MENU
klinika

Gjeniu i kinemasë

“Njëqindvjetori: Fellini në botë”

15.09.2020 - 16:08

         Ekspozita “Fellini në botë” çelet në nderim të 100-vjetorit të lindjes së kineastit italian në Qendrën për Hapje edhe Dialog. Artdashësit mund të njihen me kineastin e oskarëve Federico Fellini, përmes 120 objekteve origjinale.

“Nëse do të tentoja që të jepja një përkufizim të saktë të asaj që më nxit, e mënyrës sime të të jetuarit dhe të menduarit, mendoj se është pikërisht kjo, që t’i hapësh veshin dhe zemrën diçkaje që thuajse është harruar dhe që nuk do të doje që të harrohej”. Kështu e ka cilësuar artin e tij, mjeshtri i kinemasë italiane, por edhe i gjithë botës, fituesi i disa çmimeve “Oscar” në kinematografi, Federico Fellini (Rimini, 20 janar 1920- 31 tetor 1993, Romë), që në këtë 100-vjetor të lindjes vjen përmes ekspozitës “”Njëqindvjetori. Fellini në botë ” edhe në Qendrën për Hapje edhe Dialog. Kuratori Gentian Gjikola, rrëfen për mediet, ekspozitën në Tiranë, që ka udhëtuar në 10 kryeqytete ndërkombëtare.

“Ka qenë një kënaqësi e veçantë, që të kemi Fellinin në COD. Është një ekspozitë e konceptuar në Itali, në 100-vjetorin e tij të lindjes, që po udhëton në të gjithë botën. Është një ekspozitë që zhvillohet në shumë rrafshe dhe shumë dimensionale”, – shprehet Gjikola.

Filmografia, fotografitë, dokumentet, kostumet, posterat dhe objektet e sendet personale të Fellinit, mbi 120 vizatime të tij dedikuar miqve, apo edhe letrat e dashurisë për Giulietta Masina-s, rrëfejnë jetën edhe veprën e kineastit, që i dha emër kinematografisë italiane në mbarë botën.

“Është shumë e vështirë që të përmbledhësh punën e një regjisori, puna e një regjisori është filmi vetë. Kemi kostume, postera nga filmat, “La Strada”, “La Dolce Vita”, “8 ½ ” &”Amarcord” etj., lëvizje gjatë xhirimeve, artefakte edhe letra të shkruara prej tij për të shoqen apo edhe mbesën”, shprehet Gjikola.

 

Ekspozita e mundësuar nga Instituti Italian i Kulturës është kuruar nga Vincenzo Mollica, Alessandro Nicosia dhe mbesa e tij, Francesca Fabbri Fellini, të cilët, për shkak të covid-19, nuk ishin të pranishëm në këtë përurim në COD.

Ekspozita do të vazhdojë që të qëndrojë hapur, pranë Qendrës për Hapje edhe Dialog në Tiranë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Komedia e zezë premierë botërore

“Cirku fluturues” konkurron në Estoni