Rezultatet e vettingut dhe lufta ndaj korrupsionit do të jenë elementët që do të bindin vendet skeptike në dhënien e votës pro hapjes së negociatave të integrimit të Shqipërisë.
Drejtori i Zgjerimit në KE, Danielsson i kujton politikës shqiptare se dera është e hapur, por për këtë duhen hapa të qartë.
Për Ministrin Bushati, rëndësi të madhe ka procesi i “screening”. Ndërsa presidenti Meta kërkon dialog për realizimin e reformave.
Vendet e Bashkimit Evropian do të japin votën pro Shqipërisë në qershor nëse do të realizohet reforma në drejtësi dhe do të ketë rezultate konkrete në luftën ndaj korrupsionit.
Gjatë seminarit për impaktin e negociatave në administratë, Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Christian Danielsson, i kujtoi politikës shqiptare se dera e BE është e hapur, por vetëm në këtë mënyrë do të binden vendet skeptike.
“Mund të bindni vendet skeptike të unionit duke vijuar me procesin e vettingut si dhe duke dhënë rezultate konkrete kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.”
Ministri i Jashtëm shqiptar, shprehu besimin se procesi i “screening” është mundësia e vetme për të bindur vendet e unionit.
“Krahas përgatitjes për këtë proces, angazhimet ne të fillojmë ti përkthejmë që tani në ligje dhe politika konkrete dhe forcim burimesh njerëzore për të mos pritur afatin e fundit. Kurrë nuk ke një shans të dytë për të lënë përshtypjen e parë.”
Më herët zyrtari i KE-së zhvilloi edhe një takim me kreun e shtetit Ilir Meta, i cili i bëri thirrje të gjitha palëve që të angazhohen me dialog për të zbatuar reformat që i hapin rrugën Shqipërisë në BE.
Danielsson u prit edhe nga kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ku në qendër të diskutimeve ishte integrimi i vendit dhe angazhimi i opozitës në këtë proces.