Kush është Lukë Kaçaj?
Një ndër këngëtarët më cilësorë në TOB. Figurën artistike përpiqej ta krijonte nëpërmjet përpunimit muzikor të rolit, duke e mishëruar pastaj atë pa sforcim edhe skenikisht. Këtë e tregoi edhe në rolin e dorës së dytë të doktorit nga “Traviata” e Verdit (1956) për të na bindur plotësisht me mbretin rene nga “Jollanta” e Çajkovskit (1957).
Por kryeroli i tij është Don Bazilio nga “Berberii Seviljes” i Rosinit (1958), ku shkëlqeu në mënyrë të padiskutueshme. Interpreton edhe rolin e Gjeneralit Gremin nga opera “Evgjeni Onjegin” e Çajkovskit (1959). Figurë e realizuar me dinjitet është edhe ajo e Gjinit nga opera “Mrika” e Preng Jakovës (1959, 1966).
Një plak të dhimbshëm shohim edhe në babain e Dritës nga “Pranvera” e Tish Daisë, (1960). Në një shfaqje me skena operash interpreton me nivel të lartë në rolin e murgut endacak Varllam në skenën e hanit nga opera “Boris Godunov” e Musorgskit (1961). Figurë e përkryer është edhe ungji i Bonxo në operën “Madam Batërflaj” në vitin (1961).
Filozofi Kolen nga “Bohema” e Puçinit (1963), ashtu si edhe Alekoja nga opera me të njëjtin titull e Rahmaninovit, janë dy figura që kanë lënë mbresa të pashlyeshme.
Dy role të realizuara me sukses janë edhe Nurabadi nga “Peshkatarët e perlave” të Bizës (1964) dhe Sparafuçile nga “Rigoleto” e Verdit (1965).
Legjenda e pavdekshme e skenës shqiptare
Ka jetuar pothuajse mes dy botëve, qiellit dhe tokës, ferrit komunist dhe parrajsës shpirtërore, skenave botërore dhe muzikës ngadhënjyese. Shumë herë pranë famës, lavdisë, suksesit.
Shumë herë të tjera pranë përçmimit dhe injorancës së një sistemi totalitar shqiptar, ku mendjet intrigante dhe këngëtarucët e padenjë shisnin shpirtin për të rrëmbyer shkëlqimin e malësorit të madh, që tundte skenën më zërin e tij prej basi. ( A thua do të gjejnë ndonjëherë falje për tragjedinë që i shkaktuan?) Kudo ku shkeli figura e Lukë Kaça-jt, e kolosit të muzikës skenike, në Pragë, Berlin, Poloni, “Balshoi Teatër”, në Moskën e pavdekshme që krenohej me zërat legjendarë të trashëgimisë operistike, kudo ku mbërriti, krijoi çudinë e legjendës, sepse ai ishte shqiptari i vendit të vogël, me aftësitë e jashtëzakonshme të talentit operistik dhe erudicionit të tij. Këndonte shkëlqyeshëm në katër gjuhë të huaja, italisht, gjermanisht, rusisht dhe frëngjisht.
Njihte mrekullisht Homerin në gjuhën greke, mësuar në liceun françeskan “Ilirikum” në Shkodër, njohës shumë i mirë i latinishtes, adhuronte Gjergj Fishtën dhe Bogdanin. Epizmi dhe lirizmi fishtjan qëndronte njësh me zemrën e tij gjatë gjithë jetës skenike.
Aty filloi të merrej me muzikën në saj të punës me pasion të kompozitorit të parë shqiptar profesionist At Martin Gjokaj, autor i operës së parë shqiptare “Juda Makabe” në 1926, opera me vlera historike në historinë e muzikës dhe artit shqiptar (cilësoj, nga një intervistë e L. Kaçaj e vitit 2002).
Qysh 10 vjeç duket se Zoti i ka pas falë një farë talenti. Nuk i duhej asnjë institucion. I kishte të gjitha perfekte. Një zë tepër të jashtëzakonshëm, siç e ka cilësuar edhe At Martini, një zë që kapte kulminancionet e tingujve më të lartë të fëmijëve. Është përpjekur të shpjegojë lidhjen e tij me muzikën duke thënë: “Mua më pëlqente shumë muzika, një cilësi që as unë s’e shpjegoja ndryshe, vetëm ja dedikoja instinktit, me po ato ndjesi që ka njeriu natyrshëm ndaj të ushqyerit, pa të cilin nuk jeton dot, kështu unë nuk ndjehesha jashtë këtij instinkti për muzikën”.
Vazhdoi konservatorin “Çajkovski” në Moskë, ku çuditi të mëdhenj e të vegjël. I madhërishëm, fantastik, i padëgjuar në këtë kalibër të zërit dhe kthjellëtsi të frazës së qartë muzikore. I papërballueshëm në interpretimin e arie nga Ivan Susanin, apo në” Figaron” e Moxartit, apo në Vendeta, apo më tej akoma në interpretimin e këngës shkodrane “Kenkan mbushur malet me dëborë”.
Një legjendë e vërtetë në konservatorin e muzikës, ai, shqiptari kolos nga malet e veriut u quajt me të drejtë “Sheljapini shqiptar”. Por prova e vërtetë, dhe më e madhe, ishte fitorja në “Balshoi Teatër” nëvitin 1955, aty ku mes 170 kandidatëve fitoi dhe u rreshtua mes më të mirëve, aty ku kryedirigjenti Pishajev u shpreh i tronditur:
“Nuk kam dëgjuar një zë të tillë pre 50 vjetësh që merrem me muzikë”. Ai vetëm ngjitej, lartësohej, kalonte prova dhe sfida duke fituar dimensionin e artistit pa kufij. Kurse ata –mjeranët, të vegjëlit dhe mendjeshkurtrit thurnin rrjetën e mirimangës për ta kapur në pëlhurën e hollë dhe të frikshme!
Ai ishte lisi i madh, ata krimbat, zvarranikët e tokës. Rrethi ngushtohej çdo ditë, fikej nga miqësitë e frikshme, që vetëm një diktaturë mund t’i shpikte dhe t’i përdorte për të asgjësuar dhe tjetërsuar njeriun. Luka e ndjeu se fati i tij po merrte nnje drejtim të pakuptueshëm drejt ferrit.
Për herë të parë ndoshta kuptoi se Dante Aligieri po i servirej bujar dhe madje edhe në gjuhën që ai ( O Zot) e njihte mrekullisht mirë. Kokëunjur dhe në pritje të asaj që po ndodhte, shëtiste i vetëm në ditët e fundmajit.
“Mos më takoni! Largohuni mejet! Jam në rreth”- ishin disa nga fjalët që ai përpiqej t’u thoshte miqve të tij të kahershëm të Moskës. 28 maj 1973, arrestimi publik në prani të studentëve dhe pedagogëve në Hollin e Akademisë së Arteve të Bukura në Tiranë ishte fundi i çmendurisë së propagandës dhe ideologjisë komuniste, arritja perfekte e mashtrimit dhe makinacionit komunist.
O Zot, Luka armik i popullit, ky vigan i artit dhe skenës lirike shqiptare, ky personalitet shqiptar dhe botëror, që kaloi prova tundimi ofertash dy herë në Pragë, një herë në Berlin dhe një herë në Varshavë, ku me avion të posaçëm, special do ta dërgonin në Londër, në “Kovengarden Teater”, në Vienë, në “Skala” të Milanos në Itali, apo deri në “Metropolitan Teater” në Amerikë… Armik i popullit të vet, ai që e ngriti mbi Diellin popullin dhe vendin e vet me talentin e tij të jashtëzakonshëm!?…
Këto kujton pas vdekjes së Lukës muzikologu Loro Sata. “Fali Zot, se nuk dinë çfarë bëjnë!” Ndoshta këto i ka përsëritur vetes sa herë në qelinë e errët, atëherë kur në errësirën e pashoq ka tentuar të mbijetojë falë Don bazilios, Figaros, apo… Është ndjerë i tradhëtuar deri në asht nga njerëzit e vendit të tij, që e deshi kaq shumë, nga shokët dhe miqtë që kishte ndarë muzikën, notat dhe shpirtin.
Pasuri tjetër nuk pati në jetë… Por regjimi ishte kokëfortë kërkonte të gjente arsyen e tradhëtisë, arsyen e paarsyeshme të asgjësë me emrin e shpikur “Agjitacion e propagandë”.
“Atëherë me më kallzu të vërtetën, më thotë: Pse nuk ike?- më tha kryetari i hetuesisë së Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Më falni, zoti kryetar, i drejtohem kryehetuesit të Republikës, po kush nuk e do atdheun e vet, nuk i duhet askujt gjë në botë.
Së dyti, atë që kam mësuar në shkollë, në Shqipëri e jashtë saj kam dashur t’ia kthej përsëri popullit tim. Se sa vlej e tek vlej as unë s’e di.
Së treti, kurrë në jetën time paraja s’më ka korruptuar dhe nuk dua të di gjë për të.
Edhe sot nuk kam ndryshuar mendim, ashtu jam. Nuk ia kam ditur vlerën dhe nuk dua t’ia di deri sa të vdes! Së katërti, kam patur nënë, baba, vëllezër e motra, njerëzit e mi më të dashur të shpirtit tim. Nuk kam jetuar me ta, por në zemër i kam patur dhe i kam. Të lumtë! Edhe një herë, të lumtë, më tha kryetari”.
Dhe vërtet, ai ishte muzikë pa kufij, lisi i madh që dashuronte jetën, mbështetur fort në dëshirën për të kënduar, adhurimin për Anën, bashkëshorten e tij, miken e vetme besnike, që në ferrin e tij ishte parajsa që e priste dhe i falte forcë, mbështetje dhe shume dashuri. Kur i propozuan të mbetej në Poloni, në katin e tretë në hotel Briston, ai u tha duke qeshur “Shtëpinë time e kam në kufi me ju.
Po të dua vi kur të më teket”. Ndërsa në Berlin, ofertës me çekun prej 150,000 markash të vitit 1955, (sot kjo vlerë i kalon 25-30 milion), Lukë Kaçaj iu përgjigj ftohtë dhe thatë “Nichts verstehen” (Nuk kuptoj asgjë).
Është shuar përfundimisht. Ka mbetur në kujtesën e arkivit të TOB-it, falë kujdesit dhe respektit të Zamir Këlliçit. “Jam përpjekur të gjej dhe të rindërtoj jetën e tij, është historia jonë e përbashkët që duhet rikujtuar”-të thotë tek rreket të mbledhë titujt e gazetave dhe ti bashkëngjitë tek fletët me emrin Lukë Kaçaj 1955-1965.
Legjenda flet se zëri i tij ka mbetur i regjistruar edhe në arkivin e Balshoi Teatër, në skenën e mrekullueshme dhe madhështore të njerëzve që vetëm falë talentit të jashtëzakonshëm mund të mbeten të përjetshëm. Një jetë skenike e prerë në mes. Një jetë e ngërthyer mes ferrit dhe parajsës. Një fat tragjik, apo një legjendë e përjetësuar në muzikë?
Intervista
Muzika dhe vlerat shqiptare
Lukë Kaçaj, një emër kaq i madh të mbështetur në arritjet tuaja, tashmë të nivelit mbarëkombëtar e mbarë europian refuzoni dekada më parë këto oferta kaq të majme dhe të lakmueshme për një shpirt meskin, por për hir të së vërtetës dhe të pranueshme për kohët moderne, cili do të ishte mesazhi Juaj për artistët tanë në klimën e një braktisjeje thuajse masive të vendit amë nga vetë elita artistike e në përgjithësi nga ai që quhet truri i kombit?
Këtu hyre pak thellë! Unë nuk dua të hyj në këtë thellësi. Ata që drejtojnë paçin faqen e bardhë, por Romen Rolani thoshte këto fjalë: Kush don të dijë se kush është Franca, le të shkojë në grandopera të Parisit, që njihet si institucioni artistik më i lartë në tërë shtetet e botës. Prandaj nuk kam çfarë flas për këtë punë, dinë ata që i bëjnë.
Do t’u lutesha të gjithë atyre që studiojnë për muzikë, kompozitorë, kanto etj., kujtoni gjenitë e mëdhenj të tërë shekujve. Kujtoni mirë gjeniun e madh të tërë shekujve Volfgang Moxart! Askujt nuk mund t’ia marrë mendja sa jam lodhur për të studiuar J. Sebastian Bah,- thoshte Moxarti. Kur këtë e thotë ma i madhi i shekujve, ma i madhi i tërë botës muzikore, po ne zylyfeve çfarë na mbetet? Prandaj gjithkush të arsyetojë me mendjen e vet.
Ka një prirje tek disa artistë, shkrimtarë muzikantë, krijues të prirur dukshëm drejt angazhimit modern si oborrtarë nihilistë të krijesave të tyre, për hir të këtij konformizmi zyrtar si krisje e unitetit të brendshëm. Ju si kolos i muzikës klasike e më gjerë, si e gjykoni?
Mund të pranojmë që në afro 50 vjet shqiptarët nuk krijuaan vlera me të cilat mund të krenohemi me dinjitet para botës së qytetëruar, qoftë edhe duke rritur e përgatitur artistë të përmasave të Lukë Kaçajt, Çesk Zadesë, Tish Daisë, Luçije Milotit, Bik Ndojës, etj. Mendimi juaj ndaj këtij nihilizmi totalisht i turpshëm për autorët e tij?
Mendoj që të gjithë artistët që ju përmendët, janë përfaqësues të denjë pëe ecjen dhe përparimin e artit shqiptar. Kujtoj M. Krajën mes shumë e shumë të tjerëve, kjo ka qenë pedagoge.
Gjithashtu edhe unë kam qenë për 15-20 vjet. Kjo tregon që ne ecëm edhe vetë. Nuk po hyjmë në intimitete, por po të flasim për këngën popullore shkodrane e kanë kënduar shumë e shumë e vazhdojnë ta këndojnë.
Por ajo që i ka merituar lavdërimet e të gjithëve, edhe të qeverisë, edhe të kryeministrit e personalisht të vetë Enver Hoxhës në Pallatin e Brigadave asokohe ka qenë Luçije Miloti. Luçije Miloti është bilbili i tërë Shkodrës e ka quajtur E. Hoxha.
Muzika moderne: Popi, xhazi, roku, rrepi etj., a nuk duket sikur po e deformojë, me ndikimet e tyre ekstreme, formimin shpirtëror të shqiptarit nën sensin disi agjitativ, apo shpesh herë disi recitativ, të shijes europiane në dëm të muzikës popullore e të muzikës shqiptare në tërësi. Komenti juaj?
Mendimi im është se të gjithë që merren me ato punë vetëm dëmtojnë ecjen përpara të artit shqiptar në tërësi e të folklorit në veçanti, sepse përjetojmë influencimet shumë të dëmshme të cilat kurrsesi nuk na nderojnë.
Dhe për këto gjëra, unë si artist vuaj. Nuk janë të denja për ne. Nuk kemi bazamentin e duhur edhe për folklorin, sepse më 1860 Palokë Kurti në 60 vjet jetë të tij krijoi vepra me vlerë artistike, me nota dhe më të tëra. Për këtë kemi bërë edhe emision të veçantë në Pallatin e Kulturës, kushtuar këtij artisti. Ato që po dëgjojmë, vetëm art nuk i quajmë, po thjesht divertiment, diçka thjesht zbavitëse.
A nuk ju duket një lloj majmunërie moderne që shfaqet në emër të modernes ne dëm të muzikës sonë popullore?
Është shumë kollaj me imitue majmunët duke qenë se s’ka kurrëfarë vlere artistike dhe nuk shpreh asgjë të brendshme që buron nga shpirti, apo nga zemra. Asgjë tjetër nuk sjell në vëmendjen e dëgjuesit vetëm thjesht një mendjeshpërndarje.
Asgjë tjetër nuk ka. Ata që kujtojnë se po kapin me këtë majmunëri rokun, duhet t’u kujtojmë se ne e kemi pasë përpara amerikanëve, sepse ne kemi patur shumë të hershëm nocrokun. Besoj më kuptove. Mos të kujtojmë se ecim përpara në kulturë e ne art duke cilësuar çdo arritje të së kaluarës regresive, jo progresive.
Shënim i redaksisë: Intervistë e vitit 2.06.2000 dhënë kritikut Kadri Ujkaj, me rastin e 75- vjetorit të lindjes së Artistit të Merituar.