Spitalet dhe klinikat shëndetësore janë ambiente me nivel të lartë stresi sidomos për pacientët dhe të afërmit e tyre, të cilët në gjendje të rënduar psikologjike shpesh ushtrojnë dhunë ndaj stafeve mjekësore.
Një anketë e Urdhrit të Mjekut e realizuar në vitin 2018, rezultatet e së cilës u publikuan në një artikull të fundit të Kryetarit të Urdhrit të Mjekut Fatmir Brahimaj, tregojnë se dhuna ndaj mjekëve në vendin tonë është në nivele alarmante.
Ibrahimaj vë në dukje se, dhuna ndaj mjekëve jo vetëm që ekziston (në të gjitha format e saj, nga verbal deri në fizike) por po shtohet.
Në anketën “Dhuna ndaj mjekëve” në të cilën rreth 1,000 mjekë plotësuan të dhënat që kërkoheshin në pyetësorin e dhënë.
Nga përpunimi i të dhënave rezultoi që 119 mjekë kanë përjetuar dhunë fizike, 381 mjekë dhunë verbale, dhe shumë mjekë dhunë psikologjike.
E si pasojë e dhunës së ushtruar, 211 mjekë raportojnë të kenë dëmtime, ku: 28 mjekë kanë pësuar dëmtime të rënda, 69 mjekë kanë qene të paaftë për punë dhe 114 prej tyre kanë pasur shqetësime të tjera.
Nga sa raportojnë vetë pjesëmarrësit në anketim veç stresit, terrorit dhe ofendimeve, mjekët raportojnë dhe për rënie të dëshirës për punë, zhgënjim, lodhje nervore, etj.
Ibrahimaj vë në dukje se një numër jo i vogël mjekësh raportojnë të jetë ushtruar dhunë ndaj tyre, por pa pasoja të rëndësishme për ta.
Urdhri i Mjekut vë në dukje se ndaj mjekëve ushtrohet dhunë, pavarësisht moshës, seksit, specialitetit, vendit të ushtrimit të profesionit.
Studimet ndërkombëtare tregojnë se pandemia Covid-19 ka rritur intensitetin e punës në spitale dhe personelin shëndetësor dhe për rrjedhojë dhuna ndaj mjekeve është shtuar.
Urdhri i Mjekut apelon se, krijimi, trajnimi dhe zhvillimi i vazhdueshëm profesional i kësaj bashkësie është i kushtueshëm dhe kërkon kohë relativisht të gjatë, teksa vlerëson se shëndeti i mjekëve ndikon direkt në cilësinë e kujdesit shëndetësor që ata ofrojnë, si dhe në sigurinë e pacientit.