MENU
klinika

Sulmi i Aida Shtinos ndaj mjekëve/ “Po kalojmë vetëm fillimin e luftës”

Prof.Dr. Edvin Prifti: Pse celularët nuk lejohen tek spitalet Covid

16.08.2020 - 12:21

Prof.Dr. Edvin Prifti

Covid19 tashmë është një realitet dhe midis nesh, dhe kjo duhet të jetë e qartë edhe për mosbesuesin më të madh ndër ne. Realisht, po kalojmë vetëm fillimin e luftës ndaj Covid19, dhe sigurisht të gjithë kanë nevojë për përkrahje, por më shumë kanë mjekët dhe infermierët si dhe të sëmurët vetë.

Të gjithë ne e kemi të gjallë duartrokitjet përpara spitaleve, të policëve, zjarrëfikësve, popullit të thjeshtë, ovacione nëpër ballkonet e shtëpive, në nder te mjekëve dhe gjithë personelit mjekësor, që u bënë në vende të tjera sikurse Itali dhe Spanjë, por edhe ne Shqipëri. Ky ishte edhe sensi i asaj mirënjohje të pashprehur, të fshehur diku në skutat e errëta sociale, një frymë solidariteti që bota nuk e sheh shpesh. Kjo ishte edhe ajo pak mirënjohje që u bëhej këtyre njerëzve që luftonin me sëmundjen, jo vetëm me Covid19 por me cilëndo sëmundje. Sigurisht që edhe në këtë vëndin tonë të vogël, në cepin e bukur të këtij globi që çuditërisht fati na e ka dhuruar dhe jo për ndonjë cilësi apo virtut të vëçantë, edhe shumë shqiptarë e mendojnë kështu, por jo të gjithë.

Përpara disa ditësh lexoja një status të Zj. Aida Shtino në lidhje me mjekët se si ata do të përballen me turmat e ngrefosura dhe të ndjellura, në eklipset e orgazmës së injorancës që i bëhej thirrje. Më erdhi aq keq se shikoja se si veniteshin gjithë ato ovacione dhe falënderime, këngë ndaj personelit mjekësor që këndoheshin nga ballkonet e shtëpive ndërkohë që ishim në karantinë. Me dukeshin bashkëkombësit e mi disa imitues te vegjël dhe një shprehje aspak e sinqertë e asaj mirënjohje. Prita pak, me shpresë që kolegët e mi që janë aty në spitalet ku përballen në mënyrë direkte me Covid19 të jepnin ndonjë përgjigje. Nuk pati, ose të paktën unë nuk jam në dijeni. Në të vërtetë u pezmatova dhe indinjova pak, pasi shpresoja në një përgjigje të atyre që përmenden, por pastaj u kujtova që janë të mbështjellë në veshjet e tyre anti Covid19, të mbuluar me maska dhe doreza me orë të tëra, që edhe mundësi të përgjigjen në telefon nuk kanë, ku punojnë me orare të zgjatura dhe kohë për nevojat e tyre personale nuk kanë. Për rrjedhojë mendoj, pa dyshim që duhen thënë disa të vërteta, disa të vërteta ta pamohueshme dhe të patjetërsueshme. Mund të kisha zgjedhur rrugën e vëzhguesit dhe oportunistit, por realisht nuk munda.

Nuk dua të bëj asnjë replikë me Zj. Shtino, edhe pse për shumë vite që isha jashtë, e ndiqnim me shumë vëmendje kur ajo kërkonte me të drejtë njerëzit e humbur, pasi edhe ne, qindra mijërat që kishim lënë vendin tonë, ishim në njëfarë mënyre të humbur diku. E ndiqja dhe mendoja se sa fisnike është edhe një shpirt i gjetur dhe rikuperuar pranë familjes. E pra imagjinoni se sa shumë vlerë ka një shpirt dhe një jetë e fituar, të cilën e tërheqim me forcë, egërsi dhe zgjuarsi, dhe ngandonjëherë edhe me dredhi nga kthetrat e vdekjes. Zj. Shtino, keni shumë ngjashmëri me mjekët në rast se realisht emisioni juaj ka qenë pjesë përbërëse e ndjenjave tuaja.

Në këtë kontekst nuk kam se si mos të prononcohem mbi atë çfarë ajo shkruajti pak ditë më parë. Shpresoj shumë të jetë thënë në një moment zemërimi dhe jo e menduar mirë. Gjithsesi qëllimi im nuk është aspak replika me ju edhe nëse e mendoni realisht sikurse e keni shkruar dhe përpiluar në statusin tuaj. Qëllimi im është që ti pritet rruga këtyre monologjeve të panevojshëm për kërkënd, dhe eventualisht numri i atyre që e mendojnë si ju të jetë sa më i pakët.

Pikërisht në datë 13 gusht 2020 ju shkruanit statusin tuaj, i cili për fat të keq u publikua edhe nga shumë masmedia dhe portale. Kjo është normale pasi show mediatik është i nevojshëm për mbijetesën e tyre, paçka moralit që tejçohet apo nuk tejçohet. Ju shkruanit:

“A mundet tiu bëj një pyetje doktorëve tanë të “çmuar” përse nuk ju lejojnë të sëmurëve me covid që janë të shtruar në spital telefon..??????

Kush është arsyeja , që nuk i lejojnë të flasin me të afërmit e tyre…?????? A jeni në terezi ti Ministre Manastirliu dhe ti Kryetare e Komitetit Rakacolli me Pipero e kompani …..??????

A i keni trutë në kokë, apo ju kanë vaksinuar juve përpara, se që të jeni kaq të pashpirt nuk ma priste mendja kurrë…..

A do ta mbani dot turmën kur tiu vërsulen, sepse po ju ” zhduken” të afërmit!!!!!!!!

A jeni në dijeni se çfarë jeni duke bërë ??????????

A i këni trutë në kokë ju doktoresha a keni femijë e prindër në shtëpi ju ??????????

Kush është arsyeja që nuk ju lini telefon kush??????

Një gjë po ju them mbajeni mend, se nuk do të arrini të përmbani me turmen e tërbuar , që do tiu vërsulen nga zemërimi , sepse po i ktheni në kavie laburatori te afërmit e tyre….dhe aty jo polici, po as ushtri nuk i bën dot zap….”,

Realisht nuk kam gjetur asnjë fjalë për të komentuar se çfarë shkruhet në këto pak rreshta, përveç një mllefi të akumuluar, të ndërthurur me disa elementë vulgarë, skolastikë, zgjidhje drastike dhe tragjike nëpërmjet dhunës dhe eliminimit fizik, linçimit dhe broçkulla të tjera tipike të një revolucioni oriental-taleban si këto. Më vjen keq që përfundohet këtu. Mbase jeni të tejlodhur me këtë situatë, por për fat të keq ky është fillimi, dhe këtë e kemi bërë të qartë shumë muaj më parë. Mbase jeni të ngarkuar nga humbjet në njerëz?! E kush nuk është! Mbase jeni të tejngopur me masat dhe distancimin fizik?! Pa dyshim të tërë jemi. Mbase jeni të çproporcionuar dhe ndiheni të shpërfytyruar dhe tjetërsuar me mënyrën e re të jetesës që është mëse evidente tashmë?! Kush prej nesh nuk është! Të gjitha mund të jenë të vërteta por asnjëra nuk justifikon reagime të tilla shfryrëse dhe mbjellëse të një fare jo të mirë, jo qytetare dhe aspak normale.

Keni ngritur një piramidë prej kartoni mbi faktin e thjeshtë që pacientëve nuk ju lejohen celularët në ambjentet e spitalit. Më lejoni tju jap disa shpjegime teknike dhe profesionale në lidhje me këtë. Keni udhëtuar ndonjëherë me avion Zj. Shtino? Patjetër që po. Besoj e dini që celulari duhet fikur ose eventualisht të vendoset në modalitetin Airplane mode. Besoj keni vizituar muzeume të veçanta, konferenca, kongrese, simpoziume dhe shumë ambiente të tjera ku celulari nuk lejohet. Gjithashtu keni studiuar në bibliotekë ku celulari është totalisht i ndaluar. Besoj e dini që edhe në burg nuk lejohen celularët gjithashtu? Përse nuk e ngrini zërin tuaj si përfaqësuese e shoqërisë civile, pasi në të gjitha këto ambiente ka patur raste të humbjes së jetëve, në avionët që rrëzohen, burgjet ku vdesin të ndaluarit, po ashtu edhe në ambiente të tjera ndodhin vdekje të papritura sikurse nga infarkti, çarja e aortës etj, dhe askush nuk ngre problemin e celularëve.

Njëkohësisht në çdo spital të vendeve të zhvilluara në repartet ku pacientët janë rëndë, nuk lejohen celularët. Po ashtu në asnjë terapi intensive nuk lejohen celularët! Njëkohësisht, në reparte ku trajtimi i sëmundjes është konsekutiv dhe impjenativ, me shumë vizita të mjekëve, me hulumtime, ndjekje të vazhdueshme, veçanërisht kur vetë mjekët mund të jenë të kërcënuar për tu kontaminuar ata vetë, do të ishte e pakuptimtë që sa herë mjekët apo infermierët tu duhet të diskutojnë mbi gjendjen e pacientit tek koka e tij, ju duhet ti luten pacientit që të fikë celularin, apo ndërkohë që ata diskutojnë shkencërisht për të ndjekur një linjë terapeutike apo tjetrën, celulari bie, dhe ndërkohë që ndalon njëri fillon celulari i pacientit ngjitur, dhe kështu gjithë diskutimi shkencor humbet, i gjithë debati mjekësor në ndihmë të të sëmurit, përfundon në një konkluzion të thjeshtuar dhe përshpejtuar, pasi dikushi do të flasë gjerë e gjatë me pacientin në celular. Unë e kuptoj këndvështrimin tuaj, që e konsideroni spitalin një vend të rutinave të përditshme, si një ofiçinë makinash apo supermarket, por nuk është aspak kështu.

Në spital, mjekët në shumë raste duhet të mendojnë, të shfletojnë literaturë dhe të jenë në komunikim të vazhdueshëm për të dhënë një zgjidhje të caktuar dhe kjo do përqendrim. Spitali duhet të jenë vendi i qetësisë, i prehjes, i gjetjes së shpresës së zgjidhjes dhe jetës, por edhe në raste të vdekjes e cila duhet të vijë sa më e qetë dhe pa dhembje. E pra i tërë ky proces ka nevojë për gjykim tempestiv të stafeve mjekësorë, ka nevojë për konsulta, për rrahje mendimesh, për studime të thelluara ngandonjëherë, për qetësi dhe mungesë absolute presioni nga cilido. Kjo është çfarë një spital duhet të ofrojë, dhe mbase vetëm një muzikë e lehtë në sfond diku në fund të korridoreve mund të jetë deri diku e lejueshme dhe asgjë tjetër, asnjë formë histerie, paranoje, presioni, zhurme dhe këlthitje apo ulëritje. E pra, i keni parë spitalet tona? Sigurisht për këtë ju nuk flisni dhe nuk e përshkruani! Janë të mbushura me gjëra të tilla, pasi ne kështu jemi të gatuar, kjo edhe për fajin e atyre që të gjitha shtizat e vetëtimave të Zeusit ua drejtojnë mjekëve, pa marrë në konsideratë karakteristikat tona si popull, që kur ndodhemi përballë fatkeqësive çjerrim faqet me ulërima dhe ia hedhim fajin kujtdo vetëm fatit asnjëherë, që nga mënyra se si e gjykojmë fatkeqësinë, për të mos marrë në konsideratë koefiçientin e varfërisë së institucioneve tona shëndetësore, financimin e tyre, trashëgiminë nga e kaluara, numrin e punonjësve të kualifikuar, pagesat e tyre, nivelin shkencor e shumë e shumë variabla të tjerë. Por pa dyshim, edhe duke i mbledhur të gjithë, përballja me një sëmundje të re ka më shumë nevojë për qetësi, mos interferencë në gjykim, kolegjialitet përveç çdo elementi tjetër që sapo e përmenda. Paçka gjithë kësaj, edhe pse jap gjithë këto shpjegime, mendoj që në rastet e lehta, pikërisht për arsyet e mësipërme të bazuara në infrastrukturën e trashëguar, si dhe për karakteristikat e popullit tonë, mund të kenë mundësinë e kontaktit me familjen në një orar të caktuar pasdite nëpërmjet një linje të dedikuar, të ofruar nga vetë spitali. Gjithësesi, informimi i familjarëve të çdo pacienti duhet të jetë i përditshëm, dhe është detyrë e institucionit pa dyshim nëpërmjet mjekëve të ketë një orar të caktuar për dhënien e informacionit përkatës dhe kjo është e panegociueshme në çfarëdo rasti.

Në rast se ju mendoni se celulari duhet që të bëhet ndonjë filmim apo foto, kjo është absolutisht jo normale dhe etike, pasi aty ku mbaron e drejta e njërit, fillon e drejta e pacientit tjetër. E pra nuk është e pranueshme që xhirime të pa autorizuara të individëve në kushte vuajtjeje ekstreme të qarkullojnë pa aprovimin e tyre dhe të familjarëve të tyre. Kjo është absolutisht e palejueshme në një shoqëri civile. Mas media i ka të të tëra mundësitë e investigimit dhe filmimit me leje apo pa leje në bazë të ligjeve në fuqi.

Mendoj që ky është një shpjegim i detajuar në lidhje me çështjen e thjeshtë në dukje që ju keni ngritur. Por unë do doja të qëndroja pak në ato çfarë shkruhen më poshtë me të cilat nuk mund ti pranoj kurrësesi. Anatemimi i mjekëve duke i konsideruar “të çmuar”, të pashpirt, “po zhdukni të afërmit..”, “i ktheni në kavie laboratori..” etj. Në radhë të parë me aq sa e kam njohur zj. Shtino dhe parë gjithashtu, nga vetë forma e saj antropologjike dhe gjenetike, shumë paqësore dhe e këndshme, simpatike dhe intelektuale, nuk mund të prisja elementë të tillë gjuhësorë drejtuar ndaj nesh. Gjithësesi mendoj që ky degradim I entitetit të mjekut që mundohet të bëhet, ky stërmundim me një gjuhë jo të përshtatshme dhe fyese mendoj se kërkon një përgjigje. Do të jepja disa të dhëna të këtyre njerëzve “të pashpirt” në konsideratën e saj, mjekët shqiptarë për të cilët flitet.

Pa dyshim që mjekët tanë janë të çmuar Zj. Shtino, shumë të çmuar aq sa nuk jua merr dot mendja, aq të çmuar janë sa shkon përtej çdo koncepti ekonomik që një shtet normal mund të ketë. Dhe një nga arsyet qëndron edhe në faktin që në atë urrejtje (vulgo odio) që disa si ju nxisin në mënyrën më absurd, shumë prej nesh janë larguar, largohen përditë dhe me shumë gjasa do të largohen, dhe atëherë do tju duhet të importoni mjekët tuaj të preferuar nga Etiopia apo Bangladeshi të cilët mbase do të jenë “të preferuarit tuaj të çmuar” paçka se duhet tju mësoni gjuhën, zakonet, teknologjinë, etj. Gjithsej në Shqipëri kemi vetëm 3000 mjekë, dhe më pak se gjysma janë mjekë specialistë, dhe vetëm 200 janë mjekë universitarë. Pa dyshim që ka më shumë mësues, policë, ushtarakë, mbase edhe gazetarë. Ç’është më paradoksale, ka më shumë politikanë se sa mjekë, mbase ka më shumë edhe të profesioneve të tjera, politikanë që duhet të kishin shëruar me kohë varfërinë dhe vuajtjet e këtij populli, dhe ti kishin kthyer shpresën. Numrat e këtyre mjekëve janë në zvogëlim të vazhdueshëm. Mbase kthimi i Shqipërisë në “Jurassic Park” për shkak të pandemisë, dhe kjo jo për faj të mjekëve shqiptarë, do të frenojë eksodin e tyre, por kjo mbetet për tu parë.
Pa dyshim që mjekët shqiptarë janë njerëzit me shpirtin më të madh në këtë vendin tonë. Kanë shpirt aq të madh secili prej tyre sa nuk mund të krahasohet me shpirtin e shumë të tjerëve që s’kanë bërë dhe s’bëjnë asgjë, për të mos llogaritur të tjerë që i kanë bërë gjërat keq apo gabim. Shpirti i tyre, është kur çdo ditë luftojnë me vdekjen dhe kur e fitojnë atë betejë shkojnë euforik në familjet e tyre dhe gëzohen me ta se kanë patur një ditë të bukur duke shpëtuar dikë, dhe kur e humbin zhyten në pezmin e vrarjes së ndërgjegjes së vetvetes duke i bërë pyetje vetes, sikur të kisha bërë diçka ndryshe, dhe kjo i shoqëron për tërë jetën e tyre. Po ju Zj. Shtino këtë nuk mund ta dini dhe nuk keni patur kurrë fatin ta provoni. Kanë një shpirt aq të madh, dhe një dashuri aq të madhe, sa nuk e gjen në ato vende ku shëndetësia e zhvilluar bazohet në mekanizimin e gjithshkaje. Ajo që në popull njihet si humanizëm dhe që në të vërtetë është një rrymë filozofike, ka të bëjë me dashurinë ndaj jetës dhe njeriut, por absolutisht nuk ka të bëjë me dëshirën për të qënë shërbëtorë, apo njerëz të anatemuar. E pra duhet ta dini, që humanizmin, përveç se në Fakultetin e Shkencave Sociale ku studjohet si rrymë filozofike mund ta vrojtoni nga afër tek çdo mjek shqiptar kur e takoni.

Janë njerëzit më të shkolluar, jo vetëm në Shqipëri, por kudo në botë, janë njerëzit që sakrifikojnë rininë e tyre dhe deri në moshën 30-35 vjeçare studjojnë vetëm që të fillojnë të punojnë pas kësaj moshe, dhe përsëri akoma asgjë nuk ka përfunduar, pasi ky është vetëm fillimi për ta.

Janë njerëzit më të papaguar për atë çka prodhojnë dhe investimin që kanë bërë në jetën e tyre. Paguhen aq pak dhe në mënyrë aq banale, dhe përsëri e pranojnë. Ju mund të thoni ryshfeti, korrupsioni, lekët në derën e spitalit, apo të tjera, por të gjitha këto janë të papërfillshme me atë çka ata absolutisht meritojnë. Jam I sigurtë që të ardhurat e shumë punonjësve në institucione të ndryshme private janë shumë më të larta krahasuar me nivelin më të lartë të mjekëve. Kjo vlen edhe per ato institucione shtetërore kur me justifikimin e shoqërive aksionere, punonjës edhe nën 30 vjeç paguhen me një rrogë shtetërore 4-5 herë më të lartë se të mjekëve të Qëndrës Spitalore Universitare të Tiranës, dhe kjo pa asnjë bazë vlerësimi dhe produktiviteti.

Konceptet konspirative sikurse po zhduken “të afërmit apo njerëzit po bëhen kavie?, jo vetëm që nuk ekzistojnë por edhe nëse ju hidhni hipoteza të tilla, kush më mirë se sa ju mund ti vërtetojë ato?! Jeni gazetarë investigativë dhe për këtë mund të proçedoni, dhe jo të mbeteni në këto shprehje “eufemiste” që mbeten në kuadrin e një retorike e cila është aq epshndjellëse barbarike.

Këta mjekë të paçmuar në luftën me Covid19 deri tani kanë humbur tre anëtarë të tyre të cilët u infektuan, u sëmurën dhe më pas vdiqën duke iu shërbyer në atë mënyrën “e pashpirt” qe ju shkruani ndaj “kavieve” që përdorni në terminologjinë tuaj. Kjo është e papranueshme. Me dhjetra mjekë të tjerë u infektuan dhe shumë prej tyre përfunduan në terapi intensive. E sa të tjerë do vazhdojnë pas tyre?! E pra asnjë prej tyre nuk ka Sigurim Jete apo sëmundje, siç mund të kenë gazetarët apo punonjës të bankave, firmave të mëdha, korporatave apo edhe administratës, shoqërive aksionere etj. Asnjë prej nesh nuk ka Sigurim Jete. Askushi nuk bën pyetjen se çdo bëhet me familjet dhe fëmijët e këtyre mjekëve që vdiqën në krye të detyrës. Në çdo vend të botës, mjekët, Zj. Shtino kanë këto sigurime, të cilat funksionojnë si në rast sëmundje, infeksioni apo edhe vdekje për shkak të punës. Dhe familjet dhe fëmijët e tyre janë të garantuar për rrjedhojë. Kategoria më e pasiguruar në Shqipëri janë pikërisht mjëket dhe infermierët. E pra, prisja që Ju të flisnit për këte, për vlerën dhe antivlerën e vërtetë dhe jo për sulmet barbarike teutoniane ndaj mjekëve dhe institucioneve shëndetësore, pasi ata që kemi janë me të vertetë aq të paçmuar sa nuk mund ta imagjinoni.

Në lidhje me atë çka bëhet me trajtimin e Covid19 për të cilën ju shpreheni në statusin tuaj. Sigurisht gjithkush ka të drejtë të kritikojë, të sugjerojë, e rëndësishme është të bëhet për të rregulluar gjërat dhe jo agravuar ato. Ka gjëra që duhet të ishin bërë më mirë? Pa dyshim! Por ama ka shumë gjëra të tjera që janë bërë shumë mirë dhe në kohën e duhur. Ka gjëra të tjera që ky populli ynë mund ti bëjë më mirë? Pa dyshim. Disa sqarime për të shpërhapur sado pak atë mjegull që ju jepni, dhe që vetë e pranoni që e keni si informacion nga disa miq tuaj, pra thjesht në kuadrin e thashethemeve dhe llafollogjive. Gazetarët investigativë e kanë për detyrë që të identifikojnë probleme të tilla. Nuk është koha për llafollogji. E pra, asgjë nuk mund të mbahet e fshehtë, askushi nuk është bërë eksperiment sikurse thoni ju, apo për më tepër të zhduken të afërmit e familjarëve. Këto janë shprehje dhe hipoteza të papranueshme dhe aspak racionale, për më tepër kur bëhet fjalë për spitale me qindra të sëmurë, infermierë, mjekë, personel ndihmës, përfaqësues të opozitës, institucioneve ndërkombëtarë etj. Pra llogjikisht nuk mund të jetë e vërtetë asgjë prej këtyre. Por gjithësesi, është në dorën tuaj ta vërtetoni atë çka thoni me fakte, emra dhe mbiemra. Njerëzit nuk janë kokrriza rëre, që zhduken me një gotë ujë. Prandaj mendoj që ato çka thoni, janë shumë të rënda, në konsideratën time të pavërteta, por që gjithësesi ju duhet ta çoni deri ne fund si proçes, dhe nëse del e kundërta e atyre çka thoni duhet të bëni një “mea culpa’ publike.

Në fillimin e pandemisë, kur ne e dinim me çfarë do të përballeshim, u sugjerua që të iniciohej një proces kërkesash deri në një grevë të personelit, për rritjen e pagave të tyre. Dhe a e di se cili ishte opinioni që prevaloi midis nesh dhe sindikatave të mjekëve?! Nuk është momenti, pasi po i lamë pa shërbim njerëzit në këto momente, atëherë do të ketë shumë më tepër vdekje. E pra këta mjekë dhe infermierë këtë vendim morën, në një situatë kritike, dhe ja çfarë përgjigje ju po i jepni me statusin tuaj.

Do të ishte me më shumë vlerë që sikurse dikushi e ka bërë edhe pse janë raste sporadike, ka ndihmuar sistemin me aparatura dhe donacione. Raste aq të bukura dhe solidariteti janë prezente por shumë të pakta. Ndërkohë shikojmë raste të tjera që udhëtojnë me avione të personalizuar për të shpëtuar veten, të siguruar në vende të tjera europiane. Ndërkohë asnjë prej tyre nuk gjeti mundësinë për të dhuruar qoftë edhe aparaturat e domosdoshme spitaleve publike për te përballuar më mirë këtë situatë.

Prisja shumë nga një gazetare e nivelit tuaj, që arrini të gjeni njerëz të zhdukur prej shumë vitesh, që të bënit një analizë të ftohtë të situatës, të vlerësonit se sa shtretër terapi intensive duhen shtuar, cili është niveli teknologjik që disponojmë për të përballuar këtë situatë, cili është niveli i investimit infrastruktural respektiv, sa shtretër spitalorë do të duheshin për të përballuar Covid19, si mbrohet personeli shëndetësor, ku jemi me parashikimet, cili është niveli profesional, protokollet e trajtimit, numri i mjekëve infeksionistë dhe reanimatorë, infermierë të kualifikuar, shpërndarja e pacientëve në spitale rajonale, numri i testimeve, numri i laboratorëvë që mund të bëjnë këtë ekzaminim dhe që duhet të lejohen, numri i ventilatorëve mekanikë, ECMO, numri i vdekjeve në raport me numrin e pacientëve të intubuar, sa terapi intensive janë shtuar, e shumë problematika të tjera. E pra këto janë analiza investigative të cilat sugjerojnë përmirësime dhe jo ngarkesa të panevojshme emocionale të cilat nuk na çojnë gjëkundi. Këto janë analiza që mund ti ofrohen njerëzve që ju në statusin tuaj anatemoni, të cilët pa dyshim do ti gjenin me shumë vlerë dhe eventualisht do të mund ti merrnin në konsideratë.

Dhe në fund për personelin e spitalit infektiv të cilin ju nominoni. I keni parë se si janë transformuar koleget tona mjeke dhe infermiere ne keto gjashtë muaj? Mjeke të nderuara, zonja, nëna, bashkëshorte që ju janë dedikuar pacientëve me Covid19. Pothuajse të shpërfytyruar nga puna dhe stresi, lodhja dhe humbjet. Provoni të mundoheni të kontaktoni shefen e shërbimit, Prof. Najada Çomo, do ta gjeni vetëm në spital. Mundohuni të kontaktoni Prof. Tritan Kalo, është duke kontribuar pranë shërbimit. Prof. Arjan Harxhi, shefi i departamentit në mënyrë te vazhdueshme ne punë, edhe ato pak orë në shtëpi mundohet tju gjenden njerëzve ne telefonatat e shumta. Kërkoni Prof. Pëllumb Pipero, Dr. Gent Stroni, Dr.Entela Kolovani, Dr. Migena Qato, Dr. Esmeralda Meta, Dr. Esi Duka, Dr. Elda Qyra, Dr. Edmond Puca, Dr. Ergys Ramosaço, Dr. Shkëlqim Kurti, Dr. Arben Ndreu, Dr. dhe do të zbuloni që secili prej tyre është në punë dhe asnjëri nuk ka shkuar me leje për të çuar fëmijët qoftë edhe për pak ditë me pushime, por i keni pranë të sëmurëve dhe familjarëve të tyre. Dhe si ata, kështu veprojnë kolegët e mi ne spitalin Shefqet Ndroqi dhe kudo në çdo shërbim të QSUT. Si mund te flisni kështu për ne, si mund të flisni kështu për ta? E pra këta mjekë aq të çmuar nuk zhdukin të afërmit e kurkujt. Ata janë e vetmja shpresë, jane i vetmi aleat që ndan nga vdekja shumë pacientë me Covid19 ndërkohë që jam duke shkruar. Nuk ju lejohet kurrësesi të shpreheni kështu ndaj tyre. Ata meritojnë minimalisht falenderim dhe mirënjohje.

Pa dyshim që ajo çka po bëhet në Shqipëri, ka të bëjë me një sëmundje të re, ku edhe bota shumë më e zhvilluar mëson nga gabimet e saj, ku vete Organizata Botërore e Shëndetësisë, është në një konfuzion të jashtëzakonshëm. Çdo njeri prej nesh mund të bëjë sugjerimet e tij, mund të japë eksperiencat e tij, konsideratat e tij, qoftë edhe publikisht. Mos konkordimi i mendimeve të secilit prej nesh me vendimet që merren në mënyrë institucionale nuk i jep të drejtën asnjërit të shfryjë në mënyrë instiktive dhe paradoksale kryqëzatat obskurantiste.

Askush nuk duhet ta bëjë këtë, bile askushi nuk ka të drejtë ta bëjë këtë. Kjo edhe për ata që ju ka “pëlqyer” statusi i Zj. Shtino. Sigurisht çdo njëri prej nesh ka humbur një njeri të shtrenjtë me sëmundjet, çdo njeri prej nesh është përballur me sistemin tonë shëndetësor, ka pritur radhat, ngandonjëherë ka shkuar edhe në privat, ndonjëherë edhe jashtë vendit, shpesh herë e kanë fituar betejën me sëmundjet, herë të tjera jo, kanë humbur të afërmit e tyre duke u trajtuar në Shqipëri, por edhe jashtë vëndit. E pra çdo njëri nga ne mund të ketë një eksperiencë negative, por nuk është kjo mënyra për tu përmirësuar, nuk është kjo mënyra për të folur dhe për tju drejtuar publikut, sikur po ringjallim gjyqin e Nurenbergut, ku duhet të lënçojmë kriminelët që bënë genocid ndaj njerëzimit.

Unë nuk mund ta pranoj, dhe nuk do ta pranoja kurrë, as për konformizëm apo oportunizëm shprehje të tilla, dhe kundërvënie të tilla. Këta mjekë dhe infermierë janë bijtë e këtij populli dhe janë aq të bukur apo të shëmtuar siç është edhe ky populli ynë, janë me cilësi, virtyte dhe difekte sikurse të gjithë shqpitarët, por kanë një diçka më shumë se të tjerët. Sado të shëmtuar, të këqinj, të deformuar apo difektozë gjenetikisht të jemi, njohim diferencën midis jetës dhe vdekjes, vlerësojmë të parën, dhe e përjetojmë të dytën, janë njerëzit më të pastër ndër jush, janë të paepur për jetën dhe dashurinë ndaj saj. Nuk mund tju kundërvesh këtyre njerëzve me aspiratat më pozitive, flakadanëve të paqes dhe jetës, ushtrinë, barbarinë, zapllëkun dhe poturet apo shallvaret e injorancës së plebea rusticus.

Ju, Zj. Shtino duhet të ishit në ballë të frontit në mbrojtjen e mjekëve, duhet të ishit në krahun tonë në çdo moment dhe sekondë, duhet ti kishit konsideruar pasuri kombëtare. Unë pres pa dyshim që njerëz si Ju, bota e artit, gazetarisë, akademikë të jenë bashkë me ne, në çdo hap tonin, edhe pse mund të bëjmë gabimet tona. Pa dyshim ne do të kemi kurajon qytetare dhe profesionale ti pranojmë. Por kjo ndryshon nga dëshira jonë e madhe për të shpëtuar jetën dhe për të luftuar çdo sekondë me përbindëshin Cerebrus, rojtarin e Hadesit dhe nëntokës. Sistemi ynë shëndetësor ka nevojë për çdo sugjerim nga ana juaj, ka nevojë të jetë në qëndrën e vëmendjes së mas mediave. Ajo çka ndodhur këto 30 vjet nga politika shqiptare, është që mungesat e financimit të këtij sistemi, problematikat në infrastrukturë, mënyrën e mbulimit të shpenzimeve shëndetësore etj, i janë derivuar një strategjia absurde, “evil” të ligë dhe të pashpirtë duke vendosur në mënyrë paradoksale dhe artificiale mjekët përballë publikut. E pra kjo të jetë e qartë njëherë e mirë. Mjekët nuk kanë asnjë rol në financimin e shëndetësisë, mënyrë e këtij financimi, nevojat kombëtare, përballjen me investimet, teknologjinë e re, trajtimet e diferencuara, furnizimet, pastërtinë, higjenën, organizimin dhe menaxhimin administrativ etj.

Të gjitha këto politika bëhen në parlamentin shqiptar, nga forcat politikë, qeveria shqiptare dhe institucionet ndërkombëtare që asistojnë, normativat europiane, dhe kriteret për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian. Edhe mbajtja apo jo e celularit në fund nuk është një vendim i mjekëve, por është një vendim institucional. Prandaj do tju lutesha juve dhe të gjithë atyre që e mendojnë si ju, që ta rimendonit, dhe të ishit bashkë me mjekët tuaj, duke filluar që nesër. Ne kemi nevojën për mbështetjen tuaj Zj. Shtino dhe të gjithë të tjerëve. Ne nuk jemi armiqtë tuaj, përkundrazi jemi mbrojtësit tuaj të paepur, jemi templarët e fundit që po rezistojnë në këtë botë absurde dhe diletantizmi perpetum.

Jemi ata ushtarë që edhe pse pa mburojat e duhura shkuan në luftë vetëm me shpatën e bekuar nga Hipokrati kundër kudhrës së përflaktë të vdekjes e cila e përfaqësuar nga kjo krijesë mikroskopike, po kontrollon fatet e të tashmes dhe të ardhmes së planetit. Na mbështesni, na ndihmoni, na inkurajoni, na kritikoni, na sugjeroni, mund edhe të na thoni që jemi më të paaftë se kolegët tanë gjetiu, por ju lutem mos na anatemoni, mos na vrisni dëshirën për të luftuar kundër vdekjes. Kjo do të ishte vrasja më e madhe që mund të na bëni, dhe jo thirrja për ringjalljen e inkuizicionit, dhe djegjes në turrën e druve përshkënditës së urrejtjes. Prandaj nëse do ta pranonit një sugjerim, Ju duhet të jeni promotorja e një momenti duartrokitjesh me shumë mirënjohje dhe përulje, këtë herë shumë të ndjera përballë spitaleve Covid, por edhe përballë çdo spitali të vendit, si një reflektim dhe solidaritet, duke i treguar të gjitha komuniteteve, që ne si mjekë së bashku me ju, gazetarët, akademikët, intelektualët e këtij vendi, politikanët, drejtuesit e ministrisë së shëndetësisë, vetë Komitetin Teknik që ju e përmendni duhet të jemi të bashkuar në këto momente aspak të lehta, se kemi më shumë gjëra që na bashkojnë se sa na ndajnë, është jeta e njerëzve tanë që duhet të na bashkojë, e ardhmja e fëmijëve tanë. Njerëzimi, për hir të vazhdimit të jetës ka bërë shumë më tepër se kaq!

VULGO ODIO NON EST SOLUTIO

EX AMORE VITAE EXT

(Urrejtja vulgare nuk është zgjidhja, dashuria është baza e jetës)

PROF. EDVIN PRIFTI

Shef i Shërbimit të Kardiokirurgjisë, QSUT

*Titulli origjinal i autorit: HIPOKRIZIA NDAJ MJEKËVE, NDËRGJEGJA INTELEKTUALE, COVID19 DHE VULGO ODIO

“Pse nuk ju lini telefon pacientëve?” Aida Shtino ‘kërcënon’ mjekët: Po ia ktheni në kavie laboratori të afërmit. S’do ta përmbani dot turmën e tërbuar kur…

“Për 4 vite në pushtet shpiku idenë e kombit kosovar”

Kreshnik Spahiu: Kurti harroi premtimet

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!

Aktiviteti do të ushtrohet në zona të caktuara që do të jepen me qira!

Nga 2025 lejohet gjuetia, çfarë parashikon vendimi!