Sporti ka ulje-ngritjet e veta, me skuadra që herë janë në majë dhe herë prekin fundin. Kështu ka ngjarë edhe në NBA me ekipin e San Antonio Spurs, që pas 22 sezonesh nuk arrin të kualikohet për në fazën play off.
Hera e fundit që ndodhte kjo gjë ka qenë sezoni 1996-1997. Skuadra që drejtohet nga trajneri legjendar Gregg Popovich e mbylli sezonin e rregullt në vendin e 11-të, me 32 fitore e 39 humbje.
Në 8 ndeshjet e luajtura në Orlando, ekipi i Spurs arriti 3 fitore e pësoi 5 humbje, duke mos u kualifikuar dot në çerekfinalet e play off-it në Perëndim.
Kjo është hera e parë pas 22 vitesh që San Antonio nuk arrin të fitojë 50% të ndeshjeve të sezonit të rregullt, çka i kushtoi kualifikimin. Në këto 22 vite, skuadra e Spurs ka fituar 5 tituj kampionë në NBA, të gjitha me Popovich në stol.