuptua se shteti shqiptar nuk kishte aftësitë e duhura financiare për të paguar kreditë e marra nga italianët, që me nënshkrimin e paktit të vitit 1926. Në këto kushte, italianët filluan të bënin presion ndaj Zogut, duke i avancuar kërkesat rreth prezencës së tyre në Shqipëri. Kështu, në këmbim të shtyrjes së kthimit të interesave të kredisë, ata kërkuan që në krye të xhandarmërisë shqiptare të vendoseshin oficerë italianë dhe t’i jepej mbretërisë italiane monopoli i sheqerit, telegrafit dhe elektrikut. Siç mund të kuptohet lehtë nga këto kërkesa, politika italiane kërkonte që të vinte nën një diktat edhe më të rëndë mbretërinë shqiptare dhe të shtronte rrugën për pushtimin e mëvonshëm të Shqipërisë.
Këto kërkesa, që çonin në pakësimin e sovranitetit të Shqipërisë, natyrshëm e shtynë mbretin Zog që t’iu kundërvihet dhe të përpiqej të hartonte një politikë të re të jashtme. Vitet 1931-1935, sipas Prof. Paskal Milos, janë vitet kur Zogu përpiqet të luajë një politikë të pavarur të jashtme dhe për këtë gjë tenton afrimin politik dhe me fuqi të tjera të mëdha dhe me shtetet e tjera në Ballkan. Si zakonisht, në raste të tilla kthesash politike trokitet te miqtë e vjetër, që në rastin e Zogut, ishte mbretëria serbo-kroate-sllovene. Në këto kohë po bëheshin përgatitje për Paktin Ballkanik dhe Zogu dëshironte t’i bashkëngjitej kësaj iniciative. Në themel të këtij pakti ishte rregullimi i marrëdhënieve diplomatike dhe shuarja e kontradiktave për kufijtë midis shteteve ballkanike, gjë që në fakt shkonte në kundërshtim me politikën italiane që dëshironte të mbante ndezur vatra konflikti për ta pasur më të lehtë ndërhyrjen në Ballkan. Për ketë arsye, ata sponsorizonin dhe përkrahnin çdo lëvizje që nga ta, konsiderohej si irredentiste, por në thelb ishin lëvizje-protesta ndaj padrejtësive që u ishin bërë popullsive në Ballkan, për të krijuar Serbinë e Madhe, Greqinë e Madhe dhe Bullgarinë e Madhe. Mes këtyre lëvizjeve që nga viti 1925,të patriotëve kroatë, sllovenë dhe maqedonas ,të gjithë përfaqësues të popullsive që vuanin nga shovinizmi serb, diplomacia italiane ishte në kontakt dhe me eksponentë të Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës dhe Hasan Prishtinën si një nga udhëheqësit e këtij komiteti.
Hasan Prishtina kishte zgjedhur për të jetuar në Selanik, si një qytet ku ai kish mbaruar studimet e shkollës së mesme, por dhe sepse ishte afër Shqipërisë dhe Kosovës, nga ku mund të vazhdonte të influenconte në jetën politike të vendit. Duke qenë se ai vinte nga një familje e pasur, kishte blerë një shtëpi në një nga lagjet e pasura të Selanikut dhe një pjesë të pasurisë së tij e përdorte për të sponsorizuar të rinj kosovarë që dëshironin të shkolloheshin. Në fakt, në momentet e vrasjes së tij, ish-kryeministri i Shqipërisë, nuk paraqiste ndonjë rrezik të madh për Zogun, që e kish konsoliduar pushtetin e tij tashmë në Tiranë, por si mbështetës i idesë për një bashkim të Kosovës me Shqipërinë, përbënte rrezik për mbretërinë jugosllave. Në këto vite, në bisedimet që Zogu filloi me jugosllavët për të fituar mbështetje diplomatike ndaj Italisë, u fol dhe për një kredi jugosllave që do t’i lëvrohej, për të mos qenë më i varur financiarisht nga italianët. Zogu, si një feudal tipik intrigant edhe pse e dinte se lëvizja e vitit 1932 kundër tij, kish qenë e organizuar nga legata jugosllave në Vlorë, nuk e kishte për gjë të hynte në marrëdhënie me ta, me kusht që t’i shtynte ditët mbretërimit të tij, që nga lakmia që kish pasur për para dhe pushtet, e kish dënuar me vdekje, me paktet e Tiranës të nënshkruar me italianët, në mesin e viteve 20.
Koha dhe mënyra sesi u procedua të shtyn të mendosh se vrasja dhe eliminimi fizik i patriotit Hasan Prishtina, i datës 13 gusht 1933, ka qenë një pjesë e marrëveshjes dhe besnikërisë që Zogu po u tregonte jugosllavëve, për ta pasur dhe më të lehtë aderimin në Paktin Ballkanik. Pakti Ballkanik po ndërtohej me insistimin diplomatik të Francës, e cila kishte si shtet të përkëdhelur të saj në Ballkan, mbretërinë jugosllave dhe Zogu e kuptonte se për të fituar simpatinë e fuqive të tjera evropiane, rruga i kalonte nga Beogradi. Si një bashkëpunëtor i vjetër i tyre, Zogu i njihte mirë dëshirat dhe kushtet e afrimit me ta, ndaj dhe Zogizmi si rrymë mendimi që mbizotëroi në Shqipëri, pavarësisht një shashke propagandistike të vitit 1928, kur Zogu u shpall mbret i shqiptarëve dhe ky përcaktim solli një notë proteste nga ana e Beogradit, në përgjithësi insistoi që kombi shqiptar shtrihej vetëm brenda mbretërisë shqiptare dhe nuk shkaktoi ndonjë rrezik diplomatik për mbretërinë jugosllave. Kështu ish-kryeministri i Shqipërisë dhe burri i shtetit shqiptar Hasan Prishtina u zgjodh për t’iu bërë kurban një kombinacioni politik të dështuar që në fillim, pasi loja që dëshironte të luante Zogu, nuk mund të kishte sukses, pas nënshtrimit total prej gati 8 vjetësh, që ai kish bërë ndaj Italisë fashiste. Për më tepër, ky kombinacion politik nuk u shkonte për shtat shqiptarëve në atë kohë, pasi çimentonte ndryshimet territoriale që ishin bërë me pa të drejtë mbi kurrizin e popullsisë shqiptare në rajon dhe e varroste për së gjalli ëndrrën e bashkimit të tyre kombëtar.
Qëllimet e vërteta të vrasjes së Hasan Prishtinës, kuptohen tërthorazi dhe nga deponimet e vrasësit Ibrahim Çelo, në policinë greke, ku sipas gazetës “Të reja nga Maqedonia”, ai deklaroi se akti i tij u dedikohet motiveve politike. Ndërkaq, pretendoi se ish-kryeministri i atdheut të tij, ishte komit dhe bashkëpunonte me komitetin bullgaromaqedonas me qëllim që të vrisnin mbretin e Shqipërisë, Ahmet Zogun. Planet, thotë antetatori, m’i tregoi Hasan Prishtina përpara pesëmbëdhjetë ditëve, kur po vinim prej Vjene (Austri) dhe më bënte presion që të bëhesha unë kryetar i bandës komite dhe të shkoja në Tiranë, ku të vrisja mbretin, Ahmet Zogun. Prishtina, vijon vrasësi, më premtoi shpërblim mujor dhe një shpërblim dhuratë mbas aktit të vrasjes, por unë i kundërshtova këto propozime të tij, sepse jam pro regjimit te mbretit Ahmet Zogu dhe nuk dëshiroja të bëhem vegël e Hasan Prishtinës, të cilin në Shqipëri e quajne tradhtar. Pra, siç mund të kuptohet lehtë, Hasan Prishtina prishte gjumin e monarkisë jugosllave, prandaj u përzgjodh për t’u vrarë në afrimin politik të radhës, të Zogut me serbët, por si zakonisht, për t’i dhënë më tepër besueshmëri aktit u deklarua se ai planifikonte dhe vrasjen e mbretit Zog, nëpërmjet një tregtari frutash që banonte në Nicë të Francës! Ironi më të madhe, nuk mund të kishte dhe regjimi zogist sado që mundohej të justifikohej, se s’kishte gisht në këtë punë, për gjithë opinionin publik ishte e qartë se po shënonte vrasjen politike të radhës.
(Festimet e 100-vjetorit të pavarësisë, nuk mund të shmangin nderimet dhe homazhet që meriton figura e Hasan Prishtinës, si hartuesit të planit të kryengritësve shqiptarë prej 14 pikash, në gusht të vitit 1912, për pavarësinë e Shqipërisë, ish-kryeministër dhe burrë shteti shqiptar, por në të njëjtën kohë, këtyre homazheve dhe nderimeve, nuk mund t’i bëhen në të njëjtën kohë, një figure të errët si Ahmed Zogolli, pasi historigrafia ende vazhdon të jetë e ngarkuar emocionalisht dhe nuk e ka thënë përfundimisht, fjalën e vet. Deri atëherë, shteti shqiptar mund të bëjë diçka më të mirë, të ndërtojë një monument të Hasan Prishtinës në Tiranë dhe përpiqet që t’i kthehet prona nga shteti grek, pasardhësve të Hasan Prishtinës, pasi kështu të paktën i kthejmë një borxh moral sado të vogël, këtij burri të madh shteti. / Nga Dorian Koci)
Burime
1. Akademia e Shkencave të Shqipërisë:Historia e Shqipërisë,Vëllimi 2, grup autorësh.Toena, Tiranë:20022. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit: Hasan Prishtina (Përmbledhje dokumentesh 1908- 1934), Tiranë, 1983.3. Ferraj , Hysamedin: Skicë e mendimit politik politik shqiptar.Tiranë,20064. Fisher, Bernd : Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri,Tiranë 20065. Haxhiu, Ajet: Hasan Prishtina dhe Lëvizja patriotike e Kosovës, Tiranë, 1964.6. Llalla, Arben. Si u vra Hasan Prishtinahttp://noa.al/ks/artikull.php?id=2178957. Rothschild, Joseph. Europa Lindore dhe Qendrore midis dy luftërave botërore, Tiranë 20028. Skëndi, Stavro: Zgjimi kombëtar i shqiptarëve, Tiranë,2002