Kanë kaluar rreth 48 orë nga humbja e turpshme e Barcelona-s në Champions nga Bayern Munchen, me këtë të fundit që triumfoi 8-2. Në fakt, blaugranat vitet e fundit në këtë fazë kanë thellë edhe me skuadra të tjera.
Nëse menduat se përmbysjet kundër Liverpool dhe Roma-s në Ligën e Kampionëve ishin fundi për Barcelonën, ja ku erdhi një tjetër ndeshje turpi në këtë kompeticion për katalanasit.
Në vitin e tretë radhazi në Champions, skuadra katalanase merr një tjetër goditje për historinë. Një vit më parë u përmbys nga Liverpool 4-0 në “Anfield”, pasi Barcelona kishte fituar sfidën e parë 3-0 në “Camp Nou”.
Dy sezone më parë i ndodhi e njëjta gjë ndaj Roma-s. Katalanasit fituan sërish në shtëpinë e tyre 4-1, por në Romë u mposhtën 3-0 dhe u larguan nga ky kompeticion. Champions-i po rezulton fatal dhe një kompeticion i mallkuar për ekipin e Barcelonës.
Mos harrojmë edhe eliminimin nga Juventus 3 vjet më parë (3-0 në total) dhe nga Atletico 4 vite më parë (3-2), teksa Barcelona shkon në pesë vjet radhazi dështim.
Por nuk mbaron këtu për Barcelonën. Në dekadën e fundit Barcelona për herë të parë nuk ka marrë asnjë trofe, as kampionat, as kupë, as superkupë. Ngushëllohet Messi me Këpucën e artë në La Liga dhe vetëm kaq.
A është fundi ky? Me trajnerin Setien thuajse të shkarkuar, teksa Barcelona ende paguan kontratën e Valverdes, natyrisht që mendohet se më keq se kaq nuk mund të shkojë. Tashmë pritet një revolucion, mbetet për t’u parë nëse do të prekë Messin, pasi po qarkullojnë shumë fjalë për t’u larguar.