80 Milionë Dollarë eshte mbështetja buxhetore e marre nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë e fokusuar veçanërisht në zhvillimin dhe qendrueshmërinë e politikave fiskale.
“Në kuadër të parashikimeve të mëparshme për zbatimin e reformave, po vijon bashkëpunimi me Bankën Botërore për një mbështetje buxhetore për Zhvillimin e Politikave për Qendrueshmërinë Fiskale me një vlerë prej 80 Milionë Dollarë, një angazhim i nisur në vitin 2018”, thuhet ne njoftimin e ministrise.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë informon se kjo mbështetje buxhetore është një kredi e butë, me kushte financiare të favorshme, që merret përmes një prej institucioneve financiare ndërkombëtare e fokusuar veçanërisht në zhvillimin dhe qendrueshmërinë e politikave fiskale.
Reformat që mbështeten përmes kësaj mbështetje buxhetore për Zhvillimin e Politikave për Qendrueshmërinë Fiskale janë:
-Forcimi i transparencës dhe llogaridhënies së financave publike;
-Përmirësimi i financave për rritjen dhe rimëkëmbje;
-Mbështetje për mundësitë sektoriale për zhvillim të qendrueshëm.
“Në të njëjtën kohë, ky financim ka nxitur një sërë masash pozitive në kuadër të përmirësimit të sistemit fiskal, stabilitetit makroekonomik, duke zbutur rreziqet e sektorit fiskal dhe financiar. Gjatë kësaj kohe janë realizuar disa elementë të rëndësishëm të reformave në sektorët prioritarë për zhvillimin e ekonomisë se vendit. Ndër të tjera, pas një pune dy vjeçare Qeveria Shqiptare finalizoi 3 ligje, të cilat në vitin 2020 u miratuan në Kuvend, siç ishte ligji “Për Tregjet e Kapitalit”, “Për Sistemin e Pagesave”, “Për Shoqëritë e Investimeve Kolektive”. Nga ana tjetër konstatojmë një ecuri mjaft pozitive në kuadër të proceseve të rimbursimit të TVSH-së apo menaxhimit të kredive të këqija nga sektori bankar, elemente me rëndësi të veçantë për ekonominë dhe sipërmarrjen.
Për sa më sipër, në vijim të angazhimit të stafit të strukturave institucionale, realizimit të objektivave dhe parakushteve të përcaktuara mes Ministrisë së Finanacve dhe Ekonomisë dhe Bankës Botërore, kjo mbështetje buxhetore eshte drejt realizimit dhe është parashikuar në ligjin vjetor të buxhetit (të rishikuar) për vitin 2020.
Në këto kohë sfidash, ky bashkëpunim me Bankën Botërore shërben si një shtysë e mirë për ecurinë e disa reformave strukturore kritike, që mbështesin ristrukturimin ekonomik dhe një rikuperim të shpejtë. Kjo mbështetje buxhetore mbetet e rëndësishmë për të siguruar rritjen e qendrueshme të biznesit, krijimin e vendeve të punës dhe forcimin e politikave, institucioneve dhe investimeve për rimëkembjen e ekonomisë.”