MENU
klinika

Nga Alfred Peza

Gënjeshtra e trashë e dy mandateve kryeministrore të Lulzim Bashës!

18.09.2020 - 16:48

Nga Alfred Peza

Nuk dihet pse kryetari i PD e ka kaq jetike, në prag të çdo palë zgjedhjesh të reja parlamentare, që të hedhi në publik tezat e një “Republike të Re” ndërkohë që ai është njeriu më i interesuar, për të ruajtur këtë Shqipërinë e “Republikës së vjetër”. E bëri me fjalë në çadrën e bulevardit, pak përpara zgjedhjeve të 2017 dhe i është rikthyer sërisht tani, në prag të zgjedhjeve të 2021. Ndërsa në praktikë, është lideri që i do komisionerët ende militantë partie, e që nuk e do hapjen reale të listave të kandidatëve për deputetë, sepse përmes tyre do që të mbajë nën kontroll partinë.

Duke qenë një lider politik tipik që tjetër gjë thotë, tjetër gjë mendon dhe tjetër gjë bën, Lulzim Basha nuk ndalet. Sëfundi deklaroi se “kufizimin në dy mandate të kryeministrit do ta bëj ligj dhe nëse Kuvendi nuk do e pranojë, do ta shtroj në referendum. Nëqoftëse një kryeministër nuk e arrin në dy mandate atë që ka premtuar atëherë kur do të bëjë më? Ideja do të jetë kufizimi i pushtetit me masa reale”. Sigurisht që kjo është një “kopaçe” e trashë, me shpresën se kësisoj do ia dali që ti largojë vetes dhe të vetëve, frikën nga fitorja e mandatit të tretë qeverisës nga PS dhe Edi Rama.

Nëse ka një gjë për të cilën Lulzim Basha nuk të zhgënjen kurrë, është lehtësia me të cilën gënjen live. Po si mund të bëhet kufizimi në dy mandate i Kryeministrit, në një shtet që ështe Republikë Parlamentare? Sepse qeveria buron nga Kuvendi dhe ai nga votat e sovranit popull. Sipas nenit 96/1 të Kushtetutës “Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i Kryeministrit mbetet vakant, emëron Kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend”.

Pra nëse një parti politike apo koalicion partish, fiton zgjedhjet tre apo më shumë herë me radhë, askush dhe asgjë nuk mund ti pengojë në të drejtën për caktimin e Kryeministrit të Shqipërisë. Po ti besosh Lulzim Bashës, atëherë ky nen do të përkufizohej: “Një partie ose koalicion partish e ka të ndaluar që ti fitojë zgjedhjet më shumë se dy herë me radhë, edhe nëse populli shqiptar do dhe ia jep votën?!” A është e mundur kjo? Jo. Sepse kemi të bëjmë thjeshtë me një idiotësi.

Ndryshimi që propozon Basha mund ta bëhet, por jo me ligj të thjeshtë, por me ndryshim rrënjësor të sistemit. Për ta bërë Shqipërinë, nga Republikë Parlamentare, në Republikë Presidenciale si në SHBA. Nëse ndodh kjo, atëherë do të kemi vërtetë një Republikë të Re. Por ndryshe nga kjo e sotmja, fuqitë ekzekutive nuk i mer Kryeministri, por Presidenti i cili zgjidhet drejtpërdrejtë nga populli. Vetëm në këtë rast, mund të arrihet kufizimi në dy mandate qeverisje siç e ka edhe SHBA. Nuk ka asnjë model Republike Parlamentare në botë, siç Shqipëria është prej 30 vjetësh, që numri i mandateve të Kryeministrit të kufizohet me ligj.

Ka dy rrugë për Lulzim Bashën që të realizojë në praktikë projektin e tij në formën e premtimeve elektorale populiste:

E para, duhet të ndryshojë totalisht Kushtetutën. Pas kësaj, është fare kollaj që ti japësh përgjigje edhe premtimeve të tjera të tij, për “rikthimin e sistemit mazhoritar në zgjedhje dhe riformatimin e Parlamentit me dy dhoma”. Por sot kjo gjë që është e pamundur praktikisht. Sepse do të duhet që ta ndryshosh gjithë arkitekturën e shtetit, institucioneve dhe të fillosh nga e para një traditë të re e të munguar historike.

E dyta, meqenëse shpresa vdes e fundit, gjithësesi ka gjithmonë një mundësi, për ta bërë realitet premtimin e Lulzim Bashës nëse ai e ka vërtetë seriozisht: Ta vendosi rregullin e dy mandateve për Kryeministrin, në statutin e PD dhe ta japi vetë i pari shembullin e zbatimit të tij. Por meqë kjo as që mendohet që të bëhet prej tij, kuptohet kollaj sa e madhe është gënjeshtra e radhës e Lulzim Bashës.