Trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi, ka bërë publike listën e futbollistëve të grumbulluar për 2 ndeshjet zyrtare që ekipi U-21 do të zhvillojë në datat 4 dhe 8 shtator, respektivisht përballë Austrisë dhe Andorrës.
Në këtë listë bie në sy numri i madh i lojtarëve nga Kategoria Superiore plot 12 të tillë, ku Laçi, Tirana dhe Apolonia përfaqësohen me nga 3 futbollistë. Ndërkohë Skënderbeu, Teuta dhe Partizani plotësojnë shifrën e 12 lojtarëve me një 1 përfaqësues secili.
Bushi u shpreh se objektivi i tyre është renditja në vend të tretë, ndërsa thekson se kanë mungesa edhe për shkak të COVID-19 ku Çokaj dhe Mersinaj janë në karantinë si pasojë e kontakteve me persona të infektuar. Ndërkaq, për mungesën e Brojës në grumbullim, thotë se ai është pjesë e kombëtares A.
“Kemi 2 ndeshje shumë të rëndësishme, si me Andorrën ashtu edhe me Austrinë. Disa lojtarë nuk janë në formën maksimale, për shkak të situatës së pandemisë. Jemi munduar të bëjmë më të mirën. Kemi marrë shumë lojtarë që mund t’i përdorim për sezonin tjetër, të datëlindjes 2000-2001.
Broja është lojtar i afirmuar dhe mund të jetë pjesë e Kombëtares A në 2 ndeshjet e radhës. E kemi furnizuar ekipin e parë, por edhe ata që kemi marrë kanë bërë paraqitje të mira. Ekipi ka qenë kompetitiv. Lojërat kanë qenë të mira, por rezultatet kanë munguar.
Duam vendin e tretë në grup. Austria ka ekip të mirë, 7-8 lojtarë të tyre luajnë në Champions. Jam i bindur se do të luajmë fort dhe do të marrim rezultat. Me Andorrën duhet të fitojmë prej objektivit tonë” – u shpreh Bushi.