Projekti i ndërtimit të rrjetit të ri të kanalizimeve dhe rehabilitimi i Rrugës së Durrësit ka hyrë në fazën përfundimtare. Gjatë kësaj faze do të kryhet lidhja e rrjetit nga kryqëzimi të ish “Kafe Flora” deri te sheshi “Skënderbej”.
Për këtë qëllim, nga dita e Hënë, do të ketë kufizim të qarkullimit në segmentin e rrugës së “Durrësit”, nga kryqëzimi me rrugën “Mine Peza” deri te sheshi “Skënderbej”, si dhe pjesërisht në Unazën e Vogël të qytetit, rruga “Ded Gjo Luli”. Për mbarëvajtjen e punimeve, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake dhe Policinë e Shtetit, kanë organizuar një plan masash për realizimin në kohë të këtij projekti.
Për këtë periudhë, qarkullimi i automjeteve do të bëhet:
a) për Unazën e Vogël, lidhja e rrugës së Durrësit me sheshin “Skënderbej”, punimet do të kryhen vetëm natën, jo me bllokim të plotë të Unazës, në mënyrë që qarkullimi i automjeteve të jetë i lirë në Unazën e Vogël, rruga “Ded Gjo Luli”.
b) rruga “Durrësit” dhe rruga “Mine Peza”, segmenti i saj nga rruga “Fortuzi” deri te lidhja me “Unazën e Vogël”, do jenë plotësisht të bllokuara dhe me ndalim qarkullimi për një periudhe disa ditore.
Linjat e transportit publik që qarkullojnë në rrugën e “Durrësit” dhe rrugën “Mine Peza” aktualisht do të devijohen për në rrugën “Asim Vokshi”, me vijim në bulevardin “Zog I”, si dhe drejtimi i tyre qendër për në rrugën “Dritan Hoxha” do të devijohen në rrugën e “Barrikadave”, me vijim në rrugën “Asim Vokshi”.
Qarkullimi i mjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit, do të jetë i mundur gjatë gjithë fazës ndërtimore.
Krahas investimeve për rrugët e reja, Bashkia e Tiranës po kryen disa ndërhyrje edhe në rrugë ekzistuese që konsistojnë jo vetëm në asfaltim, por dhe në rinovimin e plotë të rrjetit të kanalizimeve me materiale sipas standardeve më të larta.