Vapa e ditëve të gushtit, madje as virusi, nuk e ka ndalur apo pakësuar, numrin dhe lutjet e besimtarëve
Jemi në pikun e pelegrinazhit në malin e shenjtë. Baba Tomori pret pa reshtur, mijëra pelegrinët që vijnë e luten në varrin e shenjtë të Abaz Aliut. Si çdo vit, prej 18 deri më 25 gusht, mali i Tomorit shndërrohet në vendin shpirtëror, për mijëra peligrinë, të adhurojnë shenjtin e tyre, Abaz Ali. Edhe këtë vit, besimtarët bektashinj dhe jo vetëm, nuk e kanë harruar peligrinazhin e shenjtë në malin e Tomorit. Pa frikë nga covid-19 dhe me besimin në Zot, pelegrinët kanë ngjitur në malin, për të ndjekur ritualet e shenjta dhe për të vizituar objektet e rralla të kultit, Tyrben dhe Teqenë që ndodhen në majat më të larta shkëmbore të Shqipërisë. Sipas traditës, ata mbërrijnë në pikën më të lartë të malit, ku në një teqe të vogël, prehet shenjti Abaz Ali, vëllai i gjetur i profetit Muhamet. Me mbërritjen në mal, pelgrinët ngrenë çadrat në vendin e shenjtë, duke kryer jo vetëm kurbanin e festës, por duke ngjitur me këmbë edhe majën e Tomorit – 2,416 metra mbi nivelin e detit. Edhe pse mendohej se pandemia do t’i frenonte, që prej datës 18 që u shënua edhe nisja e pelegrinëve të parë, ndërsa numri i tyre deri më sot, ka arritur në rreth 400 mijë, ndërkohë që festimet do të përfundojnë të martën në mbrëmje. Çdo pelegrin që bëhet pjesë e kësaj feste, kryen në mal ritet shumëshekullore të besimit bektashi, për festën e Abaz Aliut, ku përfshihen: ndezja e qirinjve në vendet e shenjta, dhurimi i të hollave pranë objekteve të kultit dhe flijimi e një deleje apo qengji.
Sakrifica e qengjit është rituali i veçantë i kësaj feste dhe në shenjë pastrimi pas flijimit, besimtarët duhet të lyejnë ballin me gjakun e qengjit të sapo-therur, të luten dhe më pas, mishi i qengjit të sakrifikuar piqet në hell dhe ndahet mes tyre.
Vetë pelegrinët që u bënë pjesë e kësaj feste shprehen, se, vijnë çdo vit në malin e Tomorrit, për të adhuruar shenjtin e tyre, Abaz Ali, për të kryer ritet fetare dhe për t’u lutur për më shumë paqe, mirësi dhe begati në familje. Duke deklaruar se edhe në këtë kohë pandemie, Zoti lart i ruan pelegrinët nga çdo e keqe, ata uruan njëri-tjetrin dhe gjithë shqiptarët, për më shumë mirësi dhe lumturi, në çdo familje.
Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Mondi, ka deklaruar nga Teqeja e Kulmakut se, fluksi i madh i pelegrinëve drejt Tomorit ishte i pabesueshëm këtë vit, në tillë situatë. “Nuk i ndalojmë dot pelegrinët, të vijnë në këtë mal të shenjtë dhe të adhurojnë Zotin. Ne si Kryegjyshatë Botërore e Bektashinjve, kemi marrë masat e nevojshme për mbarëvajtjen e festimeve në mal. Kemi kryer dezinfektimin e të gjithë zonës, kemi rregulluar rrugën drejt malit, kemi siguruar ujin dhe dritat, ndërkohë që në bashkëpunim edhe me bashkitë Skrapar, Berat e Poliçan kemi siguruar praninë e mjekëve dhe ambulancave, për t’i ardhur në ndihmë çdo pelegrini që mund të ketë probleme shëndetësore”- ka thënë, Baba Mondi.
Po ashtu, për mbarëvajtjen e peligrinazhit të shenjtë, si dhe për të siguruar respektimin e protokolleve të sigurisë, për shkak të covid-19, Drejtoria Vendore e Policisë së Beratit, ka hartuar që prej datës 18 gusht, një plan të detajuar masash, duke shtuar kontrollet dhe efektivët e policisë rrugore përgjatë të dy akseve që të çojnë drejt Teqesë së Kulmakut në Malin e Tomorit, si dhe në vendin ku zhvillohet peligringazhi. Ditët e pelegrinazhit në Malin e Tomorit, përfundojnë më 25 gusht, por kulmi i kësaj feste shënohet nga 22-23 gusht.
Gjurmët e Abaz Aliut në Skrapar
Gjurma e Abaz Aliut lidhet me legjendën sesi ka ardhur Abaz Aliu, në Tomor. Përjetësimi i figurës së Abaz Aliut në Skrapar, është i madh, sa gjurmët e tij dhe të kalit janë në: “Dërrasën e Kajcës”, në kufi me Përmetin; në “Taroninë” të Çepanit; në “Shkëmbin e Kanionit të Osumit” të Dhoresit; Gjurma e dorës së tij në afërsi të Bargullasit; në “Dërrasën e Novajt” dhe “Vendi i shenjtë” në veri të Tomorit (mbi Dardhë të Beratit) dhe “Çuka e Tomorit”, varri i tij kenotaf. Këto vende vizitohen nga besimtarët e dashamirësit gjatë gjithë vitit, por sidomos në ditët 20-25 gusht. Emri i Abaz Aliut është më i respektuari ndër besimtarët e jobesimtarët e trevës së Skraparit dhe në Shqipëri e më gjerë, qysh herët e deri në ditët e sotme. Abaz Aliu ishte në fluturimin e tij mitik drejt malit të Tomorit, ku vajti dhe qëndroi për jetë të jetëve. Abaz Aliu, si luftëtar që ra për lirinë, erdhi dhe gjeti prehje në malin tonë të shenjtë, Tomor.
Tyrbja e Abaz Aliut në Çukën e Tomorit
Vendi më i rëndësishëm sot botëror i Pelegrinazhit Tyrbja e Abaz Aliut ndodhet larg nga teqeja e Kulmakut, 2 orë në këmbë ose 40 minuta me makinë, në lartësinë 2,417 m mbi nivelin e detit, në Çukën e Tomorit. Nga burimet historike jepen të dhëna si një vend besimi nga lashtësia. Sipas Baba Ali Tomorit dhe Osman Myderrizit, Eqrem bej Vlorës në shek. XV. Mustafa Tusiu dhe Haxhi Baba Horasani ngritën varrin kenotaf të Abaz Aliut, në Çukën e Tomorit. Nga ajo periudhë e deri më sot, pranë varrit të Abaz Aliut, 20-25 gusht të çdo viti organizohet pelegrinazhi i besimtarëve bektashinj. Pelegrinazhit i dhanë përmasa gjithnjë e më të mëdha dervish Iliazi dhe baba Ali Turabiu. Sot ky pelegrinazh ka karakter ndërkombëtar. Në të marrin pjesë besimtarë bektashinj, myslimanë, të krishterë, nga gjithë Shqipëria, nga trojet etnike shqiptare, nga diaspora shqiptare dhe nga e gjithë bota, madje pjesëmarrja vjen duke u shtuar vit pas viti dhe numri arrin në shifrën rekord për pesë ditë, nga 20 deri më 25 gusht për çdo vit, në 250.000 vetë.
Pelegrinët në malin e Tomorit
Besimtarët bektashi të Shqipërisë, nderojnë me një pelegrinazh pesëditor në malin e Tomorit, imamin Abaz Aliu, një nga themeluesit e fesë së tyre. Gjatë kësaj jave, mijëra besimtarë janë ngjitur si çdo vit, në malin e njohur të Skraparit, për të ndjekur ritualet e shenjta dhe për të vizituar objektet e rralla të kultit; tyrbe dhe teqe në majat më të larta shkëmbore të Shqipërisë.
Mijëra besimtarë bektashi shqiptarë kanë nisur prej 3 ditësh pelegrinazhin e tyre të përvitshëm në malin e Tomorrit, duke vizituar tyrben e Kulmakut dhe duke bërë rituale të shenjta në nderim të Abaz Aliut. Besimtarët kanë ngritur tenda të shumta në pllajat e malit mbi 2 mijë e 400 metra mbi nivelin e detit dhe rreth 200 km rrugë në juglindje të kryeqytetit shqiptar. Për pesë ditë rresht, deri të shtunën, besimtarët po vizitojnë vendet e shenjta, po ndjekin ritualet e festës së Abaz Aliut dhe po dëgjojnë fjalimet e klerikëve të tyre mbi historinë e shenjtërimit të baba Tomorrit dhe veprat e shenjtorëve bektashi në të mirë të njerëzve.
Ritet shumëshekullore të besimit bektashi për festën e Abaz Aliut përfshijnë ndezjen e qirinjve në vendet e shenjta, dhurimin e të hollave pranë objekteve të kultit, flijimin e një deleje apo qingji dhe ndarjen e ushqimit midis besimtarëve. Këto festime po kryhen sipas traditave, që u rikthyen pas disa dekadave të ndalimit të fesë nga diktatura komuniste.
Udhëtimi i besimtarëve në këtë pelegrinazh ka nisur qysh të hënën dhe mbyllet të shtunën. Njerëzit besojnë se mbarësia e familjeve të tyre shtohet me këto vizita të vazhdueshme në malin e shenjtë të Tomorit, dhe duke marrë prej tij si suvenir copa gurësh, dheu dhe shenja të kurbanëve për t’i ruajtur në shtëpi.
Poeti ynë i madh, Naimi, i ka kënduar pa reshtur dritës së vërtetë: Zotit dhe dashurisë mes njerëzve. Mes veprave të tij, shkëputëm vargjet që vjershëtori i këndoi imamit Abaz Aliu:
ABAZ ALIU
Naim FRASHËRI
Engjëll! që m’u qasë pranë
Nga i madhi Zot,
Pse më rrëfen Qerbelanë?
A do të derth lot?
Moj fush’e Qerbelasë!
Që më rri ndër sy,
Plot me gjak t’Ali-Abasë,
Vallë ç’ësht’ ay?
Ç’ësht’ ay që shkon kaluar,
Ikën si veriu,
Me dy-tri foshnja nër duar?
Ësht’ Abas-Aliu!
Shpije foshnjatë në lumë,
Se s’durojnë dot,
I ka marrë etja shumë,
E qajnë me lot!
Ujët ua kanë prerë
Janë në shtrëngim,
Si të varfër e të mjerë.
Në zi, në hidhërim.
Më ç’do an’ i ka rrethuar
Kombi faqezi,
Komb’i lik i xnallëkuar,
Posi mizëri!
Nëpër mest të ushtrisë
Të armikut shkon,
Si ëngjëll i Perëndisë,
Nd’erë fluturoni
Shigjetat si breshërimë
I vinë ngado,
Ay po si vetëtimë
Ikën nëpër ’to.
Shërbëtor’e njerëzisë
Shigjeta s’e çpon
Edhe nder’e trimërisë
Zoti e mburon.
Ç’ikën ay kal’i shkretë,
Mi dhë nuk shkel
Nga potkonjtë q’ikën shpejtë
Zjar e flak’i del!
moj kafshëz e uruar,
Mos shkel për mi dhë.
Se’shtë gjaku i bekuar,
Ikë nëpër rë!
Frat, o more lum’i shkreti
Mos këndo pa qaj,
Derth lot e rënko për jetë,
Mos qesh paskëtaj;
Se Hysejn’e Fatimesë
Me faret të ti,
E vranë komb’i pabesë,
Kombi faqezi.
Abas Aliu zu’ Tomorë,
Erdhi afër nesh,
Shqipërija s’mbet e gjorë,
Se Zoti e desh.
Hysejni desh njerëzinë,
Dhe për të u vra,
Për të shpëtuar njerinë
Ra nde Qerbela.
Hysejni ’shtë dashurija
Që fatbardhëson,
Buron soje miqësija,
Që na lartëson.
Jeziti ’shtë egërsirë,
Që sjell ligësi,
Dhe s’del soje pun’e mirë
Po dëm edhe zi.
Kushdo që bën mirësinë
E ka njerëzi
Ka besuar Alinë,
Dhe udhën e ti.
Gënjeshtra ’shtë Mavijeja,
Që prish edhe sot,
E drejta ’shtë Fatimja,
Dhe i madhi Zot.
E liga është Mervani
Që nxin e shkretën,
Djallëzija ’shtë Syfjani,
Që dhe sot dërmon.
Imamëtë dymbëdhjetë
Nga der’e Aliut,
Hoqn’e vuanë ndë jetë
Por nder të njeriut.
Zotërinj! ju qofsha falë!
Që hoqtë për ne,
Na latë vetëm një fjalë
Për bes’e fe.