MENU
klinika

Dokumenti

Loja e PS-së me hapjen e listave, primare renditja e emrave nga partia…

19.09.2020 - 10:22

Është zbardhur drafti i Partisë Socialiste për ndryshimet në Kodin Zgjedhor si implementim i ndryshimeve kushtetuese, që u votuan në seancën e datës 30 korrik.

Në dokumentin e paraqitur nga Damian Gjiknuri në Këshillin Politik renditen 7 pika: për listat, kriterin gjinor, pragun zgjedhor, koalicionet parazgjedhore, si dhe mënyra e re e shpërndarjes së mandateve.

LISTAT E HAPURA

Në dokumentin e paraqitur nga Partia Socialiste dje në Këshillin Politik, listat e deputetëve mbeten thuajse mbi 90% të mbyllura dhe të paracaktuara nga kryetarët e partive. Në propozimin e PS-së, në pikën ku flitet për ndarjen e mandateve theksohet se do të bëhet një rirenditje e kandidatëve për deputetë, duke marrë për bazë tri elemente.

“Pas ndarjes së mandateve të fituara mes koalicioneve dhe/ose partive garuese jashtë koalicioneve (subjekte zgjedhore), KQZ përllogarit shpërndarjen e mandateve për kandidatët fitues për secilin subjekt zgjedhor (koalicion zgjedhor ose parti garuese jashtë koalicioneve). Shpërndarja e mandateve fillon pas rirenditjes finale të kandidatëve duke pasur për bazë tri elemente: Së pari, renditjen e tyre në listën e dorëzuar paraprakisht në KQZ nga subjekti; së dyti, numrin e votave parapëlqyese të secilit kandidat; dhe së treti, numrin e votave që i janë dashur subjektit për të nxjerrë një mandat deputeti në këtë zonë zgjedhore”, thuhet në pikën 7 të draftit të paraqitur nga Damian Gjiknuri dje në Këshillin Politik.

E thënë me fjalë të tjera, nëse marrim si shembull Qarkun Fier, një kandidat i renditur i 16-ti në listën e paraqitur në KQZ nga kryetari do të ketë shumë më pak shanse që të bëhet deputet në krahasim me atë që do të jetë i renditur i pari. Kandidati i 16-të duhet të marrë më tepër vota preferenciale sesa mesatarja e shumës së votave, që u përkon kandidatëve fitues të partisë për të cilën ai garon. Pra, edhe nëse i pari merr vetëm 100 vota preferenciale, ai do të jetë i avantazhuar ndaj atij që është jashtë listës fituese.

PRAGU ZGJEDHOR

Një tjetër pikë shumë e debatuar në draftin që paraqiti Partia Socialiste dje në Këshillin Politik ka të bëjë me pragun zgjedhor. Në dokumentin e prezantuar dje nga Damian Gjiknuri vihet një prag zgjedhor që do të jetë 3%, por në rang kombëtar.

“Pragu minimal për ndarjen e mandateve për Kuvendin, mes koalicioneve dhe/ose partive garuese jashtë koalicioneve (subjekte elektorale) është 3% e votave të vlefshme në shkallë vendi. Ky prag i propozuar bazohet në standardet më të mira demokratike në fushën e zgjedhjeve dhe është pranuar edhe nga Komisioni i Venecias në një sërë opinionesh të tij”, thuhet në draftin e PS-së. Duke marrë si shembull numrin e votuesve në zgjedhjet e 2017- ës, që sipas KQZ-së ishin 1.613.975, 3 përqindëshi do të thotë se një parti duhet të marrë minimalisht rreth 48 mijë vota që të kapë pragun nga ku fillojnë të shpërndahen mandatet. Me këtë formulë penalizohen më shumë partitë e vogla, që mund të jenë të forta në një qark të caktuar, por që në rang kombëtar nuk arrijnë dot t’i bëjnë votat që të kapin pragun 3%. Gjithashtu, ajo që bie në sy është se propozimi flet për një prag kombëtar, në një kohë që përllogaritja e mandateve të deputetëve bëhet me bazë 12 qarqet e vendit.

KOALICIONET

Drafti i PS-së, edhe në pjesën për koalicionet bën një parashikim që shkon përtej mënyrës se si është vepruar në zgjedhjet e dekadës së fundit. Sipas dokumentit të maxhorancës që u paraqit dje në Këshillin Politik, koalicionet do të paraqiten si një subjekt zgjedhor i vetëm, pra me një listë kandidatësh për deputetë. Gjithashtu, dokumenti parashikon që, sa i përket dorëzimit të listës së kandidatëve për deputetë, ajo do të bëhet jo më vonë se 50 ditë nga dita e votimit.

“Koalicioni zgjedhor parashikohet si subjekt zgjedhor që konkurron në zgjedhje. Pragu elektoral për koalicionet zgjedhore është 3 % dhe është i njëjtë me pragun elektoral që duhet të plotësojë një parti politike, e cila konkurron e vetme në zgjedhje. Në momentin e regjistrimit, koalicioni duhet të deklarojë partinë politike udhëheqëse të koalicionit. Marrëdhëniet midis partive pjesëtare të koalicionit dhe detyrimet reciproke midis tyre rregullohen në marrëveshjen e koalicionit, e cila është pjesë e dokumentacionit që depozitohet nga koalicioni në KQZ.

Partia politike ose koalicioni zgjedhor që është regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor për zgjedhjet në Kuvend, depoziton në KQZ listën shumemërore të kandidatëve të tij për çdo zonë zgjedhore, jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve”, shkruhet në dokumentin e PS-së.

Në propozimin e Partisë Socialiste bëhen parashikime edhe për sa i përket ruajtjes së kotave gjinore, të cilat duhet të jenë jo më pak se 30 për qind e listës fituese të çdo partie.

reforma-e1590493654623-600x360

Pragu minimal për ndarjen e mandateve për Kuvendin, mes koalicioneve dhe/ose partive garuese jashtë koalicioneve (subjekte elektorale) është 3% e votave të vlefshme në shkallë vendi. Ky prag i propozuar bazohet në standardet më të mira demokratike në fushën e zgjedhjeve dhe është pranuar edhe nga Komisioni i Venecias në një sërë opinionesh të tij. Gjinia më pak e përfaqësuar garantohet se do të jetë JO MË PAK SE 30% e përbërjes së Kuvendit edhe në kushtet e zbatimit të listave të hapura plotësisht. Një në tre emra të njëpasnjëshëm i përkasin gjinisë më pak të përfaqësuar, si në listën paraprake të depozituar nga subjekti zgjedhor, ashtu edhe në listën përfundimtare të mandateve të fituara nga subjekti zgjedhor.

Koalicioni zgjedhor parashikohet si subjekt zgjedhor që konkurron në zgjedhje. Pragu elektoral për koalicionet zgjedhore është 3 % dhe është i njëjtë me pragun elektoral që duhet të plotësojë një parti politike, e cila konkurron e vetme në zgjedhje. Në momentin e regjistrimit, koalicioni duhet të deklarojë partinë politike udhëheqëse të koalicionit. Marrëdhëniet midis partive pjesëtare të koalicionit dhe detyrimet reciproke midis tyre rregullohen në marrëveshjen e koalicionit, e cila është pjesë e dokumentacionit që depozitohet nga koalicioni në KQZ.Partia politike ose koalicioni zgjedhor, që është regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor për zgjedhjet në Kuvend, depoziton në KQZ listën shumemërore të kandidatëve të tij për çdo zonë zgjedhore, jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve.

Pas ndarjes së mandateve të fituara mes koalicioneve dhe/ ose partive garuese jashtë koalicioneve (subjekte zgjedhore), KQZ përllogarit shpërndarjen e mandateve për kandidatët fitues për secilin subjekt zgjedhor (koalicion zgjedhor ose parti garuese jashtë koalicioneve). Shpërndarja e mandateve fillon pas rirenditjes finale të kandidatëve, duke pasur për bazë tre elemente: së pari, renditjen e tyre në listën e dorëzuar paraprakisht në KQZ nga subjekti; së dyti, numrin e votave parapëlqyese të secilit kandidat; dhe së treti, numrin e votave që i janë dashur subjektit për të nxjerrë një mandat deputeti në këtë zonë zgjedhore.

Shkarko projektligjin e plote

shperndarja mandateve-ligji i PS