31.08.2020 - 16:10
Nga Col Mehmeti
Mali i Zi po e merr përfundimisht dekadencën tu hi në nji fazë jostabiliteti të përjetshëm. Rrjedhimisht nuk kanë urë me qëndrue titujt idiotesk në portale se “fati i Malit të Zi është në duart e një shqiptari”.
Në fakt nuk âsht në duart e nji shqiptari. Ky teknokrati 31-vjeç nga Ulqini që preferon mbiemnin me e shkrue “Abazoviq” âsht në krye të nji partie joshqiptare që ka nis si konglomerat i OJQ-ve e rrymave të turlifarta minore.
Në sytë e nji të hueji, ligjërimi i tij mbase paraqitet atraktiv. Me imazhin e dikujt që i mëshon konceptit qytetar si antidot ndaj nacionalizmave, ai ka gjasë me fitue zemra e mendje.
Çuditërisht, ky sojli i OJQ-ve, trajnimeve e certifikimeve nuk e ka pa problematike që me qenë nënshkrues i të ashtuquajtunës “Deklaratë e Gjuhës së Përbashkët” (Deklaracija o zajedničkom jeziku) më 2017.
Në pamje të parë kjo deklaratë doket krejt paqësore në ambicien e saj kur kërkon etablimin e nji standardi policentrik për Kroacinë, Serbinë, Bosnjën e Malin e Zi. Megjithatë, implikimet e saj janë bukur problematike: nji “koine” gjuhësore për këto katër shtete âsht ipso facto nji mundësi për Serbinë me penetrue e shpengume pa frikë që ka me pas barriera para vetës.
Refuzimi i poshtër që iu ba thirrjes së Tiranës me garue si nji listë e njisueme (që do të tubonte s’paku 12 mijë vota) âsht devalvimi ma i madh politik i shqiptarëve në Malin e Zi që tash po hin në nji krizë gati ekzistenciale…
Si ai romani i Ademit: “Nuk ka paqe ndër kasolle”